Monday, 14 November 2011

Biseda te pakryera me babane.

Ky eshte titulli i perkoheshem i librit rreth jetes dhe vepres te Andon Mares. Po ve gjysmen e kapitullit te pare ne gjendje bruto.

            FAMILJA DHE FEJA
           



Unë: Ku ze rrënjë familja jonë? Ti më ke treguar shumë për Stambollin, por edhe për Voskopojën e Dusharin. Cila është origjina e vërtetë e Marave?

Ai: Edhe unë nuk di shumë për origjinën e të parëve, sepse u linda dhe u rrita në Stamboll dhe atje, babai më kishte përmendur vetëm që vinim nga Dushari i Korçës e që kishim një shtëpi në Voskopojë. Ato që mësova kur erdha në Shqipëri shkonin më thellë dhe plotësonin me emra farefisin, por nuk kishte njerëz, të cilët kishin mundur të shpëtonin dokumenta, apo të kishin ruajtur mirë tregimet e të moçmëve. Edhe Kristaq Cepa, që ishte më i shkolluari i farefisit, dinte disa gjëra, por jo shumë të datuara e të sakta. Askush nuk mund të theshte, se kur kishin ardhur Marat në Dushar dhe në ishin degë e ndonjë fisi tjetër apo kishin qënë prej qindra vjetësh të tillë. Nga të thënat, më e besueshme është historia e një katërgjysheje kapedane me emrin Maria(në Opar ato i thërrisnin Mara), prej nga mbeti mbiemri i fisit. Sipas Cepës, para saj, kishin patur mbiemrin Gjelishani, por këtë nuk e ka konfirmuar njeri tjetër. Në Opar, emri Maria(Mara) ka qënë i përdorur shumë, kur lindinin vajza. Një nga kishat më të vjetra të zonës, është kisha e Shën Mërisë në Dushar, e ndërtuar në shekullin e XV. Kur shkova në Dushar, për herë të parë më 1968, kishte disa toponime që lidheshin me ne si Kroi i Marës dhe ara e Marës, të cilat i pashë i shoqëruar nga një plak, që të gjithë e thërrisnin xha Take. Në fshat nuk kishin mbetur familje të krishtera dhe kishte shumë të ardhur nga fshatrat e Skraparit dhe Gorës. Megjithatë, kishte të moshuar që i kujtonin me respekt Marat dhe kishin pasur miqësi me ta.
           
Unë: Nuk e kam harruar shkopin prej thane të xha Takes, që ma përmendje kur bëja ndonjë zullum të vogël "do të të futem me stapin e xha Takes".

Ai: (Qesh) Do kisha bërë mirë të të kisha hyrë ca herë "hosh" me atë stap, që ma kishte dhuruar plaku i Dusharit, se do kishe bërë më pak zullume të mëdha më vonë dhe do ishe kujtuar më parë të gërmoje për origjinën e Marave... Babai im, Naumi, ishte djalë i vetëm i Andon Marës dhe kishte edhe një motër më të vogël, Athinanë. I jati kishte ikur në kurbet në Stamboll dhe punonte në sallahanat e Stambollit, të cilat, në ato vite ishin pronë e vëllezërve Dallamango nga Opari i Korçës. E kam fjalën për fillimin e viteve '70 të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kishte edhe shumë oparakë të tjerë, të cilët punonin si kasapë për Dallamnagot, ose mernin me qera një pjesë të vogël të therrtortes dhe therrnin bagëti të trasha apo të imta që ju sillnin "myshterinjtë". Mbase nga që ishte shëndetlig, gjyshi mori më 1888 babanë nga Voskopoja për ta ndihmuar, ndonëse ishte vetëm 9 vjeç dhe duhet të linte shkollën dhe familjen. Dy vjet më vonë, babait i ra në kurriz e gjithë barra e shtëpisë, se i jati vdiq i ri në Stamboll. Vazhdoi të punonte në Dallamangot dhe kishte edhe ndihmën e tyre dhe të oparakëve të tjerë. Edhe pse punonte tërë ditën në therrtore, gjente kohë edhe të mësonte më mirë të shkruante e të lexonte. Kishte kaligrafinë(në greqisht) të një njeriu që kishte punuar gjithë jetën zyrave dhe dinte gjithashtu, të lexonte edhe turqishten e vjetër. Mungesën e një shkolle të plotë e të mirë e kishte gjithnjë peng dhe u mundua që edhe Nesti edhe unë, të bënim shkolla nga më të mirat që kishte Stambolli.

Unë: Po nënën në Stamboll e njohu?

Ai: Jo. Mamaja ishte nga Karbanjozi i Oparit. Quhej Vasiliqi dhe ishte vajza e vetme e Naum Leços dhe më e madhja e fëmijëve të tij. U martuan me mblesëri, e duhet të ketë qënë më 1903 në Voskopojë. Babai ishte 34 vjeç dhe mamaja 18. Një vit më vonë lindi djali i parë Dhimitri, i cili për fat të keq vdiq kur ishte i vogël. Më 1913 lindi Nesti dhe nëntë vjet më vonë, në mesin e janarit të vitit 1922 në lagjen Tophane të Stambollit linda unë.

Unë: Pse thua në mes të janarit? Në të gjithë dokumentat tënde shënohet 22 janar.

Ai: 22 janari është dita e pagëzimit, që shënonte njëkohësisht edhe rregjistrimin e ekzistencës sime. Sipas traditës të kishës ortodokse, fëmijët duhet të pagëzoheshin brenda disa ditëve pas lindjes. Në atë kohë vdisnin edhe shumë të vegjël, prandaj pagëzimi, edhe në dimër bëhej në javët e para  dhe po të ishin të papagëzuar as i rregjistronin në rregjistrat e gjendjes civile. Prandaj zyrtarisht unë figuroj i lindur më 22, kurse sipas të thënave u linda para shën Andonit, pra rreth 15 janarit.

Unë: Ishte shumë e rëndësishme feja ortodokse në familjen tënde?

Ai: (Mendohet)...Shumë e rëndësishme. Pjesë e jetës së përditshme, e qenies sonë, e mbijetesës sonë në një vend, që ishte edhe i joni, por edhe i vështirë, sepse turqit kishin filluar prej kohësh një politikë kombëtare, nëpërmjet të cilës kufizonin liritë e atyre, që nuk ishin myslimanë. Edhe pse babai nuk ishte fanatik dhe i ndiqte ritet fetare më pak, ndërsa mamaja më e devotshme, të gjithë ishim të lidhur me kishën dhe shkonim rregullisht në meshat dhe festat fetare. Në sajë të atij edukimi, im vëlla Nesti, në vitet '50 dhe '60, punoi si psallt në Kishën e Mitropolisë në Korçë, ndonëse nuk kishte bërë ndonjë shkollë fetare në fëmijëri apo më vonë. Mësimet e ungjillit tek unë u ngulitën shumë herët. Për të mësuar frëngjisht, babai më futi në një institucion parashkollor, që drejtohej nga një urdhër murgeshash franceze, ku mësohej gjuha frënge dhe morali i krishterë, kuptohet, sa mund të nxënin fëmijët 4-5 vjeç. Ungjillin e njihja "me themel", që në moshën 12-13 vjeçare. Prindrit gjithashtu, i kushtonin shumë rëndësi mesazhit të dashurisë të pashtershme dhe të respektimit me përpikmëri të porosive që Perëndia i dha Moisiut. Edhe kur u kthyem në Shqipëri, i ndiqnim rregullisht shërbesat fetare, të cilat kryheshin pjesërisht në shqip e pjesërisht në greqisht. Më shpesh shkonim në kishën e Shën Thanasit, të cilën e kishim më pranë shtëpisë, por edhe në Kishën e Mitropolisë, që ishte edhe më e madhja në Korçë.

Unë: Me një fjalë, feja ka luajtur rol të dorës së parë në formimin tënd?

Ai: Formimi mendor dhe shpirtëror i njeriut është shumë kompleks dhe është e vështirë të ndash se ç'gjë ka luajtur rol të dorës së parë dhe cila të dorës së dytë apo më poshtë. Në një familje si e jona, në gjendje ekonomike të mesme, por të ardhur nga periferia e Perandorisë, kultura, virtytet morale, feja, atdhedashuria, edukata e punës etj. nuk kanë qënë të ndara me thikë. Kishin kaluar shumë breza paraardhësish në Dushar, të cilët kishin qënë sharrxhinj, muratorë, priftërinj, barinj të ndershëm e punëtorë, të cilët ishin mësuar të ndihmonin tjetrin, të mos e ndronin fenë dhe të martoheshin me njerëz nga krahina e tyre, edhe sikur të rronin në vende të tjera të Europës apo edhe më larg.
(vijon)

No comments:

Post a Comment