(vijim)
Rastësisht, Fotini Allteni Kokeri ka emigruar nga Shqipëria në të njëjtin vit me mua. Ajo në SHBA pasi kishte fituar llotarinë amerikane të emigrimit dhe unë me “llotarinë e Kanadasë“. Duhet të jetë rreth 10 vjet më e vogël se unë, se në një nga 5 pikat kulmore të jetës së saj, që ka shkruar në faqen e saj fotiniallteni.org, është pjesëmarrja në Ballkaniadën e vitit 1986 si pjestare e ekipit kombëtar të basketbollit të të rejave të Shqipërisë.
Eshte vertet për të admiruar se si një nënë e re me dy fëmijë, me asnjë njohuri të anglishtes, kthehet brenda 12- 13 vitesh në Amerikë në një filantrope të shquar. (Dua të sqaroj për lexuesit, që nuk krahasoj “rrugëtimin” e saj me timin ose të të njohurve të mij në SHBA dhe Kanada.)
Në një video të bërë po nga Fotinia me rastin e një “gala” (sërish dalin të dyshimtat gala) ku do i jepej një çmim për arritjet në Filantropi, filantropja shqiptaro amerikane tregon shkurtimisht se si ka arritur deri tek çmimi i madh. Ka disa gjëra të dyshimta, që më bëjnë mos kem besim të plotë tek Fotinia dhe që përshkruajnë një kohë, të cilën unë e kam jetuar. Në fëmijërinë e saj, vajza e vogël shqiptare mblidhej me kushërinjtë e të njëjtës moshë dhe “prodhonin” vetë lodrat dhe veshjet e tyre. Kjo duhet të ketë qënë rreth fundit të viteve ‘70 dhe unë nuk di që një gjë e tillë të ketë ndodhur në ndonjë skaj të Shqipërisë. Më pas ajo shton se pasi pa Greqinë më 1986, filloi të vinte hapur në dyshim sistemin në Shqipëri që e kishte lënë vendin aq të varfër. Pak më pas (pra rreth 1987) kur vazhdimisht kishte këtë inat brenda vetes, i jati mësues e trembte se do përfundonte në burg ose e internuar bashkë me familjen! Ishin vitet e fundit të Diktaturës dhe kur thuajse askush nuk dënohej më për agjitacion dhe propagandë. Njerëzit kishin nisur të flisnin më hapur mes tyre dhe në rrezik mund të ishe vetëm po të dilje mes sheshit dhe të thërrisje se komunizmi ishte i dështuar.
E megjithatë, këto gënjeshtra të vogla, nuk e errësojnë dot figurën e Filantropes së madhe me një buzëqeshje të madhe, e cila në jetë ishte udhëhequr vetëm nga idea që t’ju jepte fëmijëve të saj shkollimin më të mirë. (Nuk kuptohet as se ç’lloj shkollimi ka pasur në Shqipëri vetë Fotinia, që ishte e përkushtuar kaq shumë ndaj atij të fëmijëve të saj.)
Fati, kaq i rëndësishëm në jetë, e solli të takonte një grua hebre të pasur në Nju Xhersi, Elin Kosloski, miqësia me të cilën ndryshoi jetën e Fotinisë dhe e futi në rrugën e bukur të filantropisë.
Duhet të hap një parantezë, që shumë njerëz të pasur, të cilët i kanë bërë paratë me biznese të ndershme por edhe të dyshimta, lënë shpesh pronat dhe paratë e tyre në fondacione pas vdekjes, duke lënë jashtë trashëgimisë të afërmit, ose duke ju lënë më pak. Qëllimi është vërtet për tu përgëzuar, se të gjitha arritjet materiale të siguruara nga puna e rëndë, ja rikthejnë bashkësisë nëpërmjet fondacioneve filantropike. Të tilla janë edhe dy fondacionet Kosloski, drejtuese e të cilave është Fotinia jonë.
Dhe jo vetëm që është plotësisht e angazhuar vetë në punën e saj për të kontribuar për Shëndetsinë, Arsimin dhe Mbrojtjen Kulturore, por në bordet drejtuese ka përfshirë edhe dy fëmijët e saj tashmë të rritur dhe të studiuar më së miri, si ka qënë qëllimi i jetës së nënës së tyre.
Dy fondacionet kanë bërë një punë të admirueshme jo vetëm në Florida dhe Nju Xhersi, por edhe në Shqipëri. Në këtë të fundit veçanërisht në fushën shumë të rëndësishme të Shëndetsisë.
Por Filantropët qëndrojnë larg politikës. Ata ndihmojnë pa u ndjerë, bujarisht dhe pa prekur shkaqet se përse spitalet në Shqipëri kanë nevojë për ndihmën e tyre. Se nuk po ndihin të ketë ujë të pishëm në Etiopi apo për të ndërtuar një spital në Angola, ku ka varfëri të madhe dhe rrjet jo të shtrirë shëndetsor, por pikërisht në Shqipëri ku korrupsioni në shëndetsi është galopant dhe gëlltit fonde që mund të bëjnë 100 herë më shumë se ç’mund të bëjë Fotinia me fondacionet e saj.
Dhe jo vetëm që këta Filantropë nuk thonë ose shkruajnë asgjë për shkaqet pse spitalet e Shqipërisë nuk janë në gjendje të mirë, por dalin edhe në foto me funksionarë qëndrorë apo vendorë, të cilët janë përgjegjësit për gjendjen jo të mirë të spitaleve.
Fotinia shkon edhe në Korçë edhe për të mbështetur Inva Mulën në MIK festival, që është një aferë e hapur korruptive. Sopranoja jonë e shquar merr një shumë të majme nga paratë e taksapaguesve korçarë për dy tre ditë të atij festivali dhe në këmbim del me video në fushata zgjedhore për të mbështetur Niko Peleshin dhe Raqi Filon.
Po e mbyll këtë shkrim duke përsëritur se nuk dyshoj për ndershmërinë dhe transparencën e RH Scholarship apo Fondacioneve Kosloski. Por në këtë botë, të thurrur me mijëra fije ku është vështirë të ndash të Mirën nga e Keqja, të Ndershmen nga Mashtrimi, korrupsioni tek organizatat jofitimprurëse nuk është e thënë të bëhet thjesht duke mbushur xhepat me para të dhuruara apo të lëna trashëgim. Eshtë edhe korrupsioni ku ju “bën fresk” qeverive apo elitave, për tu ndjerë se edhe ti je pjesë e tyre dhe për të dalë mediave dhe “galave” me veshje luksi dhe një buzëqeshje të rreme në fytyrë.
Ndaj dyshoj tek këto “jo fitim prurëset” dhe motivet e njerëzve që i drejtojnë.
No comments:
Post a Comment