Në një diskutim me bashkënxënësit e mij, që kanë qënë me mua në atë shkollë dhe më pas kanë vazhduar edhe të mesmen po atje, u prek niveli cilësor i saj. Ishte një shkollë e re, e bërë më vete në vitin 1970. deri atë kohë kishte qënë fillimisht si klasë muzike e shkollës “Mësonjtorja e Parë“ dhe më pas e asaj “Themistokli Gërmenji”. Meqënëse mbeti brenda godinës ku ishte shkolla e mesme e përgjithshme deri kur jam larguar unë nga e mesmja, historitë e dy shkollave ishin disi të përzjera dhe ne edhe pse tek e përgjithshmja dinim diçka se ç’ndodhte tek Muzika.
Një nga bashkënxënëset këmbëngulte që ishte shkolla më e mirë në Shqipëri në ato kohë, gjë që përputhej edhe me vlerësimet e mësuesit të muzikës Vaskë Kolaci dhe të ish-prefektit Nertil Jole, dikur nxënë i asaj shkolle.
Me “shpirtin e kundërshtimit” unë kërkoja disa prova rreth cilësisë së saj në vitet prej 1966 dhe deri më 1978. Me keqardhje kisha konstatuar në vite, që shumë nxënës që studionin me orë të tëra në 8-vjeçare dhe në të mesme violi dhe piano, ose nuk arrinin të shkonin në Institutin e Arteve, ose edhe kur pranoheshin atje, nuk shkëlqenin si instrumentistë. Dhe vërtet ishte për të ardhur keq, se disa prej tyre kishin qënë nxënës shumë të mirë në lëndët e përgjithshme, por kishin ndjekur ëndërrën të bëheshin instrumentistë të mirë, dirigjentë ose kompozitorë. Një ëndërr vërtet shumë e bukur, por që veç sakrificave kërkonte edhe mësues shumë të mirë. Historia botërore e muzikës ttek të gjitha shembujt e gjenive i ka që shkojnë nga një mësues i shquar tek një tjetër. Vërtet nuk shkruaj që tek ne do dilte Listi apo Paganini, por disa nxënës ishin vërtet të shumë talentuar dhe shumë të përkushtuar sa mendoj se nëse nuk kanë qënë mes yjeve të muzikës shqiptare, diçka nuk ka shkuar mirë tek shkolla “Tefta Tashko”. (E theksoj në vitet e sipërpërmendura.)
Përse mund të vlejë ky shkrim? A ka kuptim që të vihen në “peshoren e cilësisë“ mësuesit e shkollës së Muzikës të 12 viteve të sipërpërmendura?
Nëse e mendoj thellë, vërtet më duhet të pranoj që nuk ka asnjë vlerë për lexuesin që nuk ka lidhje me muzikën në përgjithësi dhe me shkollën në veçanti. Por nëse do isha dikush që kisha humbur sa e sa lojëra të fëmijërisë dhe rinisë për t’ju kushtuar një ëndërre fisnike, një shkrim të tillë do e lexoja dhe mund të thoja që është një “shkrim thellësisht i gabuar” ose se “ka diçka të vërtetë në të.” Të gjithë kemi nevojë të hedhim një sy në fillimet e shkollimit dhe të hapave drejt profesionit.
Pas thuajse 50 vjetësh nga ajo periudhë lexon shkrime dhe komente që e kujtojnë “Tefta Tashkon” jo vetëm me nostalgji, por edhe në mënyrë të ekzaltuar. Përmenden suksese, lista të gjata me emra mësuesish, tituj dhe dekorata dhe askush nuk shpreh as më të voglën dhimbje, për ata fëmijë që sakrifikuan aq shumë dhe nuk e arritën ëndërrën jo për kufizimet që kishte sistemi, por se shumë nga mësuesit e listës ishin vetë “dështakë‘ dhe si të tillë nuk mund të formonin instrumentistë të shkëlqyer. Korit të lavdëruesve i bashkohen thuajse të gjithë që kanë kaluar nga ato banga edhe pse thellë brenda vetes e dinë të vërtetën. Eshtë si të rishikosh filmin “Tingujt dhe Fëmijët”, që ishte një film gjysëm artistik dhe gjysëm dokumentar, që tregonte se sa bukur shkonte çdo gjë në shkollën e Muzikës.
Nuk ka qënë kështu. Këtë e dinë më mirë ata që kanë bërë atje 12 vjet dhe veçanërisht ata , që në Institutin e Arteve kanë studiuar krahas nxënësve, që vinin nga shkollat e tjera të muzikës.
Një nga mësuesit e parë të asaj shkolle, i quan si të “lavdishme” vitet prej 1965 deri më 1974 në një fjalë të mbajtur para nxënësve më 2005. Dhe materialin e e paraqitur e quan të përgatitur edhe në bashkëpunim me mësueset Besa, Lefkë dhe Maqkë. Më pas thekson se “shkolla mori të tatëpjetën” kur drejtoria nisi të bashkëpunojë me Degën e Punëve të Brendëshme?! Po sipas tij, kur rikthehet në vitin 1986, e gjen shkollën “të degraduar”. Më duhet të them, se instrumentistët më të mirë janë përgatitur pas vitit 1980, në sajë të një numuri jo të vogël pedagogësh të rinj të dalë nga Instituti. Por në atë mbledhje përkujtimore të vitit 2005, askush nuk ngrihet e të thotë që “këto nuk janë të vërteta”. Askush nuk ngrihet e të thotë, që vërtet kemi punuar dhe kemi përgatitur shumë nxënës, por për shkak të mangësive tona “kemi marrë edhe shumë më qafë“.
Reflektimi në një moshë të caktuar rreth arritjeve dhe të metave në punë është i domosdoshëm për cilindo. Jo thjesht për ndershmëri intelektuale apo për hir të së vërtetës. Veçanërisht tek mësuesit kjo është e domosdoshme për t’ju përmbajtur misionit fisnik që i kanë caktuar vetes që në krye të herës.
Por kjo bëhet duke pranuar kufizimet, që mund të ishin të kohës dhe mund të ishin të formimit , por mund të ishin edhe të neglizhencës. Sepse me punën e tyre ata kanë ndihmuar ose dëmtuar ëndërrat e bukura të shumë fëmijëve që donin të bëheshin muzikantë dhe jo sazexhinj. Dhe ashtu si i pëlqen mësuesit kur sheh nxënësit që “fluturojnë“ në profesion ashtu edhe duhet t’ju kërkojë të falur për kusuret e tij.
No comments:
Post a Comment