Sunday, 24 May 2026

Roklënd, Mejn 33 vjet më pas


Roklënd është thuajse i pandryshuar edhe 33 vjet më pas. Jam unë që kam ndryshuar shumë. Kur e vizitova për herë të parë, sajë një dhurate të shokut tim të asaj kohe, gazetarit Arben Kallamata, m’u duk një qytezë e bukur në bregun e Atlantikut, ku kishe shumë ç’të shihje dhe mësoje. Ishte hera e dytë që dilja jashtë Shqipërisë, e cila në atë vit kishte shumë plagë të lëna prej viteve të fundit të Diktaturës dhe viteve të para të Tranzicionit. Shihja dhe gati mrekullohesha me një shoqëri të lirë, ku njerëzit ishin shumë të sjellshëm me njëri tjetrin si dhe mikpritës ndaj të huajve.

Tani jetoj në një vend ku njerëzit janë edhe më të sjellshëm edhe më mendjehapur se amerikanët e vitit 1993. Vitet që kanë shkuar më kanë mësuar shumë rreth botës, gjë që nuk di nëse do kishte ndodhur nëse nuk do kisha emigruar. Më kanë bërë edhe më të ndjeshëm ndaj halleve të të tjerëve dhe veçanërisht të atyre që janë në shtresat më të pambrojtura të shoqërisë njerëzore.

Diçka rreth “të pambrojturve” diskutojmë edhe gjatë një darke “burrash në moshë“ duke ngrënë peshk shpatë të “pjekur ngadalë“ të shoqëruar me një oriz japonez shumëngjyrësh, fiddleheads (fundbishti violine) të zjera dhe një verë toskane. Ndoshta është e lehtë t’ju “qash hallin” të tjerëve ndëra ha një darkë të mirë. E megjithatë, ish psikiatri, avokati gati në pension dhe mësuesi i vizatimit të lirë që jep ende mësim online, me të cilët darkoj, nuk janë hipokritë. Janë njerëz që gjithnjë kanë bërë ç’kanë pasur në dorë për të ndihmuar njerëzit me më pak fat. Dhe sigurisht një bisedë e tillë është shumë më e mirë se të flasësh rreth pronave të tua dhe të të tjerëve, apo për gratë që dëshëron të marrësh në shtrat.

Në bisedë përmenden flamujt e shumtë amerikanë q ëjanë kudo, për shkak të festimeve për Ditën e Përkujtimit (Memorial Day) dhe psikiatri shpreh se ndjehet me turp kur sheh flamurin amerikan, unë që i qëndroj idesë së hershme që jam kundër gjithë flamujve, ndërsa avokati mban në qëndrim më të moderuar ndaj tyre dhe flet për një “patriotizëm të shëndetshëm”. Mësuesi i vizatimit nuk shprehet, ndoshta mendon se me “fshirjen” e flamujve do ketë më pak variacion në orët e tij të mësimit. Në fund të fundit, të gjithë fëmijët kanë dëshirë të pikturojnë flamuj me ngjyrat e tyre të larmishme.

Mësuesi është nga origjina gjysëm gjerman dhe gjysëm norvegjez dhe unë e ngacmoj, se para një “ariani të vërtetë“, ne të tjerët ndjehemi inferiorë, veçanërisht psikiatri që është i origjinës hebre dhe avokati, që është gjysëm hebre dhe gjysëm hollandez. Fsheh të përmend, se ka ende shumë bashkëkombës të mij, që mendojnë dhe mburren se jemi “racë e pastër’ dhe më të vjetrit në Europë.

Më vonë kujtohem se pashkshpatë pata ngrënë edhe në një darkë para 33 vjetësh, me disa arkitektë të qyteteve të Mejn (Maine) pasi isht bërë një takim i tyre i përmuajshëm në kryeqytetin e shtetit, Agasta. Atë darkë flisja pak, se anglishten nuk e kisha të zhdërvjelltë dhe edhe pse më pyesnin rreth Shqipërisë dhe arkitekturës shqiptare, përgjigjet i kisha të shkurtra ndonëse doja të thoja shumë, Po ishte një darkë e bukur, në një restorant të improvizuar në një vagon treni, që rrinte gjysëm i varur mbi një humnerë. Arkitektët ma treguan pozicionin e veçantë të tij, pasi kishim ngrënë darkë, duke më thënë që nuk ma kishin treguar më parë se mos trembesha dhe më pritej oreksi. Doja t’ju thoja që kisha parë shumë gjëra “të frikshme” në Shqipëri sa ky vagon gjysëm i varur mbi humnerë, ku hanin njerëzit nuk më dukej aspak i pasigurt. Sikundër ishte në të vërtetë.

Tani kuptoj që Amerika dhe Kanadaja nuk janë as peisazhet dhe as qytetet. Janë njerëzit me të cilët të pëlqen të shoqërohesh dhe të hash edhe darkë me “peshk shpatë“. Ishte kjo arsyeja, që pas tre javëve në Rokland, kur doja të takoja priftin shqiptar At Artur Liolinin për t’i dhënë një letër nga kushërinjtë e tij, u zhgënjeva aq shumë dhe gati u revoltova. Më kishin pritur bujarisht amerikanë që nuk më njihnin dhe çuditërisht një shqiptar në Shtëpinë e Zotit, ju pat sugjeruar atyre që i thanë se doja ta takoja, që letrën t’ja u lija atyre. Dhe kjo në hollin e Kishës së Shën Gjergjit. Më pas, kur këmbëngula, që e kisha porosi t’ja jepja në dorë, më shpjegoi që “pas meshës “ ishte ende në atë “botë mistike” dhe e kishte të vështirë të hynte në bisedë me këdo. Mendova asokohe, që bota e tij mistike duhet të kishte qënë diku në Purgator ose në Ferr, se pranë Krishtit nuk mund të kishte qënë.

I hodha këto paragrafë mbresash, për të treguar se në botë ka shumë e shumë njerëz të mirë, të cilët edhe nëse nuk janë në gjendje të bëjnë shumë, janë të preokupuar për problemet e atyre që kanë më pak fat në jetë. Dhe mundohen të ndihin qoftë edhe duke duke ngritur zërin për të pambrojturit. Ndaj edhe kjo botë mund të bëhet më e mirë se ç’është sot.

Ndaj edhe ndjej se bashkësia e banorëve të Roklënd ka mbetur e njëjtë dhe nuk është përkeqësuar.

No comments:

Post a Comment