Monday, 28 November 2011

Kreu I i "Perdhunimit"

Edhe ne librat e shkruara ne shekullin e ri, u dashka qe kreu I te jete para atij II. Duhet t'i nenshtrohem ketij rregulli dhe te vendos pa vonese te parin.

                                    LAJMI



            Atë mëngjes Qyteti i Përbaltur, u zgjua si zakonisht. Në fillim hapën sytë endacakët e pastrehë, ata që flenë pranë zjarreve në kuartallet e pasura, pak më vonë rojet e lokaleve lluksoze dhe të komplekseve të banimit, më pas bukëpjekësit dhe shoferët e taksive pa liçencë, e me rradhë policët, gazetashitësit, barmenët, punëtorët e ndërtimit dhe më pas gjithë të tjerët. Të fundit u ç’përgjumën këngëtarët e klubeve të natës dhe veprimtarët e forumeve për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Thuajse të gjithë ishin ngritur. Të pakët qenë ata, që punonin gjatë gjithë natës dhe flinin në orët e fundit të mëngjesit. Pjesa dërmuese kishin mbushur kafenetë dhe pinin kafen e dytë, të shoqëruar me cigare dhe ripërsërisnin zgjidhjen e vet origjinale për zhdukjen e korrupsionit. Ata që ishin ngritur më shpejt, ndërprisnin njëri tjetrin gjatë bisedës, ndërsa të përgjumurit pohonin duke tundur kokat. Gjithshka ishte në rrjedhën normale deri sa Kanali televiziv 24/24 ndërpreu programin për të dhënë lajmin:
            ”Sot, në orët e para të mëngjesit, në hotelin “Adriana”, u gjet në gjendje kome, i përdhunuar dhe plagosur rëndë, kandidati  për kreun e Opozitës, Leon Gurazi. Nuk dihen ende rrethanat dhe autorët e këtij krimi të shëmtuar. I plagosuri është çuar urgjentisht në Spitalin Qëndror dhe ndodhet ende brenda sallës së operacionit. Zona përreth hotelit është nën kontrollin e Grupit “Task Force”…Do e ndjekim nga afër, për të dhënë lajmet më të reja rreth kësaj ngjarje kaq të rëndë dhe pa preçedent…”.
            Sekondat që pasuan, në baret e të gjitha kategorive, ishin krejt të heshtura, thua se një shtangie totale kishte përfshirë Qytetin. Ishte krejt e pazakontë për një shoqëri, e cila nuk çuditej më për asgje dhe në tre vjetët e fundit kishte parë grushte shteti nga civilët e Pozitës, hapje të burgjeve nga gardianët, shuarje fisesh për vijën e ujit, vetëhelmime kolektive me fotoksinë e deri në shitje të organeve të fëmijëve të palindur.
            Në barin “5 Borigat”, të shtangurit ishin punonjësit e Bankës së Detit të Zi. Nuk ju lejohej të pinin duhan brenda mjediseve të Bankës, ndaj shpesh gjatë orarit, ktheheshin per “kafe dhe duhon” tek “5 Borigat”. Pezullimi i bisedave, aty dukej edhe më i përzishëm, ndoshta për shkak të veshjeve të tyre tepër serioze. Po të hidhje sytë poshtë, mbi majat elegante të këpucëve, do shihje hirin e porsarënë te cigareve, që nuk thitheshin më. Gjithshka dukej e stepur. Veç tymi ngjitej drejt hapjeve të sistemit ajrosës të Barit.
Heshtjen e theu sportelistja e sportelit të këmbimit valutor Alba:
- Ku bi ky hotel “Adriana”?- pyeti duke hedhur vështrimin nga meshkujt  me kostume të zinj. Ata ngritën supet duke vështruar përreth. Askush brenda barit nuk e dinte ku ndodhej hoteli. Hoteli enigmë, ku kishte ndodhur e padëgjuara hata.
- Ka mundesi të jetë andej nga Kopështi Botanik- ja futi kot Informaticieni me kontratë.
Vajzat e panë me një lloj kureshtje të veçantë djaloshin, që dinte  vendndodhjen e Hotelit të mistershëm. Djali i ri u kap keq, mblodhi supet si për të thënë, që kjo ishte thjesht një hamendie, një mundësi dhe aq. I kuqi i lehtë në fytyrë, ja pohoi fajësinë e deklaratës së nxituar. E nxori nga situata zëri i folëses:
”…të gjitha kërkesat tona për deklaratë nga Selia Vjollcë, apo dhe nga stafi i Gurazit nuk kanë marë përgjigje. Te gjithë këmbëngulin, se ajo që ju intereson është gjendja shëndetsore e kandidatit për kryetar partie, por edhe rreth saj, theksojnë se janë në pritje ç’do thonë  mjekët e Spitalit Qëndror. E dërguara jonë pranë spitalit njofton, se operacioni vazhdon prej tre orësh dhe në sallë kanë hyrë edhe dy kirurgë të huaj, të cilët punojnë pranë trupave të NATO-s. Ndërkohe flitet, por nuk ka konfirmim, që në mjediset e spitalit, ka arritur dhe Kryeministri i shoqëruar nga ministrat e Rendit dhe të Shëndetsisë. Këto jane te rejat e fundit rreth zhvillimeve të ngjarjes së mëngjesit të sotëm, kur u përdhunua dhe u plagos rëndë, politikani i opozitës Leon Gurazi. Më vonë, do ndiqni nje përmbledhje të shkurtër të karrierës politike të Gurazit, i konsideruar nga shumë analistë si politikani me më tepër ardhmëri në vend. Nga regjia njoftohemi se materiali është duke u përgatitur, ndaj ne po përpiqemi të vendosim në mënyrë kronologjike ngjarjet e mëngjesit të sotëm. Ashtu si na kanë ardhur në redaksi:
08.47’ nga një telefonatë pa emër në redaksinë e informacionit, njoftohemi se diçka e rëndë ka ndodhur në  Hotel Adriana; 08.52’ kërkesat tona pranë Ministrisë së Rendit për të konfirmuar ose kundërshtuar lajmin janë kthyer pa përgjigje; 08.59’ grupi ynë i xhirimit vendoset pranë hotelit tashmë të rrethuar nga forcat e policisë dhe nga ato të “Task Force”; 09.06’ arrin telefonata e dytë pa emër ku njoftohet se është përdhunuar dhe më pas është vrarë Leon Guraziu, në dhomën e tij në hotel Adriana; 09.25’ pasi këmbëngulim për konfirmimin e lajmit, nga Ministria e Rendit përgënjeshtrohet vrasja dhe pranohet se bëhet fjalë për një plagosje të rëndë, por jo për perdhunim; 09.28’ Ministria e Rendit pranon se ka ndodhur edhe përdhunimi, pa dhënë hollesi të tjera, se si janë kryer krimet e nëse ka ndonjë të ndaluar; 09.34’ nga grupi i Kontrollit Statistikor të Programndjekjes, njoftohemi se kanali ynë është ndjekur nga një numur i paparë teleshikuesish; 09.36’ bllokohet sistemi i yne i telefonisë për shkak të mijra telefonatave,nga njerëz që kërkojnë të dinë më tepër rreth ngjarjes. Ju përsërisim kërkesën e Departamentit teknik - Ju lutemi, deri në një njoftim tjetër, mos telefononi në numurat tanë. Gjithshka dimë, po e përcjellim tek ju. Pa asnjë rezervë…”
            - Dëngla!- u dëgjua të thoshte Drejtori i Departamentit të Kredive- Po i mbytin kotelet edhe këtë rradhë…
            -C’hyjne kotelet ketu?!-pyeti e çuditur Alba dhe ju hodhi një vështrim pyetës  vajzave.
            -Mbylle të shkretën Alba, na lerë të degjojme! -ju hakërrua manaxherja e DKV-së, si e quanin shkurt Departamentin e Këmbimit Valutor. Alba ngriti vetullat dhe perëndoi sytë, por asnjë nuk i hodhi ndonjë vështrim përkrahës. Të gjithë, me sytë e ngulur lart, atje ku ndodhej i vetmi televizor i barit, mundoheshin të zbërthenin me mendje këtë rebus krimi politik, të ngatërruar edhe më tepër nga renditja kohore e sapo dhënë. Asnjëri nuk ishte në gjendje të ngrinte ndonjë hipotezë, që ti dukej aq e logjikshme sa ta ndante me të tjerët. Bile as Alba. Ajo, që ndronte mendje më lehtë seç këmbente valutat në sportelin e Bankës së Detit të Zi.

No comments:

Post a Comment