Një teori që qarkullonte prej kohësh në rrethet e shqiptarëve të vërtetë dhe që e cilësonte zbuluesin e Amerikave si shqiptar është provuar tashmë. Kanë qënë disa studime të shkencëtarëve spanjollë, të përqëndruara në krahasimin e DNA-së të shumë pasardhësve të Kristofor Kolombit, që e kanë provuar jashtë çdo dyshimi, që ai nuk është gjenovez, por rrjedh nga një linjë e një familje të pasur kontësh Galicianë. Pra të krahinës më perëndimore të Spanjës.
Ndonëse studiuesit spanjollë nuk prekin lidhjen me Shqipërinë apo me Arbërinë ata nuk kanë mundur të fshehin një emër të rëndësishëm, i cili provon se Kolombi ishte nga Galicia. Dhe ky është Pedro Madruga.
Duhet thënë se në kohën kur Kolombi pat hyrë në oborrin e mbretëreshës Izabelë, emri i Pedro Madrugës u fshi nga kronikat spanjolle të kohës. Arsyeja është e thjeshtë. Pedro Madruga ishte Pjetër Matranga një arbër i pasur nga zona e Divjakës, që kishte shkuar në Galicinë e largët, kur dukej se “retë e errta të hordhive turke” do mbulonin tokën e Arbërisë. Ndërkohë, njëri nga vëllezërit e tij, Gjon Matranga, zgjodhi të vendosej në ishullin e Siçilisë dhe njihet si themeluesi i të mirënjohurit Piana dei Albanesi, një nga vendbanimet më të rëndësishme të arbëreshëve në Itali. Ai është katërgjyshi i priftit dhe shkrimtarit Luka Matranga, që ne të gjithë e njohim si Lekë Matrënga.
Lekë Matrënga ka meritën se ka shkruar ndër librat e parë në shqip, të cilët kemi fatin t’i lexojmë edhe sot. Dialekti i shkrimeve të tij është tosk, që provon origjinën e Matrangave (përfshi Pedro Madrugën) nga Shqipëria e Jugut.
Me gjithë rëndësinë e madhe që ka Lekë Matrënga për historinë e Shqipërisë, studimet spanjolle nxjerrin në pah origjinën arbëreshe të lundërtarit të shquar dhe mund të themi jo vetëm që prifti arbëresh mbetet në hije, por edhe figura e madhe e Skënderbeut konkurohet nga fama e Kristofor Kolombit. Shtatorja e këtij të fundit është kudo në Spanjë dhe Itali, por edhe në gjithë vendet e Amerikës Latine. Madje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka edhe një festë kombëtare, që quhet Columbus Day. Deri tani karakterizohej nga festimet e shumta të italiano-amerikanëve, por shumë shpejt kjo do marrë fund.
Do jenë shqiptarët që do çelin paradat festive në ditën e Kolombit. Ndoshta me zellin tonë shqiptaromadh ne mund të shkojmë edhe deri atje sa ta quajmë Kris Pëllumbi, por unë këtë do e quaja të tepruar. Shumë shpejt kjo do sillte përçarje mes shqiptarëve të Shqipërisë, pasi mund tëaludohej se Pëllumbët e Melçanit, ku përfshihej edhe profesori i ndjerë Servet, rrjedhin drejtpërdrejt nga lundruesi spanjoll. Nuk duhet t’i lejojmë vetes të tilla teprime.
Po nga ka dalë teoria qindravjeçare se Kolombi ishte gjenovez?
Në testamentin e tij, vetë zbuluesi i Amerikave pat shkruar se ishte lindur në Gjenova. Por kjo nuk është provë e pakundërshtueshme. Ka qënë një truk i Kolombit shqiptar, i njëjtë me atë të vezës së zjerë, që askush nuk e vinte dot të qëndronte më këmbë në pjatë gjatë një dreke fisnikësh. Kolombi donte të fshinte origjinën e tij të vërtetë dhe njëkohësisht të theshte botërisht se nuk ishte spanjoll. Kjo sepse në Galici, gjatë viteve të adoleshencës të tij, dikush që dinte për orirgjinën arbëreshe të Pedro Madrugës dhe që kishte qënë disa muaj në Stamboll, kishte nisur t’i thërriste pasardhësit e Madrugës, përfshi Kristoforin, “pis arnaut”. Kishte qënë një “bullizim” që kishte lënë gjurmë të thella tek rioshi me ambicie për të zbuluar vendet më të largëta të botës. Kjo shpjegon edhe zhdukjen e emtrit të Pedro Madrugës, në kohën kur Kolombi ishte fuqizuar. Por me ngjarje të tilla është e mbushur historia botërore.
Duhet t’ja u dimë për nder studiuesve spanjollë vërtetimin e teorisë së origjinës shqiptare të Kolombit.
Nuk na mbetet gjë tjetër veç tç presim me durim se çdo ndodhë me studimet gjenetike të Aleksandrit të Madh, Napoleonit dhe Gjergj Uashingtonit, pa përmendur shumë figura të tjera historike, që nuk mund të jenë gjë tjetër, veç pasardhës të popullit më autokton të Mesdheut dhe që jemi ne shqiptarët krenarë, trima dhe kontinentzbuluesa.
No comments:
Post a Comment