Ka ndodhur arrestimi i një kirurgu në Korçë, i paraqitur në shtyp si “ngacmim seksual” dhe që ka bërë bujë edhe në rrjetet sociale. Unë nuk e njoh kirurgun dhe nuk marr përsipër të jap ndonjë mendim për rastin e tij dhe nëse është apo jo fajtor. Ka institucione që merren me atë punë.
Por për aq sa e njoh vendin tim dhe nga sa vazhdoj të dëgjoj, them se është një problem shumë i madh i shoqërisë të prapambetur shqiptare. Edhe në mënyrën se si paraqitet rasti Nunka në shtyp, e quaj si reflektim i mendësisë shqiptare.
Nëse mjeku akuzohet për prekje t[ panevojshme në pjesët gjenitale, apo edhe për tentativë që të puthte pacienten 21 vjeçare, këtu nuk bëhet fjalë për “ngacmim seksual” por për “dhunë seksuale”.
Ngacmimet seksuale në shoqëritë normale, janë përjekjet e dikujt për propozuar një marëdhënie të karakterit seksual me dikë tjetër. Madje e tillë konsiderohet edhe një shaka e tepruar e natyrës seksuale, si koment mbi trupin e një femre apo aludimet se ç’mund të ketë bërë një natë më parë.
Në Shqipëri ndodh rëndom që një mashkull (sidomos ndaj vartëseve) të kërkojë hapur favore seksuale dhe kjo të quhet si “po normal”. Jo. ky është një ngacmim i hapur seksual dhe që duhet të jetë i dënueshëm nga ligji! (Besoj se i tillë është në Shqipëri,)
Por në të vërtetë ndodh që vajzat dhe gratë jo vetëm nuk i denoncojnë veprime të tilla, por ndjehen edhe fajtore a thua se kanë bërë diçka provokuese që ‘bosi” të mendojë se mund të flerë me të. Kjo sepse e gjithë shoqëria si bllok mendon në mënyrë të pafavorshme ndaj femrave. Madje dhe ato gra të forta që thonë: “Unë ja përplas në fytyrë po të më thotë diçka të tillë!”
Nuk është e mjaftë ti thuash - “Ik gjej ndonjë tjetër se tek unë kjo nuk të shkon!”
“Agresorë‘ të tillë duhet të ndalen duke u denoncuar publikisht në organet e rendit. Për të vënë mend vetë dhe për të frenuar të tjerë meshkuj agresorë. Nuk është e rastit, që dy raste për të cilat kam dëgjuar në Korçë, janë denoncuar nga femra që punojnë ose kanë jetuar jashtë, I tillë është rasti Nunka, por edhe rasti i një pronari hoteli, që i kishte propozuar një punonjëse filipinase një marëdhënie “të shpejtë“ në këmbim të 50 eurove.
Të gjithë, burra dhe gra, kemi për detyrë të mbrojmë veten dhe sidomos nënat, gratë dhe vajzat tona nga “sulme” të burrave të pacipë, që jo vetëm shohin tek çdo femër një objekt seksual, por dhe përpiqen me çdo mënyrë ta shtien në dorë.
Ka pronarë biznesesh që mburren kafeneve se sa nga punonjëset i kanë shpënë në shtrat. Dhe dëgjues bastardë të tjerë i dëgjojnë me admirim pa ja u përplasur në fytyrë, se ata abuzojnë me pushtetin që kanë dhe jo se janë meshkuj “për të cilët gratë lenë mendjen!”
Ndaj nuk duhet të çuditemi as nga rasti i mjekut (nëse nuk kemi të bëjmë me denoncim të sajuar), por dhe nga rastet e mësuesve pedofilë, që hyjnë në marëdhënie me nxënëset gjimnaziste.
Nuk ke pse të shkosh larg dhe të dënosh Xhefrin e Epsheve. Ka shumë raste mësuesish në Shqipëri që mes notës, presionit apo dhe me imponimin si figurë e rëndësishme, shkojnë me vajza nën moshën e asaj që quhet mosha e konsensusit seksual.
Ndaj nëse rasti Nunka është i vërtetë, nuk do më vijë aspak keq që mjeku të dënohet dhe të demaskohet publikisht. Do i shërbejë jo vetëm atij, por edhe shumë të tjerëve, që veprojnë në mënyrë të ngjashme.
Do i shërbejë edhe shoqërisë që të bindet se nuk është ngacmim seksual nëse nuk arrihet deri në penetrim. Eshtë përdhunim seksual!
No comments:
Post a Comment