Unë nuk e njoh Fugën. Gjithashtu nuk kam asnjë dëshirë që të shoqërizoj emrin tim me emrin e profesorit, për tu ndjerë i rëndësishëm, por nuk dija si ta titulloja shkrimin që ka qëllim vetëm të tregoj se bota shqiptare është e vogël.
Lidhja tepër periferike, u krijua në çastin kur pashë se kishte postuar diçka rreth 105 vjetorit të nënës së tij Shpresa Fuga. Ishte një emër i njohur për mua dhe nuk besoj se bëhet fjalë për një Shpresa Fuga tjetër. E kisha hasur në disa dokumenta, që bujarisht m’i pat dërguar një mikja ime dhe që kishin qënë në Arkivin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Mendova se ç’mund të kishte relatuar në Komisionin e Revizionimit (po e shkruaj po nuk jam i sigurt a ekzistonte në vitin 1950 ky Komision) në administratën qëndrore të partisë së komunistëve për ankesën e babait tim, Andon Mara, që ishte përjashtuar nga Partia nga Pleniumi i Partisë së rrethit të Korçës.
Ndoshta bëj disa lidhje në mendje që janë krejt të panevojshme, se Artan Fuga si karakter mund të mos ketë asnjë lidhje me të ndjerën Shpresa Fuga, të cilën e kishte dërguar Partia në Korçë, të verifikonte ankesën e një anëtari partie, i cili kishte qënë mes 1000 komunistëve të parë.
Fuga, një akademik, i cili është i pranishëm në të gjitha llojet e mediave, më duket dikush me njohuri jo shumë të thella për një akademik dhe as leksionet që ka dhënë në univerisitetet e Francës, nuk më bind se është filozof i vërtetë. Më është dukur dikush me njohuri të sipërfaqshme, që ka aftësi të shkruajë, por që është tepër i fryrë dhe që dëshëron të bjerë në sy. Por observimet e mija tepër të cekëta nuk është e thënë se mund të jenë pranë të vërtetës. Përgjithësisht gaboj në konstatimet e para. E megjithatë kjo nuk më pengon t’i kërkoj të falur Fugës dhe lexuesve kur të bindem se jam thellësisht i gabuar.
Duke u kthyer në ngjarjen e vitit 1950, për të cilën as im atë nuk ka psur dijeni, se do e kishte përmendur ndonjëherë, më duhet të them se Shpresa kishte bërë biseda për çështjen me shumë anëtarë partie të cilët e njihnin Andonin. Dhe jo vetëm me funksionarët e Komitetit të Partisë që kishin këmbëngulur ta përjashtonin.
Sipas përmendjes që bën i biri, se këto ditë ishte 105 vjetori i lindjes, duhet të ketë qënë një grua 29 vjeçare, një vit më e madhe se babai im, e cila duhet të raportonte për diçka që ishte thuajse “jetë a vdekje” për një komunist 28 vjeçar në ato kohë. Andon Mara kishte bindje komuniste, të cilat i ishin forcuar prej vitit 1941, kur për herë të parë, shoku i tij i Liceut, Muharrem Frashëri e kishte nxitur të mësonte më shumë rreth marksizmit. Ishte në natyrën e tij të lexonte dhe të krijonte bindje në bazë të asaj që i dukej e llogjikshme. Ato që kishte lexuar e kishin bindur se bazuar në atë ideologji, njerëzit mund ta bënin botën më të mirë. Largimi nga Partia, më shumë se sa rreziku i një represioni të mundshëm, e largonin atë nga mundësia për të punuar për të realizuar bindjet e tij. Nuk kishte synuar kurrë të bënte karrierë, madje ishte larguar nga Tirana për të jetuar në Korçë.
Shpresa ndoshta kishte bërë një shkollë të mesme të mirë dhe ndoshta edhe ndonjë Universitet në vendet e Lindjes, ndonëse koha prej bursave të para (1945) dhe deri në vitin kur ushtronte verifikimin e ankesës, duket e pamjaftueshme që të ketë kryer studime të larta. Ndoshta edhe komunizmin e njihte dhe e donte po aq sa im atë. Sepse Fuga nuk është mbiemri i saj, dhe më duket se i shkon më shumë, djalit të saj filozof, Artanit.
Si e përmemenda më lart, raportimin e saj nuk e kam lexuar dot, por më është krijuar përshtypja se ka qënë përgjithësisht pozitiv me disa vërejtje. Kjo nga ç’kam lexuar shënimet e saj të bashkangjitura në dosje, nga bisedat me ata që kishte pyetur. Dhe nëse ka qënë kështu, dëshmon se ka qënë një grua me mend dhe njëkohësisht me sensin e të drejtës. Nuk kishte asnjë njohje me babanë tim dhe ndoshta nuk e ka takuar kurrë.
Ka dhe një arsye tjetër, që më bën të mendoj se raportimi nuk ka qënë negativ. Komisioni që e pat shqyruar më vonë të gjithë dosjen e plotë, pat përgatitur materialin për Byronë Politike, që vendimi i Pleniumit të Partisë për Korçën të hidhej poshtë dhe Andon Mara të rikthehej si anëtar partie me të drejta të plota.
Por dikush ose disa në Byronë Politike e patën kundërshtuar materialin dhe përfundimisht im atë mbeti jashtë asaj partie. Për tu ndjekur shpesh i përndjekur, por edhe me fatin e madh që mos e pësonte më keq, për shkak të natyrës jokonformiste që kishte.
Edhe Artan Fuga duket jokonformist, ndonëse nga sa i kam lexuar, nuk arrij të kuptoj se ku nis principialiteti i tij dhe ku përfundon dëshira për tu dukur dhe për tu bërë Kryeakademiku shqiptar.
Dikush, që e ka njohur nga afër, disa vite më parë më ka thënë kur e kemi zënë në gojë; “Mos kujto se është i ngjashëm me ty!”
Dhe sigurisht që nuk është. Artan Fuga është filozof dhe akademik. Kudo në televizione dhe rrjetet sociale i drejtohen me nderim profesor, profesor.
Dhe në përfundim dua të shtoj se kjo ishte lidhja ime shumë shumë shumë periferike me prof. Fugën.
Nëna e tij e ndjerë, kujtimin e të cilës dua ta nderoj dhe të ritheksoj se mbiemri Fuga i Shpresës, nuk ishte mbiemri i saj i vajzërisë.
No comments:
Post a Comment