Friday, 15 May 2026

Pse i duhej Shqipëria Kinës?


Një pjesë e një dokumentari mbi vizitën e Mehmet Shehut në Kinë në vitin 1966, dokumentar që nuk kam pasur rastin ta shikoj në atë kohë, më risolli në mendje një pyetje, që e kam bërë me vete kalimthi dikur “C’farë i duhej Kinës së Maos Shqipëria e Enver Hoxhës?” Pa u thelluar, i jam përgjigjur vetes se Partia e Punës ishte një megafon pro-kinez në Europë, ndaj edhe Kina jepte mjaft ndihma ekonomike në këmbim të propagandës që bënte Zëri i Popullit dhe Radio-Tirana.

Por “klipi” i dokumentarit, që tregonte një pritje më se madhështore të Mehmetit në Pekin më bëri të mendoj se kam qënë i gabuar. Ndoshta shumë më shumë se megafon i Partisë Komuniste të Kinës për europianët, Maos i duhej Enver Hoxha dhe Shqipëria për propagandën e brendëshme dhe për t’i treguar kinezëve se kishte mbështetje edhe nga të “bardhët europianë“. Ishte një pritje nga njëmilion njerëz e numurit 2 të një vendi me dy milion e gjysëm banorë! Nuk kam parë ato vite një pritje me aq shumë artistë, valltarë dhe muzikantë që luanin ndërsa ZIM-i i hapur me Mehmet Shehun dhe Cu En Lain vinte nga aeroporti drejt sheshit Tienianmen.

Miqësia e panatyrshme e dy vendeve komuniste nuk kishte të bënte aspak me mbrojtjen e marksizëm-leninizmit. Ishte përpjekja e Maos dhe Enverit për të qëndruar në krye të vendit të tyre dhe për të mos dhënë llogari për krimet e kryera, gjë që kërkohej nga të gjitha Partitë Komuniste të asaj kohe, pas reflektimit ndaj fjalimit kundër Stalinit në Kongresin e XX të PK të Bashkimit Sovjetik.

Mao dhe Enver Hoxha mbronin stalinizmin sepse nuk donin të “shkuleshin” nga postet e tyre. Dhe për këtë ishin të gatshëm të kryenin krime të tjera, të ngashme me ato që kishte bërë Stalini.

Në vitin 1966, Revolucioni Kulturor, një nga periudhat më të errëta të historisë së Kinës ishte në kulmin e tij. Ndërkohë edhe Shqipëria kishte nisur një Revolucion të ngjashëm, por që në të kundërtën e atij kinez, përveç ndalimit të praktikimit të fesë, pati një efekt pozitiv në jetën shqiptare. Ndihmat kineze e kishin përmirësuar ekonominë shqiptare dhe nuk ishte i nevojshëm terrori i egër. Madje filloi një frymë liberalizmi ku gratë dhe të rinjtë filluan të vlerësohen më mirë se në periudhat e mëparshme. U hoqën gradat në ushtri, por për këtë nuk i bëhej vonë kujt, veç oficerëve madhorë, të cilët humbisnin një pjesë të privilegjeve.

Pritja me aq tamtame, në kohën kur po goditeshin njerëzit më me vlera të shoqërisë kineze dhe kur një ksenofobi e hapur po aplikohej edhe ndaj Betovenit dhe Tolstoit është vërtet e çuditshme. Nuk ishte për konsum të jashtëm sepse kinezët e dinin mirë se sa rëndësi kishte Shqipëria e vogël në botë. Për disa vjet, Partia e Punës mbajti vendin e parë mes miqve të Kinës, deri në kohën kur filloi hapja e Kinës drejt vendeve të Botës së tretë, në përpjekje të Maos për tu bërë udhëheqës i tyre.

Ndoshta mbivlerësimi i Shqipërisë shpjegohet me një lloj mendësie prej skllavi që një pjesë jo e vogël e popullit kishte ndaj të bardhëve, që kishin sunduar në zonat e begata të Kinës për një kohë të gjatë para Luftës së Dytë. Ndoshta për këtë arsye i duheshin kinezëve portretet e të bardhëve Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu që ishin po aq stalinistë sa vetë Maoja dhe gruaja e tij, e cila ishte ndër udhëheqësit e Revolucionit Kulturor.

E megjithatë, sërish nuk arrij të kuptoj se pse duhet të harxhonte aq shumë burime monetare shteti kinez. Me të drejtë në vitin 1978 ata e denoncuan një marëveshje që kishte përfitues vetëm njërën anë. Atë të Enver Hoxhës mosmirënjohës.

E megjithatë, sho Enver as në Mao Ce Duni nuk kishte besim. Prej mbledhjes së 81 partive komuniste në Moskë më 1960, ai nuk udhëtoi më kurrë jashtë vendit me gjithë ftesat e shpeshta të shokëve kinezë dhe ndoshta edhe të të tjerëve. Edhe pse ishte Kina që i garantoi qëndrimin në pushtet deri në vdekjen e tij, pra 24 vjet të mira. Për të keqen tonë.

Ndonëse në politikën e jashtme nuk ka mirënjohje, por ka veç interesa, duhet thënë se një Drejtues shteti që jep shënja mosmirënjohjeje disa herë me vende të ndryshme, humbet çdo kredibilitet. Ndoshta kjo ishte arsyeja që Amerika dhe Anglia nuk i dhanë përkrahje Hoxhës, kur ja u kërkoi sa u prish me Hrushovin. Përgjigja ishte, që duhej të largohej nga posti edhe pse propozimi shqiptar ishte që Shqipëria të ndiqte modelin Jugosllav të socializmit.

Shënja të një drejtuesi shteti pa asnjë princip diplomatik dhe pa ndjenjën e mirënjohjes e ka për fat të keq edhe i jati i Zahos. Edhe pse hidhet sa në një vend në një tjetër, duket që Shqipëria po izolohet gjithnjë dhe më shumë dhe po e humbet besueshmërinë.

Por diktatorët nuk kanë mirënjohje ndaj askujt!

Sot thurrin lavde nga më zorrëpërzjerëset për një udhëheqës të huaj dhe të nesërmen mund ta pështyjnë.

Enveri ishte gati të pështynte Maon kur priti Niksonin në Kinë. Por nuk mund ta bënte publikisht ndaj na hyri mirë me dru dhe plumb të gjithë neve, që na kishte në zap.

Pastaj pështymat u hodhën mbi Tenin e shkurtër, por ishte shumë vonë. Nuk i jepte më ndihmë askush. Veç puthadorësve të tij, ku hynte dhe Kadareja, që shkruante “Koncert në fund të dimrit:.

No comments:

Post a Comment