SI LAHEN TE VDEKURIT?
Dihatjet vazhdonin prej ditësh
Edhe flakëza e qiririt
Herë lëkundej
Herë shkonte drejt.
Kishim harruar
prisnim vdekjen
A donim t’a mbanim në jet’.
Në atë mërzi paramortore,
Kur padurimi për ardhjen e fundit
Eshtë më vrasës se fundi vetë,
Krahun duke më prekur lehtë,
Ti pyete:
-Si lahen të përgjumurit?
Pata frikë të të shihja në sy,
Më shumë se atë që jepte shpirt.
Ty, që në këtë prag misteri
Nuk shquan dot dritën nga terri
Përuljen prehëse nga një rit.
Doja të bërtisja:
“-Të pastër janë ata që flenë
Të ndritur si rrezja e kulluar,
Në çastin kur janë larguar,
Njollat në frymët tona lenë.”
Heshta dhe mbeti ngulitur
Flakëza e qiririt e mekur,
Dritarja nga shihej një pjesë rruge,
Dhe ti me pyetjen absurde:
-Si lahet një i vdekur?
No comments:
Post a Comment