Sunday, 13 November 2011

Dimer dhe perralla.

Dimri po troket dhe per te shtyre netet e stergjata ketu ku jam, duhet te tregoj e te te me tregojne perralla. Po i mesuar me Vellezerit Grim ne femijeri, tani jo vetem qe e kam veshtire te shkruaj ndonje perrallushke te sakte, por nuk me pelqejne as ato qe me tregojne te tjeret. Ne dimrin e lagesht 2003-04 te Tiranes, provova per here te pare te shkruaja nje perralle dhe nuk qullosa dot gje. E megjithate, duke e konsideruar si perpjekjen time te pare ne proze(te shekullit XXI) po e ve pjese pjese duke i bere ndonje korrigjim....Ahhhh...qe tani filloi te me vere ne gjume....Se per aate pune eshte perralle dhe tregohet ne dimer kur gjumi te ze me kollaj...

                        LIMANI I HASHURRES
                 (Përralle për të vënë në gjumë nipin e saj.)


            Na ishte njëherë një qytet i madh, plot njerëz  dhe lule. Qytetarët e tij punonin pak, luanin shumë, por nuk i shkelnin lulet. Kudo kishte tabela druri, që ju kujtonin mos kalonin pranë tyre. T'i donin dhe vetëm t'i shihnin lulet e mbjella me gjak. Tabelat i kishte vendosur Sundimtari, që i kishte dhënë edhe qytetit emrin e tij. Ai i mbronte  lulet. Nga njerëzit dhe nga fluturat.
            Pranë Pallatit të Sundimtarit jetonte me prindërit e saj Vajza e Bukur Flokëverdhë. Shtëpia e saj e vogël ishte shumë, shumë pranë lulishteve më të bukura të qytetit. Por dhe shumë, shumë, shumë pranë tabelave. Tabelave paralajmëruese. Shpesh, ajo donte të vraponte pas fluturave, mes barit dhe luleve, por prindërit dhe tabelat e ndalonin. Flokëverdha donte të qante, të qante me të madhe, bile njëhere donte edhe të shkulte njërën nga tabelat, atë më pranë shtëpisë, por nuk e linin Bashibozukët. Këta ishin burra të shkurter, të veshur me shallvare jeshile  dhe xhamadanë të kuq, mbi të cilët ju dilnin jakat e bardha. Shpesh, ata i dukeshin si lule të mëdha , bullafiqe, që më tepër i prishnin se i ruanin tulipanët dhe karafilët e shumtë. Veçse ata i ruanin pareshtur, ditën dhe natën, në shi dhe diell, bile edhe ato që vyshkeshin. Vyshkëset i merrnin e i shpinin në Punishten e Parfumbërësit me Syze. Atje, pasi mbyllej dera, Parfumbërësi hiqte Syzet, fërkonte disa herë ballin dhe pëshpëriste pa ndalur fjalëza magjike. Fjalëza magjike, që i kthenin lulet e vyshkura në një parfum mrekullibërës. Parfum me të cilin lyheshin të djelave gjithë qytetarët e qytetit të Sundimtarit. Me ta dhe Flokëverdha dhe prindërit e saj.
(vijon)

No comments:

Post a Comment