Thursday, 14 May 2026

Lufta e Iranit – një biznes shumë ftimiprurës


Ka shumë kritikë të Trump, që e quajnë Luftën e Iranit një marrëzi për interesat amerikane dhe që Bibi Netanjahu e heq për hunde “njeriun me fytyrë portokalli” në një luftë që është kryekëput në dobi të Izraelit. Përmenden shpesh edhe ndikimi i AIPAC dhe i gjithë lobit amerikano-çifut në futjen e SHBA-së në këtë luftë. Shumë të tjerë ju kanë rënë këmbanave të alarmit se kjo luftë e re jo vetëm që do e zhysë shtetin amerikan më thellë në borxhe, por do sjellë edhe një krizë ekonomike jo të vogël.

Unë mendoj se me gjithë gomarllëkun që Trump dëshmon në shumë fusha të politkës, të shtetformimit apo edhe të jetës së zakonshme, ai për sa i përket fitimit financial personal dhe të miqve të tij nuk është aspak budalla.

Lufta e tij e fundit është një biznes gati i përkryer.

Në përgjithësi luftrat janë shumë fitimprurëse për ata që kontrollojnë politikën dhe biznesin, Në një kohë të shkurtër shpenzohen shuma marramendëse nga thesi i taksapaguesve. Ndaj edhe kjo luftë, që mund të duket se nuk përputhet me interesat e SHBA, është në përputhje me interesat e atyre që zotërojnë miliarda. Ndaj dhe janë të pakët zërat kundër luftës mes super të pasurve.

Po jap si shembull vetëm treguesin Dow Jones, një nga tre kryesorët e Bursës amerikane. Majin e kaluar ishte diçka më shumë se 42000 kurse dje ishte 49500. Në kulmin e luftës dhe kur amerikanët po paguajnë gati dyfishin e benzinës dhe të shumë produkteve të tjera ushqimore. Super të pasurit po fitojnë jo vetëm duke investuar miliarda në kompanitë që prodhojnë armë, por dhe duke i lëvizur investimet e tyre sa në një lloj aksioni tek një tjetër, në varësi të shanseve për të vazhduar lufta apo jo. Po bëjnë miliarda edhe nga investimet në naftë dhe kimikate, të gjitha këto të varura nga hapja dhe mbyllja e ngishticës së Hormuzit.

Familja Trump është mes atyre që kanë bërë miliarda gjatë këtyre muajve të fundit.

Ndaj është miopi të thuash se Trump është nën kontrollin e Izraelit apo se republikanët në Kongres apo Senat janë burracakë. Janë nga këta “sherr budallenjtë“ që hiqen sikur janë për Amerikën dhe Paqen, por janë thjesht për të fituar për vete dhe veçanërisht për të fituar ata që ju kanë financuar fushatat elktorale.

Por “The Donald” di gjithashtu se çdo luftë nuk gëzon popullaritet mes njerëzve. Ndaj edhe dy herë që hyri në zgjedhje hyri me flamurin e kundërshtarit të konflikteve të armatosura. Kjo gënjeu shumë e shumë amerikanë, por edhe përkrahës të Trump kudo në botë. “Ky është i ndryshëm nga presidentët e tjerë amerikanë“- u ngutën të theshin shumë që e quajnë veten “të djathtë deri në vdekje”.

Por një njeri që yllin polar të tij ka pasur që në fëmijëri “fitimin me çdo kusht” nuk mund të lerë që t’i shpëtojë ajo mundësi që të jepet rrallë në jetë- të mund të shpallësh luftë si biznes të sigurt dhe me fitime përrallore të shpejta.

Djhe kështu ndodhi posa hipi në fron. Pa kaluar as dy muaj Trump lëshoi raketa në shumë vende të Lindjes së Mesme. Dhe raketat si dhe sistemet për mbrojtjen prej tyre kushtojnë shumë. Pagesat bëhen nga buxheti i shtetit.

Por më tepër se Trump, mua më tmerron një “mpirje” e opinionit publik botëror në reagimin kundër kësaj lufte. Sa për Bashkimin Europian nuk kam asnjë besim se është një kundërshtar efikas kundër luftës. Përpëlitjet e vendeve europiane dhe zhurrma ishin shumë herë më të mëdha kundër tarifave të Trump gjatë vitit të kaluar, se sa ndaj luftës së çmendur kundër Iranit. Të gjithë po marrin nga një pjesë nga buxhetet e luftës së Amerikës. Izraelit dhe Iranit duke ju shitur armë dhe mjete ushtarake.

Po a mund të dilet ndonjëherë nga ky rreth vicioz i luftrave të përhershme?

Në këtë shekull jo e jo, por nuk e di as nëse Njerëzimi do jetë në gjendje të ngrerë Institucione të forta që të mbrojnë Paqen. Kombet e Bashkuara jo vetëm që kanë dështuar tradicionalisht, por tani edhe roli i tyre i dobët është bërë i papërfillshëm.

Trump është presidenti më “idiot” amerikan sepse as e fsheh që është duke punuar për interesat e tij dhe të super të pasurve të tjerë. Në nëntor, fuqia e tij ka për tu kufizuar dhe ndoshta do ndjekim një periudhë të përpjekjeve të demokratëve për ta hequr si President. Por jo vetëm që dëmi është bërë, por edhe Presidenti i ardhshëm amerikan që në mënyrë demagogjike do dënojë luftën e Iranit dhe që do premtojë begati për klasën e mesme amerikane, do vazhdojë në mënyrë të kamufluar të nëjtën politikë. Që mund të mos përputhet me intersat amerikane por ju shkon shumë për shtat jo vetëm grupit industrialo-ushtarak, por edhe të gjithë miliardierëve të tjerë.

Lufta është biznes shumë i mirë dhe për fat të keq kjo Botë vetëm biznesin ka në mendje.

No comments:

Post a Comment