Thursday, 28 May 2026

A është Amerika e zhgënjyer nga Trump?


Unë nuk jetoj në SHBA dhe nuk kam se si të kem një përqasje të vërtetë ndaj jetës amerikane. Për më tepër Amerika është një kontinent dhe si perceptohet jeta në një qoshe të saj, nuk perceptohet në një qoshe tjetër.

E ndjeva menjëherë vështirësinë, sepse në ndryshim nga udhëtimi që bëra në janar, tani benzina ishte thuajse dyfishi.Nuk ka se si mos bezdisë amerikanët dhe se si mos pasqyrohet në çmimet e tjera.

Takova disa shqiptaro-amerikanë dhe ata përgjithësisht donin t’i shmangeshin
çështjes Trump”. Duket kishin votuar për të dhe si trima dhe kryelartë e kanë të vështirë të parnojnë gabimin.

Por nga mësimet e para që kemi marrë këtej është se “njerëzit gabojnë vazhdimisht” dhe çdo prirje për të mos e pranuar është një kokëfortësi që nuk i shërben as kokëfortit vetë,

Gjithsesi, është e dukshme që SHBA është në prag të një krize ekonomike dhe kjo do sjellë (si gjithnjë) ndryshime në zgjedhjet e nëntorit. Trump do ketë fuqi më të kufizuara dhe nuk do veprojë lirshmërisht për çdo gjë që i pëshpërisin në vesh dhe i duket si “ide gjeniale”.

Por dëmi në frymën e marëdhënieve ndërkombëtare është bërë dhe duket i pariparueshëm të paktën për një periudhë disavjeçare.

Të gjithë po armatosen dhe më rëndë se kurrë. Pra një atmosferë mosbesimi, konflikti dhe lufte ekziston në të gjitha rajonet kryesore të Globit. Pa pikën e turpit, pasi merr pjesë në përurimin e një luftëanijeje të madhe, që Franca i ka shitur Greqisë, Makron deklaron se “do jetë në krah të Greqisë, nëse dikush ja cënon kësaj të fundit sovranitetin”?! Kujt i drejtohet deklarata? Kush mund t’i cënojë sovranitetin Greiqsë veçse Turqia?

Duke mos pasur besim tek Bashkimi Europian dhe ndikimi i tij në botë, unë sytë i kam drejt zgjedhësve amerikanë. Shtetet e Bashkuara mbeten forca më e madhe ekonomike dhe ushtarake në botë dhe e vetmja, që mund të ndikojë në një përmirësim të gjendjes ndërkombëtare dhe të shmangies të rrezikut të luftrave të shumta.

Ndaj votuesi mesatar amerikan është njeriu që mund të ndryshojë situatën në botë në nëntorin e këtij viti dhe në nëntorin e vitit 2028. Ndaj dhe vetë jam shumë i vëmendshëm rreth asaj se sa i pakënaqur është amerikani i thjeshtë nga Presidenti Trump.

Ky votues edhe pse mund të ketë një lloj intuite, nuk arrin të kuptojë se sa e rëndësishme është vota e tij për të ardhmen e Globit. Një pjesë shumë e madhe e amerikanëve as ja kanë idenë se ç’ndodh në botë. Janë të shumtë ata që as e kanë ndjerë të nevojshme të kenë pashaportë për të udhëtuar jashtë kufijve të saj. Por ata kanë një sens të Lirisë dhe Demokracisë edhe më të mirë se europianët, sepse janë lindur dhe rritur në një vend që nuk ka pasur kurrë Diktaturë. Prandaj dhe “lavjerrësi politik” shkon nga zgjedhja e një presidenti si Klinton, tek Bushi i Ri, tek Obama dhe më vonë në Trump. Personalitete thuajse pa asnjë ngjashmëri me njëri tjetrin dhe me politika shumë të ndryshme.

Partia Republikane, e cila u kthye në një “qerre e verbër” që po ndiqte rrugën e çoroditur të “the Donald” ka për ta humbur Kongresin në zgjedhjet e këtij nëntori. Rrezikon të humbasë edhe Senatin dhe forca e Ekzekutivit do dobësohet së tepërmi. Për të mirën e SHBA dhe për të mirën akoma më të madhe të të gjithë Botës. Trump e teproi “zullumin” me luftën ndaj Iranit, që solli edhe rritjen e vazhdueshme të çmimeve gjë që ndjehet tek xhepi i votuesit mesatara amerikan, i cili nuk do t’ja dijë as për luftën, as për latinot që dëbohen dhe as për ngrohjen globale. Por ai votues është shumë i ndjeshëm për ekonominë e familjes së tij dhe së dyti për kufizimin e lirive. Ndaj dhe unë kam shumë shpresë tek populli amerikan, madje edhe tek ata njerëz që e sollën përsëri në Shtëpinë e Bardhë “kalamanin” Trump.

Nuk kam besim as tek burokratët e Brukselit dhe tashmë as në shoqëritë liberale europiane, të cilat duken të mpira.

Sa të zhgënjyer janë amerikanët, për të sjellë mbylljen e këtij kapitulli kaq të turpshëm të historisë moderne?

Nuk jam në gjendje ta gjykoj sepse ka kohë që nuk besoj shumë as tek sondazhet. Gjithashtu nuk shpresoj se Partia Demokratike dhe një President i saj do bëjë çudira në drejtim të Paqes dhe të zhvillimeve shoqërore në botë. Eshtë një nga të këqijat e mëdha të sistemit politik amerikan që nuk “lejon” krijimin e forcave të reja politike me peshë.

Por diçka do kthehet në rrugën e normalizimit të marëdhënieve mes SHBA dhe Europës, mes SHBA dhe Amerikës Latine, mes SHBA dhe Kanadasë. Gjithashtu do ulet kjo mendësia e armatosjes deri në dhëmbë, edhe pse nuk besoj që politika për shpenzime më të mëdha lufte në vendet e NATO-s e diktuar nga SHBA do ndryshojë.

Por do ulen tensionet dhe kjo “histeri” e konflikteve në Europë, Azi, Afrikë dhe në Amerikë.

Nuk do dëgjojmë më “unë e dua Groenlandën dhe Panamanë dhe Kanadanë dhe më pas edhe Tinglimajmunin!”

Le të shpresojmë në pakënaqësinë e amerikanëve.

No comments:

Post a Comment