Tuesday, 19 May 2026

Duhet prakticitet!


Këtë më tha një ish-pedagogu im, kur gjatë një diskutimi pak të vrullshëm, po i përmendja se ku shkuan parimet e zhvillimit arkitekturor normal dhe moslejimit të shkeljeve të rënda në urbanistikë. “Po leri tani parimet” – më tha- “duhet prakticitet!”

Unë e kuptova se ç’quante ai prakticitet. Nuk kishte të bënte me orientimin drejt biznesit, gjë që i ka munguar arkitektëve që kanë mbaruar shkollat e Lindjes dhe që unë dhe shumë lindorë të tjerë e kemi ndjerë që në muajt e parë kur kemi punuar në studiot e projektimit në Kanada dhe në Amerikë. Prakticiteti i tij nuk kishte të bënte as me projektimin e gjërave të realizueshme dhe jo me projektimin për hir të projektimit, që të shpie shpesh të ndjekësh shembujt e Frenk Gerit dhe të Zaha Hadid.

“Prakticiteti” i tij kishte të bënte me Tironën dhe modelin e saj që është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Me fjalë më troç është: “Shtro bythën në punë, qepe gojën dhe shiko të manovrosh për të nxjerrë ndonjë lekë!”

Eshtë e qartë për mua dhe lexuesin që vetëm pjesa e parë e këtij zbërthimi të “prakticitetit” është e moralshme nga ana profesionale. Dy pjesët e tjera nuk janë të dënueshme nga ligji , por janë të pamoralshme për një profesionist qoftë mësues, mjek, shkencëtar apo arkitekt.

“Prakticiteti” i ish pedagogut tim, që ai e ka zbatuar me sukses gjatë këtij shekulli, ka të bëjë me pranimin e realitetit (praktikës) shqiptare në arkitekturë, ndërtim dhe restaurim. Për fat të keq të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ky realitet nuk ka qënë aspak për tu lavdëruar. Ndërtimi vërtet ka bërë të pasur shumë inxhinierë ndërtimi që kanë bërë kompani ndërtimi, arkitektë dhe konstruktorë të shumtë që kanë projektuar itensivisht, por pjesa dërmuese e tyre kanë qënë të detyruar të “luajnë“ lojën e poshtër, që ka krijuar Rama që në kohën kur ishte kryetar bashkie dhe që më pas është hapur gjërësisht kudo ku ndërtohet në Shqipëri. Në të njëjtën kohë ka lënë pa punë edhe shumë arkitektë dhe inxhinierë, që nuk kanë qënë në gjendje “të luajnë lojën”.

Por mbi të gjitha ka sjellë dëmtimin ekologjik të zonave me itensitet të madh ndërtimi, ka sjellë shëmtimin e pjesëve të veçanta të qyteteve shqiptare, ka vendosur “monstra ndërtimore” që do mbeten edhe për shumë vite në qytetet tona, i ka bërë shumë lagje të pajetueshme për banorët.

Të kesh “prakticitet” do të thotë që të jesh bashkëpunëtor i atyre që i bëjnë për të fituar para në mënyrë të pandershme. Ti arkitekt apo inxhinier ndërtimi justifikon veten duke thënë se unë mora lekë sipas ligjit, por brenda vetes e di që e ke shitur shpirtin tënd profesional për ato lekë, që i quan të panjollosura.

Dua të nëvizoj që këtë nuk po e shkruaj për t’ju bërë moral kolegëve. E bëj si një thirrje për t’ju kujtuar se me “prakticitetin” kanë dëmtuar edhe veten e tyre. Sepse jetojnë në qytetet e Shqipërisë. Sistemi ekonomiko-shoqëror është i tillë, që ata do pasuroheshin ose do jetonin mirë edhe pa “prakticitetin” e predikuar. Sepse janë zanate të mira dhe kur kalohet nga një sistem në tjetrin nevoja për ndërtime është shumë e madhe. Por duke “qepur gojën” ata lejuan që Rama t’i shtypte pa mëshirë! Si profesionistë dhe si njerëz që e kishin humbur dinjitetin.

Pjesën e Luanit në projektim e morrën arkitektët e huaj dhe në ndërtim dy tre pasunarë si Kastrati apo Zamiri i Bitijes. Nuk do të ndodhte kështu po të ishin parimorë dhe të dinin të mbronin interesat e tyre financiare dhe profesionale. Edhe shumë profesionistë të rinj nuk do detyroheshin të punonin shoferë taksish apo agjentë imobiliarë.

Ndaj edhe pse nuk ja thashë atë ditë ish pedagogut tim, po ja them tani:

Merre atë prakticitetin tënd dhe fute diku! Do kishe qënë edhe më mirë ekonomikisht edhe nuk do e kishe shitur by... tek Rama, Veliaj, Balluku, Mirela Kumbaro apo Arta Dollani!”

No comments:

Post a Comment