Saturday, 19 November 2011

Para 2 vitesh

Mbase shkrimi i fundit i derguar per botim ne Shqiperi.
Kur kalon Halloween, ketu gjithska behet gati per Krishtlindjet dhe kuptohet qe duhet menduar per vitin qe vjen. Me vitin qe je, edhe pse eshte Nentor, jane lare hesapet. Ja pse para dy vjetesh, ne fund te Nentorit, i dergova trashaluqkes Anila Basha kete shkrim, te cilin kerkoja te botohej me pseudonim. Politika e "gazetes Shqiptare" nuk e lejonte dhe te gjithe festuam nje mbyllje te 2009-es te gezuar. E pashe para disa kohesh dhe te vetmen gje qe kisha parashikuar sakte per 2010, ishte heqja e fytyrehidhurit Dritan Prifti.
Mbase kete vit, mund te bej edhe nje parashikim per vitin e Kiametit, por jam i sigurt qe nuk mun te gjej asgje se cdo ndodhe ne hapesiren e paparashikueshme shqiptare.

MEMEDHEU GJATE VITIT 2010


“…Në fund të vjeshtës së tretë të motit të parafundmë të dhjetvitorit të parë të mijëvitorit të tretë pas lindjes të Atit tonë,i shkrojta këto ndodhi të ardhme të Mëmëdheut.”

Nostradamus Albanicus

Java e fundit e muajit kallnuer :Më në fund,pas shume e shume vuajtjesh, njeriu nga Viçidoli se bashku me djalin e parë të skulptorit qe mban emrin e Atit tone,në praninë e një burri rrumbullak me syze rrumbullake,do bashkohen për të hapur kutitë. Për habinë e tyre të papërshkrueshme,kutite do jenë të zbrazëta si fylli. Gjithshka do jetë marë prej kohësh nga bashkëpuntorët e tyre të ngushtë. Burri me syze do ju rrahë krahët të dyve dhe do i ftojë të bëjnë Shqipëri.

Hëna e plotë e tretë e vitit :Avokati i djathtë i mbetur pa foltore,do futet me kamzhik në foltoren e madhe dhe do rreket t’i dëbojë të gjithë folësit duke përsëritur thënie nga Dhjata e Vjetër.Rojet e gruas prej hekuri do e ndalin dhe do ja dërgojnë për kontroll gruas së rreptë me pamje fëminore.Në xhep nuk do i gjendet asnjë tartabiq.

Dita e dytë e Pashkëve kineze:Nishani me disa nishane,që kishte humbur pa nam e nishan do fillojë rrëzimin e statujave.Do e nisë në Burrel dhe do e perfundojë në Bruksel me statujën e djalit të vogël që përmiret. Pastaj do ulet të shkruajë rrëfimin “Uliksi-Dredharaku i Kolonjës”.

Dita e parafundit e të korrave :Burri i shkurtër me qafën si të buallit do kërcënojë prishjen e foltores, po qe se ja burgosin djalin energjitik. Njeriu nga Viçidoli do e qetësojë dhe do e dërgojë me pushime në Detin e Kuq dhe djallin energjitik do e zëvendësojë me një karabinshpërndarës.

Dita e ekuinoksit vjeshtor:Një re e madhe do zerë diellin dhe do ulet mbi shtëpinë e njeriut nga Viçidoli dhe do shkarkojë 1 milion këpucë të majta të vjetra. Shtëpia  do mbulohet, po ai do dalë gjallë nga mali me këpucë dhe do fillojë t’i provojë një nga një.Do zgjedhë dy dhe do ecë djathtas me dy këpucë të majta.

Ora e parë e ditës së fundit të hënës së shtatë  :Djali i njeriut me emrin e Atit tonë do heqë rrobat e trimërisë dhe do përkulet në mënyrë simbolike mbi një enë porcelani . C’ka do ketë ena do e hedhë në Lumin që ndan qytetin. Lumi do turbullohet.

Gjysma e natës së tretë e vjeshtës së dytë:Do ngrihet nga gjumi i thellë vëllai i Bajrakut dhe do kërkojë të shtjerë me topin e lënë në mes të mejdanit nga gjenerali i vjetër.Nga qindra gjyle  do mundohet të gjejë atë me barut.Prapa kurrizit do i qeshe djali me emër lumi, që ka shitur edhe barutin e gjyles së fundit.

Dita e parafundit e hënës së dymbëdhjetë:Njeriu nga Vicidoli dhe djali i skulptorit me emrin e Atit tonë, për gëzimin e turmave,do vendosin që për një ditë të ulen të dy në karrigen e Sundimtarit.Në mes të duartrokitjeve,njeriu nga Viçidoli do lëvizë njërën dorë pranë tëmthave duke treguar me kokë nga fqinji,ndërsa tjetri do tregojë me gishtin tregies të dorës së djathtë bashkësundimtarin dhe me gishtin tjetër tregues një pjesë të pahijshme të trupit.Turma do verë kujen.





No comments:

Post a Comment