Monday, 25 May 2026

Identiteti dhe patriotizmi (fund)

 


(vijim)

-Unë jam shqiptar! – ju them kanadezëve që më pyesin se cila është origjina ime, sepse dallojnë aksentin dhe pasi i le të hamendësojnë dhe më thonë - grek, italian ose libanez. Nuk ndjej as kënaqësi dhe as përçmim kur më përmendin kryesisht këto etni, sepse të treja janë mesdhetare dhe askush nga ata që më pyesin nuk ka prirje të më fyejë. Disa syresh që vijnë nga vende islamike më shohin me dashamirësi dhe shtojnë “O Allbania...you are muslim!” Nuk reagojnë keq as kur ju them se jam i krishterë, por arrij të kuptoj që në dukje nuk kam asnjë shënjë identiteti si racë apo si fe. Jam mesdhetar dhe mund të jem edhe budist, për syrin e një të huaji.

Pra edhe në veshje, në sjelljen e përditshme, në përgjithësi në pamje duke përfshirë edhe reagimet e para, unë jam dikush tepër mesdhetar se askush nuk më ka thënë se mund të jem irlandez apo norvegjez. Emri im gjithashut nuk ju thotë shumë, se është një emër pak i përdorur në të gjithë botën. Po qe se flas në gjuhën time, sigurisht që askush nuk mund të kuptojë apo të hamendësojë se është gjuha e bukur shqipe, që e mësuam më mirë nga vargjet e Naimit dhe prozat e Kutelit.

Diçka e ngjashme më ndodh edhe kur udhëtoj në Europë dhe veçanërisht në Greqi. Askush nuk thotë menjëherë që “Ti je shqiptar!”, gjë që më bind se nuk jam një shqiptar tipik, ose se nuk ka një gjë të tillë si nocioni “shqiptar tipik”.

Por kush është shqiptari tipik, nëse vërtet dikush i tillë, që përmbledh të gjitha cilësitë që të huajt dallojnë lehtësisht tek ne?

Nuk besoj se është “halldupi” që kam përshkruar në një skicën time për dikë që kam parë në një kafe në Tiranë dhe që më ra në sy. Si ai mund të gjesh shumë në vendet e Mesdheut Lindor, prej Turqisë dhe Izraelit dhe deri në Egjipt dhe Tunizi. Nuk është as ish pedagogu im, me të cilin kalova dy orë të një bisede shumë interesante në hotelin e tij në Tiranë.

E kam të vështirë të gjej dikë, që ka gjithë karakteristikat e mira dhe të këqija të një mashkulli apo të një femre shqiptare. Patjetër që nuk janë as Berisha, as Rama dhe as Kadareja. Shembujt e VIP-ave shqiptarë janë shumë larg dikujt që mund ta quajmë shqiptar tipik.

A ishte Dritëroi?

Një njeri i mënçur, i talentuar, dashamirës, që pëlqente të pinte raki, t’ju bënte mirë shumicës së njerëzve dhe që e donte shumë Shqipërinë?

Edhe në këtë rast do e identifikoja Agollin si shqiptari bektashi tipik, për gjithë filozofinë e tij dhe mënyrën e sjelljes me njerëzit dhe raportet me Shqipërinë.

A ishte magazinieri Asmon (Osman), që pata takuar dikur në Durrës dhe që i donte njerëzit, pëlqente shumë Vangjush Furrxhiun (mbiemrin ja theshte Furxhi me theksin në u-ja) dhe që përtonte të lëvizte nga ndenjësja e tij e rehatshme?

Edhe se mund të ishte tipik i një pjese të Shqipërisë së Mesme as ai nuk mund të quhet si shqiptar tipik.

Dhe kështu mund të vazhdoj pafund me tipa tipikë dhe të veçantë që kam takuar anekënd Shqipërisë, nga Shkodra dhe deri në Sarandë.

Me një fjalë nuk mund të gjej një shqiptar tipik, që të dallohet që tej, prej nesh dhe prej të huajve që është “shqiptar 24 karat”.

Ndoshta për shkak të copëzimit të terrenit që sillte kultura të ndryshme krahinore, ne jemi aq të ndryshëm me njëri tjetrin sa vetëm kur hapim gojën dhe flasim mund të kuptojmë se jemi bashkëatdhetarë. Kulturat e pushtuesve gjithashtu kanë ndikuar në larminë e shqiptarëve që jetojnë brenda Shqipërisë së sotme. Përvoja ime me shqiptarët e Kosovës është shumë e kufizuar sa nuk mund të them nëse kanë karakteristika të dallueshme që janë kosovarë.

Ndoshta këtë kishte pasur parasysh Noli, kur pat shkruar një bejte të gjatë për karakteristikat e ndryshme të popullsive të krahinave të ndryshme shqiptare. (Bejtja qarkullon në Internet dhe unë nuk i sugjeroj askujt ta shpërndajë se krijon stereotipe jo të mira dhe njëkohësisht një përbuzje mes krahinave të ndryshme.)

Ndaj mund të them se vetëm një cilësi ka çka duam të quajmë Identiteti Kombëtar.

Gjuha shqipe me gjithë dialektet e saj.

Të tjerat janë ose cilësi që i kanë të gjithë Mesdhetarët, por veçanërisht të gjithë ballkanasit, ndoshta duke përjashtuar vetëm sllovenët.

Jemi njerëz të dashur, gjaknxehtë, të zgjuar, përgjithësisht që mbajmë fjalën, por dhe që kemi edhe një qerre me vese dhe gomarllëqe, si i kanë gjithë ballkanasit.

Dhe duke qënë të tillë, shfaqim shpesh një patriotizëm të verbër, që ka rrezik të të fusë në konflikte të panevojshme, si ka shumë raste të tilla kafeneve të botës, apo më i përhapur në ndeshjet e futbollit me Sërbinë dhe Greqinë. Nuk është e pamundur që një patriotizëm të tillë ta shfrytëzojnë politikanë të paskrupullt një ditë dhe të na fusin edhe nëpër luftra me fqinjët. Dhe të paskrupujt ekzistojnë dhe në Greqi dhe në Sërbi.

Ndaj jam tërësisht kundër një patriotizmi të tillë, madje refuzoj edhe të mbaj flamurin shqiptar ose ta puth atë.

(Dhe do vazhdoj të mos e bëj atë gjestin e shqiponjës, se nuk dua të bëj sherr me asnjë ballkanas tjetër.)


No comments:

Post a Comment