Në Barcelonë ka shumë “bukuri” që lidhen me konceptimin e hapësirës brenda qytetit dhe me ndërtimet e saj. Mundet të zgjatesh e të zgjatesh duke përshkruar karakteristika të lagjeve të saj, si dhe të objekteve të veçanta duke filluar me ato të 200-300 vjetëve më parë e duke vazhduar me ndërtimet moderne. Por diçka, që nuk e kisha hasur në ndonjë qytet tjetër, më la më shumë mbresa se Sagrada, Casa Gaudi, madje edhe se pavioni i Van der Rohes.
Ishte një kompleks shëndetsor, bashkë me disa klinika dhe objekte të tjera ndihmëse. Quhej Hospital del Mar (Spitali i Detit). Ishte pak më tej se plazhi Barceloneta, më pranë detit se rrugët që projektohen në qytetet shqiptare dhe që në një mënyrë “majmunore” quhen Lungomare. Plazhi që i përkiste spitalit dhe ndërtimeve më pas tij quhej Sorromostro. Nga rëra, ku njerëzit shkonin dhe nuk kishte as shezlongje dhe as çadra për të paguar, e ndante një trotuar i gjërë , që shërbente edhe për hyrjen e këmbësorëve në spital dhe në klinikat, por kryesisht për shëtitjen e të gjithë atyre që donin të shijonin bukurinë e detit në çdo ditë të vitit. Po në atë trotuar dilnin të sëmurët duke ecur vetë ose në karriget me rrota të shoqëruar nga infermieret ose të afërmit. Shijonin diellin që nuk ndahej thuajse gjithë ditën dhe bukurinë e Mesdheut. Në plazhet e bukur Sorromostro dhe Barceloneta.
Pak më tej një kompleks ndërtimor tepër modern, për të cilin i nisur nga shabllonet që kam në kokë për zonat turistike, mendova se do ishte një qendër e madhe tregëtare, por në të vërtetë ishte një Institut Sudimor i quajtur “Parc de Ricerca Biomedica”. I projektuar me shumë shije dhe besoj se luan rol në studime për trajtime mjekësore të mbështetura jo në “Kimia”, por edhe në mbrojtjen e ujërave të detit më të rëndësishëm në glob.
Nuk kishte asgjë spektakolare në arkitekturën e Spitalit të Detit. Nuk di as se ç’lloj hapësirash dhe sa të këndëshme ishin për pacientëtë dhe personelin në brendësinë e tij. Nuk u përpoqa ta vizitoja. Por mrekulluese ishte idea, që për një nga shtresat më delikate të një qyteti dhe që janë të sëmurët, bashkësia qytetare kishte rezervuar një nga vendet me pamjen më të bukur dhe që ishte e ekspozuar ndaj diellit dhe ajrit të pastër gjithë ditën. Për t’i bërë të sëmurët të ndjeheshin psikologjikisht më mirë. Për të bërë që të shëroheshin më shpejt. Shumë nga dritaret e dhomave të tyre shihnin detin.
Ato 100-130 metra, ku shtrihej kompleksi i Spitalit të Detit përgjatë plazhit nuk ju ishin “shitur” korporatave që kanë në pronësi hotelet turistike. Nuk ishin lënë për të krijuar komplekse dëfrimi pranë plazhit (më tej kishte dhe të tilla dhe ishin më të famshmet në Barcelonë). Por ju ishin lënë njerëzve që vuajnë, ku nuk hyjnë vetëm pacientët por edhe familjarët që i vizitojnë. Shërbimi me autobuz qytetës deri tek dera e spitalit ishte jo vetëm i shpeshtë, por edhe disa orë pas mesnate, për të rifilluar më 5 të mëngjesit.
Këto më silleshin nëë mendje ndërsa lexoja rreth projekteve të Kullave stërmëdha që priten të nëdërtohen në plazhet e Vlorës, Velipojës dhe Sarandës. Përmenden edhe Golemi me Qerretin, por i gjithë plazhi nga Durrësi në Kavajë është tashmë “i mbaruar” dhe shtimi i kullave vetëm sa do shtojë shëmtinë dhe kaosin.
Kullat patjetër do jenë hotele ose banesa kolektive me apartamente të shtrenjta. Nuk mendon njeri për të ndërtuar spitale në breg të detit në Shqipëri. Ndoshta nëpunësve të lartë dhe të mesëm mund edhe t’ju duket një ide idiote nëse një urbanist apo një mjek ja u përmend.
Shqipëria po kalon një periudhë të një kapitalizmi të egër dhe tejet të korruptuar, ku asgjë nuk është tashmë pronë e banorëve të saj. Sa vjen e më shumë hapësirat publike sakatohen dhe ju jepen të ashtuquajturve oligarkë, trafikantëve të drogës dhe korporatave të huaja. Tashmë edhe deti. Nëse do kishin edhe një pjesë të diellit edhe atë do ja u kishin shitur. Thuajse e kanë shitur dritën e tij që bije qyteteve shqiptare.
A po arrin fundi, ku nuk mban më?
Nuk kam imagjinatën e nevojshme të mendoj se deri ku mund të shkojë “tahmaja” e këtij grupi mafiozësh që kanë në kontroll Shqipërinë. Ndoshta po të arrij ta kuptoj edhe mund të kem probleme serioze të shëndetit mendor.
Por ndoshta do më pranojnë të kurohem në Spitali i Detit pranë plazheve Sorromostro dhe Barceloneta.
No comments:
Post a Comment