Nuk them dot se u nguta kur bëra disa vëretje dhe sugjerime për këngën “Nan”, por pasi e dëgjova për herë të tretë dhe pashë edhe mallëngjimin e të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, një si shuk mu mblodh në grykë dhe mendova se diçka duhet të bëjmë për të gjitha nënat e mbetura vetëm. Veçanërisht për ato, që nuk dinë me siguri se kur do ju kthehen bijtë e bijat.
Ndaj dhe pata një shkëndijim në tru, se do ketë një mbështetje mbarëpopullore, po të hedhim disa hapa për të forcuar unitetin kombëtar dhe për të kthyer buzqeshjen në zemrat e nënave që vuajnë.
Më dolën para syve nënat e shumëvuajtura të Ilir Metës, Erion Veliajt, Alqi Bllakos, Lefter Kokës dhe gjithë atyre që akuzohen se kanë vjedhur, pro nuk ju është provuar fajësia në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Nuk ka përse mos mos shpallet menjëherë një amnisti e quajtur “Nan” dhe të falen të gjithë emrat e sipërpërmendur dhe shumë e shumë të tjerë, që kanë bërë krime “të falshme”. Sigurisht që duhen përjashtuar të dënuarit për vrasje, pedofili dhe ndonjë krim tjetër shumë të rëndë. Të tjerët, të shkojnë të gjithë në shtëpitë e nënave dhe të mos ndiqen më penalisht.
Kur ne sehirxhinjve na “i këput shpirtin” pamja e Ilir Metës apo lotët e Mirlindës, mendo se ç’heqin nënat e shkreta të tyre. Gjithashtu do ishte një dhimbje kombëtare që Bert Ndrenika 83 vjeçar të shkonte për të bërë burgun e mbetur të Lali Erit. Ose nëna e Monikës, që vuna jo vetëm se sheh të bijën në bangën e të akuzuarve, por është edhe vetë e akuzuar.
Nuk di nëse “Tigrit” i rron ende nëna, por edhe nëse është jetim, përsëri do ishte e mrekullueshme të kthehej i pafajshëm dhje triumfator tek Nëna Shqipëri. E kështu plot të tjerë si Agasi, Mërtiri dhe ca emra të tjerë, që organet e drejtësisë po i përndjekin pa menduar se kanë një nënë që i pret.
Shqipëria ka nevojë për Mirësi dhe Paqe në rrugën e gjatë dhe të mundimshme drejt Europës. Dhe Mirësia nis duke falur “Më të mirët”, që për arsye krejt njerëzore ju dorëzuan tundimit dhe vodhën pakëz nga pasuria e përbashkët. Por edhe nëse nuk ishte pakëz, nuk ka pse të krijojmë këtë tension dramatik, ku nënat i kanë sytë nga dyert e SPAK ose nga televizionet ku komentojnë analistët dhe gazetarët e pashpirt.
Se ishin pikërisht këta analistë dhe gazetarë, që “shkatërruan” zonjën e AKSH-it, që kishte drejtuar me profesionalizëm dhe ndershmëri një institucion që na ka renditur edhe para Gjermanisë. U desh nëna Grida Duma (apo Grida nuk ka fëmijë) , që t’i jepte mundësinë zonjës Karçanaj të pastronte baltën e hedhur. Kur ishte mundësia që të mos akuzohej sepse është nënë dhe ka edhe një nënë që e pret.
Mendoj se nëse bëhet një sondazh online për “Amnistinë Nan” unë mendoj se shqiptarët do votojnë në bllok pro saj. Edhe më shumë se ata që votuan për numurin 13 në eliminatoren e Eurosong dhe që nuk u tutën se 13-ta është numur ters.
Unë kam bindjen se efekti i kësaj amnistie do jetë i jashtëzakonshëm për shoqërinë shqiptare. Tingujt e këngës “Nan”, që duhet luajtur rregullisht në televizionet dhe radiot kombëtare, do zbutin shpirtat e njerëzve dhe do bëjë të kthehen Luli me të larguarit e tjerë tek Nëna Sali, si dhe të gjithë socialistët e pakënaqur tek Njerka Edi.
Kjo frymë paqeje, faljesh dhe bashkëpunimi do sjellë përparimin e pashmangshëm të Shqipërisë dhe do bëjë të kthehen në mos të gjithë, por 90% të emigrantëve të 35 viteve të fundit. Ndoshta nuk do jetë e nevojshme as të dërgohet Monda Bulku nëpër Europë që të luajë rolin e nënës me xhamadan.
Gazi dhe hareja do ulen këmbëkryq në shtëpitë e shqiptarëve dhe ndoshta edhe në shtëpinë e avokatit Vishaj, ku “për momentin” është ulur këmbëkryq Vetmia.
Më pas?
Të gjithë do bëjnë nga shumë fëmijë, se nuk do kenë më frikë se kur t’ju bëhen krahët do ikin të jetojnë nëpër botë.
No comments:
Post a Comment