Një shoqja ime më tregonte para disa ditësh, që në Facebook, i cili është i mbushur me vlerësime për të gjallët dhe të vdekurit, qarkullon edhe shprehja “Je Kolloz!” dhe u zilepsa. Se nuk dua të më thonë as “respekte”, as “ikonë“, as “legjendë“, por po të më quanin “Kolloz” do ndjehesha vërtet “i plotësuar”, Se nuk mund të jesh më shumë se Kolloz. Disa parapëlqejnë ta shkruajnë Kolos ose Kollos, por mua më pëlqen varianti me z në fund. Me të i ke thënë të tëra.
Se mendo sikur të më drejtoheshin me shprehjen “je Kolloz i letrave”, apo “O Kolloz i mendimit karakteristi korçar” apo akoma më tepër “O Kolloz i arkitekturës ishbashkëkohore!” Sa bukur do tingëllonte!
Vlerësimi me këto emra të përgjithshëm nuk është i ri dhe aq më pak i periudhës së mediave shoqërore. Në shkollë, një bashkëstudent i imi ju drejtohej të tjerëve me shprehjen: “Po ku je o Kuadro!” dhe kjo ngjiti, sa unë edhe sot i drejtohem me “kuadro”. Po ashtu një ortaku im ju drejtohej të njohurve dhe të panjohurve me cilësimin “Figurë“ dhe me këtë ishte brenda se nuk kishte nevojë t’ju sqaronte se nuk ja u mbante mend emrin dhe se do ja u harronte sakaq edhe po t’ja theshin. Me të papërcaktuarën “figurë“ ishte brenda se me përkëdheli ju kishte thënë se ishin njerëz të njohur dhe me vlera. I gjithë qyteti e dinte këtë dhe e quante “Leko Figura”. Veç një kryetari komune, që nuk ishte i sigurt për fjalën dhe që poshtë shtëpisë i thërriste që të dilte në dritare “O fytyrë! O Fytyrë!”
Po gradat “kuadro” dhe “figurë“ unë i kam marrë në rini dhe tani nuk mund të pranoj asnjë tjetër veç “kolloz”.
Se edhe të tjerat më të larta se dy të parat dhe që janë “ikonë“, legjendë“, “gjigand” dhe “faktor” janë bërë aq bozë sa nuk më duken të vlefshme për profilin tim profesio-intelektual.
Por kur mendoj se krahasohem me atë të Rodosit, në shalët e të cilit kalonin anijet stërmëdha me vela atëhere miklohem, ndjehem Dikushi dhe them se mund të kem një vend në historinë e Dusharit, fshat nga i cili e kam dhe origjinën.
“Kollozi nga Dushari” mund të shkojë shumë mirë, pa përcaktuar se në cilën fushë të mendimit, shkencës apo aplikimit unë jam ngritur mbi supet e Kollozëve të tjerë.
“Si shumë po kërkon” do hidhet menjëherë avokati im dhe do më kujtojë se askush nuk më mban as për “kuadro” se në të kundërt do më kishin “dhënë akses” në fondet e Bibliotekës “Thimi Mitko”. Dhe vërtet, tani që po e mendoj “hollë hollë“ unë nuk kam aspak famën e një “Kollozi” as në qytetin tim dhe aq më pak në Qarkun e Korçës, ku përfshihet edhe Dushari ku ka lindur gjyshi. Se po të kisha edhe pakëz nam, Kryetari i Këshillit të Qarkut do kishte vënë një postim në Facebook ku të më uronte ditlindjen me tekstin e përafërt: “Si sot lindi në Korçë kollozi i mendimit kritik korçar, që me punën e tij ka nderuar fshatin Dushar të origjinës, lagjen nr 7 ku ka jetuar dhe më gjërë.” Dhe këtu nuk kishte as përse të përplasej me gruan e tij që qëlloi që është Drejtore e Bibliotekës, se në shkurt unë nuk kisha bërë asnjë kërkesë për “akses” në dosjet e digjitalizuara.
Por kjo nuk do më detyrojë që të pajtohem me cilësimet “ikonë“ apo “faktor”. Ose të më thërresin Kolloz o hiç fare! (Se dhe kam vuajtur pak nga kompleksi i Napoleonit në rininë e hershme.)
Po qe se shumë shpejt ja arrij ta fitoj këtë cilësim mendoj se do e kem më të lehtë të fitoj edhe në zgjedhjet e ardhme për përfaqësues i popullit në Parlament. Se psh deputetin më të famshëm nga Korça, zotin Tedi Blushi nuk kam dëgjuar ta quajë njeri “kolloz”.
Nuk mund të kënaqem me pak!
Nuk jam as Jovan Bregu, për të cilin i biri theshte me gojën plot “vdes për tu bërë njëçiçkë magazinjer!”
Magazinjerllëkun ja kisha lënë Selkës dhe Habibit që në të mesme, sepse unë synoja la e më la.
Dhe do t’ja arrij një ditë!
Edhe ju të gjithë do më shkruani në komente:
“Ku je o Kolloz!”
No comments:
Post a Comment