Friday, 22 May 2026

Aludimet e papërgjegjshme


Ishin disa miq të mij, që më kritikuan dje, se jo rrallë bëj aludime jo të bazuara për mundësinë e korrupsionit në institucione dhe organizata të ndryshme shqiptare, qofshin qeveritare ose jo. Dhe për këtë përmendnin jo vetëm shkrimin e djeshëm rreth RH Scholarship dhe Fotini Alltinit, por edhe një shkrim më të hershëm, ku unë shprehja dyshimin në mbajtjen e pastër dhe të pakorruptuar të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Sigurisht që nuk i pranova kritikat, në rradhë të parë prej kokëfortësisë dhe e dyta, se tek shkrimi rreth Organizatave jofitimprurëse, që drejtohen nga bashkëkombës të ardhur pas vitit ‘90, unë më shumë këshilloj se aludoj se mund të ketë diçka që “nuk bije erë të mirë“. Unë nuk jam gazetar dhe aq më pak gazetar investigativ dhe nuk kam ndonjë qëllim që të zbuloj se sa para fshehin apo fitojnë ata që punojnë në institucione të caktuara në Atdhe dhe në Diasporë. Dhe këshillimi për dy subjektet e shkrimit tim, kishte të bënte me atë që “duhet kujdes në mënyrën se si paraqitet veprimtaria e organizatës” dhe njëkohësisht “më shumë transparencë“. Për të mos lënë “djajtë e dyshimit”, që ekzistojnë në çdo mendje njeriu (veçanërisht tek ne ballkanasit) që të gjykojnë si të njollosur atë çka është filantropike, e pastër dhe tepër humane. Nuk i njoh personalisht as Haxhillarët dhe as Alltenin, që këshillat e mija t’ja u jepja me dashamirësi privatisht.

Po shtoj se për abuzime me fondet e dhurimeve, bëhet fjalë në shumë kisha shqiptare të Amerikës së Veriut, nga Nju Jorku dhe deri në Cikago. Madje është edhe më e hershme se “zbarkimi i të edukuarve nga Partia e Punës” në brigjet e kontinentit të ri. Flitet për zell për tu zgjedhur në Këshillat e kishave, për tarafe që përpiqen të mbulojnë rritje të shpenzimeve të mirëmbajtjes apo të rinkonstruksioneve etj. Ndaj le të mos shtiremi ata që nuk jemi. Si një popull dikur i varfër, ne tundohemi shpejt nga kartmonedhat e blerta, madje edhe në Shtëpitë e Zotit, ku duhet të jemi edhe më të mbrojtur nga tundimi.

Por zhgënjimi im më i madh nga Fondacionet dhe Organizatat Filantropike në përgjithësi dhe nga ato që drejtohen nga bashkëatdhetarët tanë në veçanti, ka të bëjë me mungesën e plotë të kritikës ndaj rrënjëve të problemeve të mëdha shoqërore, që detyrojnë vetë ekzistencën e këtyre organizatave.

Në rast se ti ndihmon me shuma të mëdha një spital në Amerikë dhe nuk shprehesh kërkund se janë politikat e Trump, që po dëmtojnë sistemin shëndetsor amerikan, në mënyrë të tërthortë ke ndihmuar aplikimin e këtyre politikave dhe jetëgjatësinë e tyre. Në rast se ti del në foto me kryetarin socialist të Gjirokatrës, ke mbështetur në mënyrë indirekte Ramën dhe Manastirliun që të qëndrojnë më gjatë në pushtet. (Kjo e fundit më shkoi në mendje se nuk e di kush është tani në krye të Ministrisë së Shëndetsisë në Shqipëri.) Pra bëhesh “bastun” i regjimeve të egra dhe represive, që ose vjedhin ose shpenzojnë për luftra duke shkurtuar buxhetet e arsimit dhe shëndetsisë.

Në të njëjtën kohë organizon “gala” për “të kamurit” (se këta duhen mikluar për t’ju marrë ca thërrime nga paratë e tyre) që shkëlqejnë nga një luks i rremë dhe sherbetosen nga buzëqeshjet hipokrite të organizatorëve dhe të të ftuarve. Pra dëshmon qartë se je pjeë e sistemit dhe nuk do që ai të ndryshojë, sepse nuk do ketë më organizata bamirëse dhe ti do e humbësh atë rrogën e madhe, që merr duke bërë shumë pak punë. Duke qënë një lloj këpushe parazitare mbi trupin gjigand të një sistemi që shtrembeërohet edhe më keq se ç’është në embrion.

Ndaj them se ato që kam shkruar në shumë raste të tilla nuk janë aludime të papërgjegjshme për abuzime financiare. Nuk më bëhet shumë vonë për to, ndonëse nuk më vjen mirë që atë që dhuroj në kishë apo për bamirësi të shkojë në xhepat e një sharlatani, që nuk ka frikë as nga Perëndia. Më dhemb fakti se njerëz me qëllime të mira dhe me mend bëjnë shumë përpjekje për të ndihmuar, por edhe për tu dukur “fisnikë“ si pjesë e një sistemi ku ka shumë hipokrizi dhe pa bërë përpjekjet më të vogla për t’ju hapur sytë njerëzve se përse ndodh kështu. Filantropët e dinë më mirë se ti dhe se unë, se cilat janë arsyet e mangësive në shëndetsi, se cilat janë arsyet që pagesat për universitetet janë tmerronjëse, se cilat janë arsyet që shumë njerëz flenë poshtë urave, apo mbi zgarat e tuneleve të Metrove.

Por kanë zgjedhur të heshtin, të japin diçka për “të siguruar një vend në Parajsë“ dhe të vishen madhërisht në disa mbrëmje ku trokasin gotat e shampanjës dhe i thonë të ftuarit (ose të ftuarës) tjetër me buzëqeshje:

What a nice dress!” (Sa fustan i bukur!)

No comments:

Post a Comment