Ka një pasqyrim të madh të përpjekjeve të pushteteve vendorë në Korçë për hapje e sezonit të ri turistik. Pa dashur të hamendësoj se sa është propagandë, sa është punë pa shumë fryte, më shqetëson fakti, që Turizmi ka marrë kaq rëndësi në të ardhmen e Ekonomisë së Bashkisë dhe të gjithë Qarkut të Korçës. Të duket se nuk ka fusha të tjera, që të bëhen nxitëse të fuqishme të zhvillimit ekonomik dhe arsimoro-kulturor, që jo vetëm të rrisin mirëqënien e atyre që jetojnë në Qark, por të bëjnë të mundur edhe një migrim brenda Shqipërisë në të kundërtën e asaj çka ndodhur në këto 30 vjet.
Korça nuk mund të lulëzojë ekonomikisht duke u mbështetur kryesisht në Turizmin. Shembujt e dështimeve të modeleve të turizmit masiv ka në të gjithë botën dhe nuk është vendi për t’i përmendur.
Më ra në sy një deklaratë e Raqi Filos (nuk po e quaj sot Ligaveci Gollash), që i thurrte lavde “turizmit të eventeve”, që sipas tij kishte lindur për herë të parë në Korçë dhe kishte bërë të mundur që turistë të panumurt të vizitonin Korçën dhe të ndihmonin ekonominë e saj. Ai përmendte edhe çmimet që kishin marrë këto “evente” nga Agjensia Kombëtare e Turizmit a nga ndonjë ministri.
Por pavarësisht nga propaganda e Filos dhe e të tjerëve unë nuk besoj se njerëzit shkulen nga gjithë Shqipëria dhe vendet fqinjë të shohin Festivalin “KoKo” të komedisë, që paska marrë edhe çmim si ngjarje e rëndësishme artistike. Thuhet që për shumë shfaqje artistike në Korçë nuk shiten dot as bileta, por njerëzit i shijojnë falas. Dhe mua edhe falas të më ofrosh një komedi ku luan Zamira Kita dhe shokët e shoqet e saj nuk do e shoh.
Por tek “evente” të tjera që ju ngjajnë panaireve të qëmotshme me të ngrëna dhe të kënduara shkojnë edhe vendasit edhe turistët shqiptarë apo të huaj. Nuk është ndonjë shpikje e madhe, por nuk duhet nënvleftësuar. Jeta e përditshme ka nevojë edhe për kërnace, birrë, lakror dhe aheng. Nuk mund të jetë vetëm ekspozita artesh vizive, koncerte sinfonike, apo festivale dramash dhe mbrëmje poetike.
E keqja e kësaj propagande bajate është dyfishe. E para krijohet përshtypja tek njerëzit se Turizmi është e ardhmja e Korçës dhe e “fshatrave përreth” dhe e dyta, që paraqitet si nivel kulturor dhe artistik në rritje, i një jete kulturore që sa vjen dhe shkon më teposhtë.
Edhe për turizmin, Korça e ka të domosdoshme të investojë në disa drejtime dhe që për mendimin tim janë:
Voskopoja duke kërkuar gjithnjë e më shumë fonde nga qeveria për restaurimin e të gjitha kishave dhe për të zhvilluar edhe veprimtari të tjera artistike dhe kulturore në to.
Investimet në zonën e Prespës për ta kthyer në një zonë të vërtetë të turizmit të verës.
Rritjen në maksimum të veprimtarisë të Muzeut Mesjetar me dalje të veprave të tij të jashtëzakonshm edhe jashtë mureve të atij Muzeu. Mund të jenë ekspozita të përkohshme në salla, në mjedise kishahsh të tjera, mund të jenë seminare rreth autorëve më të njohur dhe shumë veprimtari që tërheqin specialistët dhe turistët e huaj.
Duhet investuar më shumë në zona të thella malore si psh drejt Ostrovicës ose dhe luginës së Oparit, ku ka peisazhe interesante për të apasionuarit e turizmit malor.
Nëse do kënaqemi me numurin e vizitorëve vendas që rrinë në bujtinat e shumta për një fundjavë dhe kërkojnë “palo serenata” që më pas i kthejnë edhe në tallava, turizmi ka për të shkuar gjithnjë e më poshtë.
Këto karagjozllëqet e sajuara të karanavaleve në Qershor, bashkë me valltarët me maska që i sillen përreth Ramës ta ekzaltojnë ndërsa feston në Parku Rinia, janë nga ato “evente”, për të cilat vazhdimisht në Korçën e shekullit të kaluar është thënë që “t’i sjellin zorrët në gojë!”.
Edhe tek ngjarjet kulturore dhe artistike nuk duhet mbajtur asnjë shpresë. Edhe një festival si ai i MIK, që presupozohet të sjellë nivelin më të lartë të muzikës operistike dhe të bel kantos, dhe për të cilin shkojnë jo pak fonde të taksapaguesve në xhepin e Invas, ka katandisur si shfaqjet e dikurshme të cunguara, që Teatri i Operas duhet të jepte në ndonjë turne në fshat. Për të sjellë në qejf kooperativistët e lodhur nga korrja e grurit. Mbyllet edhe me një të kënduar nga 70 vjeçarja Zhani Sulioti, e cila nuk mund të dilte dot skenave kur ishte në kulmin e moshës dhe zërit të saj. Por sigurisht që ekzaltojnë Inva Mulën që mendon se ç’mund të investojë me paratë e fituara dhe Raqi Filon, që e sheh me gojë të hapur dhe nuk arrin të ndalë edhe ndonjë mushicë që i shkon deri në fyt.
Bëni diçka më me mend dhe më të mirë edhe për turizmin të dashur shokë hajna të PS-së!
Gjasat janë që të jeni gjatë në drejtimin e qytetit tonë.
Por nëse kini mjaft fantazi për të manipuluar fondet, vini një pjesë të saj edhe në shërbim të turizmit dhe të jetës kulturore.
Që mos ndodhë të nisni të këndoni në kor: “Do marr kazmën dhe lopatën, do vete t’i zbuloj varrë!”
No comments:
Post a Comment