Kam pritur shumë vjet të dëgjoj nga shkrimtarët dhe
artistët, të cilët kanë jetuar në ato vite, të tregojnë të vërtetat e viteve
’60 dhe fillimit të viteve ’70 rreth Ismailit dhe raporteve të tij me kolegët,
me udhëheqjen, sigurimin e shtetit, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe lexuesit. Për
fat të keq Dritëroi dhe jo vetëm ai, heshtin rreth interpretimeve jo të sakta
që bën Ismaili dhe sidomos ndaj përfundimeve që arrijnë rreth ngjarjeve të asaj
kohe, Elena Kadare dhe Ndriçim Kulla në librat e tyre rreth tij.
Vërtet si shkrimtar, Ismailit i lejohet në një roman të ‘bëjë një “palosje të kohës dhe vitet nga
1963 e deri më 1973 t’i paraqesë të njëjta me ato 1973 deri 1982, por e vërteta
historike nuk është e tillë. Dhjetvjeçari i parë, në të cilin zenë vend edhe
ngjarjet që lidhen me Dhora Lekën, për të cilat flet Ismaili në intervistën e
djeshme, ka qënë dhjetvjeçari me më pak represion ndaj intelektualëve dhe
krijuesve. Vazhdonte fryma e zbutjes që kisht enisur prej periudhës të
Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të BS dhe edhe pse më 1964 Hrushovi u
zevëndësua nga një udhëheqës më dogmatik si Brezhnjevi, E. Hoxha nuk filloi të
“shtrëngonte vidat” në letërsi dhe arte,
apo të ndiqte shembullin e Revolucionit Kulturor Kinez. Ishte periudha kur u
lejuan përkthimet e autorëve si Heminguej, Remark, Lorka, Frans, Man e plot të
tjerë, libra të cilat u hoqën nga qarkullimi pas vitit 1973.
Vetë Ismaili gëzonte jo vetëm statusin e poetit më të mirë,
por edhe të prozatorit me një të ardhme të shkëlqyer. Kudo recitoheshin pjesë
nga poemat “Përse mendohen këto male”, “Endërr industriale’ dhe më vonë të
“Shqiponja fluturojnë lart”. Edhe orientimet për të krijuar vepra për heronjtë
e rinj “tip Lej Fen” u kufizuan me disa vjersha e këngë për shkurte Pal Vatën,
një film për Adem Rekën e të tjera krijime modeste. Vetë Ismaili shkruajti
vetëm një poezi për Fuat Celën, sepse edhe trysnia për vepra të mëdha për
heronjtë e rinj nuk ishte e madhe. Prej vitit 1966 kishte filluar të frynte era
e luftës kundër së vjetrës, që më vonë
shpuri në të ashtuquajturin “liberalizëm në letërsi dhe arte”.
Sot, kur një pjesë e mirë e personazheve të asaj kohe kanë
vdekur mund të shkruhet dhe abuzohet për ‘komplote” të sigurimit me
bashkëpuntoren e tij Dhora Leka, ose përpjekjet e saj për të fshehur ose
nxjerrë “emrat e rëndësishëm”, por kjo në rastin më të mirë duhet konsideruar
si një ‘lajthitje” e Kadaresë. Eshtë fakt , që jo vetëm numuri i shkrimtarëve
dhe të artistëve të dënuar në atë dhjetvjeçar ka qënë minimal, por edhe numuri
i të dënuarve politikë në përgjithësi ka qënë minimal. Në Shqipëri jo vetëm nuk
pati skena të tilla, si ato të mjekëve që tregon Kadareja për në Kinë, por
intelektualët nuk ndjenë asnjë lloj shtrëngimi në atë kohë. Ata që u prekën
ishin vetëm avokatët, veprimtaria e të cilëve u quajt e panevojshme, por as ata
nuk u internuan apo u çuan në burg. Pati cënime në të ardhurat dhe privilegjet
e ushtarakëve, si dhe në honoraret e shkrimtarëve, artistëve dhe gazetarëve,
por këtu ndalej kufizimi. Nga ana tjetër, shkrimtarët e artistët u inkurajuan
më shumë me leje krijuese, nxjerrje në profesion të lirë, studio etj., doemos
për të qënë "ndihmës të Partisë në edukimin e brezit të ri”.
Nëse ju hihet në sy i shpejtë, gazetave “Drita”, “Zëri i
rinisë“, por edhe “Zëri i Popullit”, në atë dhjetëvjeçar sundon emri i Ismailit
më shumë edhe se i Jakov Xoxës, Petro Markos, Dhimitër Shuteriqit, Llazar
Siliqit, Sterio Spasses të marë së bashku. Sa për emrat e Kutelit dhe Poradecit
ato nuk dukeshin gjëkundi. Ishte periudha e artë e “letërsisë të pas viteve
‘60”, e cila trumbetohej si letërsia e kohës dhe e vërteta. Kadareja, për vetë
talentin e tij ishte në krye të listës.
Unë nuk di hollësi për jetëne Dhora Lekës dhe lidhjet e saj
me qarqet krijuese apo edhe ato të errëta të Diktaturës. Di që ka qënë një
figurë komplekse e njohur herçt me funksionarët më të lartë të Partisë. E besoj
edhe vërtetësinë e letrave të saj anonime apo jo anonime, por më duket se
përpjekja për t’i lidhur me një komplot të Sigurimit është jo vetëm e zmadhuar,
por në mënyrë të ndërgjegjshme e qëllimtë. Tani që ajo nuk është më e gjallë
nuk mund të zbulohen as arsyet e vërteta pse i ka bërë letrat.
Vetë reagimi i organeve të Partisë së Beratit, të udhëzuara
prej KQ, dëshmojnë se jo vetëm kohët ishin të tjera, por se mbrojtja që i bënte talentit të Kadaresë
Partia në atë kohë ishte e pakufi. Nuk përjashtohet mundësia, që të ishte hapur
një dosje për Ismailin si për të gjithë ata që kishin studiuar jashtë e sidomos
në Bashkimin Sovjetik. Për më tepër, Ismaili kishte dhënë shenja të një njeriu
që kishte prirje disi pro-Perëndimore. Në librin e saj Elena kujton, që Ismaili
kishte sjellë nga Moska një aparat projektimi filmash, gjë jo e zakontë dhe e
mjaftueshme për të hyrë në listat e atyre që survejohen.
E megjithatë, po e përsëris, që ato kohë ishin krejt të
ndryshme nga ato të pas Pleniumit të IV, kur Kadareja vërtet pati periudha të
vështira dhe ndoshta vetëm njohja në Europë e shpëtoi nga dyert e burgut. Ishin
kohë kur edhe vetë Dhora Leka shpresonte të rehabilitohej dhe kompozonte një
opera për Komandantin. A e shpuri në kurthin ndaj Kadaresë zilia për
shkrimtarin, inati se nuk kishte pranuar ta ndihmonte për libretin a ndonjë
arsye tjetër, këtë të vërtetë kompozitorja e ka marrë me vete në varr. Eshtë fakt,
që ajo ka dëshmuar edhe në gjyqin kundër Kadri Hazbiut dhe Fiqret Shehut, gjë
që dëshmon për mbetjen e saj si bashkëpuntore e Sigurimit të Shtetit. Në
ç’rrethana është rekrutuar, kjo mund të gjendet në arkivat shqiptare, por letra
e zbuluar nga “Shqiptarja” nuk është aspak një dëshmi e një komploti të
Sigurimit kundër Kadaresë. Përkundrazi dëshmon për cinizmin e tij, kur i preket
qoftë edhe një fije interesi. Eshtë interesante se ai nuk dëshmon aspak rreth
rrethanave të takimit me Lekën – Lindita në shtëpinë e saj. Nuk është një gjë e
çuditshme, që ka shkuar por është një dëshmi më shumë, që 30 vjeçari nuk i
trembej një kurthi dhe nuk ndjehej i survejuar. Në vitet ’70 sigurisht nuk do e
bënte atë gabim.