Wednesday, 6 May 2026

Unë dhe Korbi - poemë (4)

 

* * *


Kokën luajti rrëmbimthi në një t’vetëm çast

Dhe sfondit shqoi profili i tij i mprehtë

Sqepi i verdhë, i fuqishëm me një pikëz gjaku

S’doja as një grimcë të humbja nga ai rast

Ndaj pa lëvizur muskul u ngujova tek pragu.

“Do e thotë tashmë Kumtin.

Të shtojë të mistershmen është e kotë.

E kupton që pa u tutur po e pres Fundin

Edhe pse dua sa më shumë të vërteta të di,

Para se të ik nga kjo Botë.”

Ai sqepin hapi dhe lëshoi një “Krrauuu...”

Klithmë që mureve të erës u përplas

Si një piskamë therrëse Luginën përtej çau

U duk se u përkulën mështeknat

Panja e madhe që më bën hije verës

Në trungun e vjetër, nga del lëngu ngjitës, keqaz u plas.

Dukej që ishte i Përtejmë

Ai shpend i madhërishëm me forcë magjie

Që me një të vetme krakaritje

Drurin e fortë gjithë nyje dhe fije

Në dysh e ndante dhe prej tij nxirrte

Dhjetra dhe dhjetra botë, të vocërra por në rritje.

Në gjithsejcilën syresh

Si të përthyera në një prizëm shihja dritë,

Të dhimbshmet dhimbje të viteve shihja,

Dyzimet, thashethemet, kërcënimet dhe shpifjet

Ato që pata kaluar në të hershmet ditë.

“Ndale shpend i mallkuar!

Ndale këtë të llahtarshme magji,

Ku kujtimeve më shumë ngjyra ju jep;

Ku përjetoj ato çka kam dashur të fshija,

Ku sendërtohet tmerri që hoqa në rini!”


* * *

No comments:

Post a Comment