Sunday, 6 November 2011

Ne dritaret e vajzave.


Shpesh ishin kureshtarë të dëgjonin se çfarë theshin me vete vajzat kur rinin të menduara në dritaret e dhomave të tyre. Ishte më e vështirë se të rrinin poshtë dritareve, por gjumëbredhësit mund të ecnin pa rënë dhe pa u ndjerë në kornizat e holla të ndërtesave dhe të kapnin pjesë mendimesh të shprehura me zë të lartë, që fluturonin jashtë dritareve.


AI
Për ty  Migena


S’di pse dua të rrëshqas poshtë.
Poshtë,
            Në terrin e pafund,
Duke ditur që rrukullima s’ka kthim.
Drejt nënqeshjes djallëzore,
Në llumin ngjitës të fjalëve të tij të humb.

E di dritën e keqe të syrit,
Atë shkëlqim mjerimi që do më përpijë.
Vuajtjen e vetmisë,
            Humbjen e hirit,
Shpërbërjen që pashmangshëm do vijë.

E sërish më tërheq ai tingull,
Që thotë:
-Nuk ka kohë,
            Nuk ka moshë,
                        Nuk ka rini,
Nuk ka as lart as poshtë,
Gjithshka është në ajri!

Kthjellët shikoj,
E di ç’më pret.
Si rrallë në shpirt nuk jam e turbullt.
Krahët i hap,
            Trupin lëshoj
Drejt atij që thërret:
-E gjitha është një gënjeshtër e rrumbullt!

No comments:

Post a Comment