Monday, 25 May 2026

Kongresi ku u vendos fati i keq i Shqipërisë


Diku ka një njoftim, që disa autobuzë me “pasardhës” të Kongresit të Përmetit, janë nisur për në vendin ku u mbajt mbledhja që vulosi fatin e keq të Shqipërisë. Nuk di se ç’duhet për të qënë “pasardhës Kongresi”, por mendoj se mund të jenë të afërm të delegatëve të Kongresit, sepse pas 82 vjetësh nuk duhet të ketë mbetur ndonjë i gjallë prej tyre.

Unë mendoj se një pasardhës nuk duhet të shkojë kolektivisht tek një vend ku i jati ose e jëma janë mbledhur për një mbledhje, se s’ka asnjë lidhje me ndonjë sakrificë të prindërve për familjen shoqërinë apo për Atdheun. I kuptoj ata që shkojnë të nderojnë vendet ku kanë rënë parardhësit në luftë, apo ku ju prehen eshtrat, por në një vend ku janë mbajtur fjalime, janë bërë diskutime dhe janë marrë vendime, nuk më duket e logjikshme. Por ndoshta edhe mendoj kështu se gjyshërit dhe prindërit nuk kanë marrë pjesë në ndonjë mbledhje, konferencë apo Kongres të një rëndësie si ai i Përmetit.

Por ndonëse Kongrei i Përmetit ishte vërtet shumë i rëndësishëm (data e tij ishte në stemën e Republikës madje edhe në monedhat metalike) pas Luftës së Dytë ishte shumë e shumë më pas rëëndësisë të Mbledhjes së Themelimit të Partisë, Ditës kur u largua gjermani i fundit, madje edhe Konferencës së Pezës. Më 8 nëntor, vetë ata që ishin pjesëmarrës, nuk ju dukej se po mblidheshin për ndonjë gjë shumë të rëndësishme. Vetëm që tre grupe të bëheshin bashkë dhe duhet të mbështesnin një luftë antifashiste, sepse kështu kishte orientuar Kominterni pas sulmit të Gjermanisë mbi Bashkimin Sovjetik. As mendonin se një ditë do bëheshin ministra. Por propaganda e kishte shënuar atë ditë si pika e kthesës në fatet e Shqipërisë. Kjo shoqërohej edhe me vargjet e poetëve më të mirë, ku njëri syresh shkruante “ O shtëpi qerpiçi, o mure me baltë/ Baltë nga kjo tokë e vuajtur, e lashtë,/ Pragu yt ndante kohërat/ Në atë prag ata hynin/ Jashtë era gjëmonte/ Jashtë gjethet binin.” Dhe ne “pasardhësve” na shkonin mornica në trup , veçanërisht kur recitohej bukur nga ndonjë aktor me zë baritoni.

Në atë mbledhje të themelimit nuk u vendos asgjë me rëndësi, por nga rrethana tepër jo normale, kryesisht në sajë të dështimit të shtresave të pasura shqiptare, 3 vjet e gjysëm më vonë, ata që kishin qënë në atë mbledhje nëntori, vendosën fatin e Shqipërisë për 47 vitet e ardhme.

Pavarësisht se si interpretohen sot vendimet e atij Kongresi, vendimi midis rrjeshtave ishte që Shqipëria nuk do bëhej një vend Demokratik.

Thuhej hapur që KANC ishte i vetmi organ legjislativ dhe ekzekutiv që përfaqësonte popullin shqiptar. Mbi ç’të drejtë shprehej ky përjashtim i të gjithë të tjerëve, mbështetësit e sotëm të komunistëve, mund të thonë se me sakrificat e bëra gjatë luftës dhe me gjakun e dëshmorëve. Por edhe kjo nuk është e vërtetë, se në pranverën e vitit 1944, e ashtuquajtura Ushtri nac-çlirimtare posa kishte dalë nga një shpartallim i shumë brigadave për shkak të Operacionit të Dimrit. Largimi i gjermanëve nga disa zona të Jugut, ku komunistët mund të bënin Kongres nuk ishte rrjedhojë e luftës partizane, por e largimit të tyre gradual nga zonat e parëndësishme të një sipërfaqe tejet të madhe nën kontroll në të gjithë Europën. Pritej zbarkimi i madh i Aleatëve në Europë dhe detyrimisht që gjermanët kishin nevojë për trupa për të mbrojtur Europën Qëndrore, Perëndimore dhe vetë Gjermaninë.

I ndalohej pa asnjë të drejtë kthimi në Shqipëri i Zogut, gjë që ishte komplet për të mos rrezikuar një humbje nëse do kishte zgjedhje demokratike. Mbretëria edhe mund të shpallej jo e ligjshme, se ishte shpallur arbitrarisht, madje edhe Zogu si mbret, por qytetarit Ahmet Zogolli nuk kishte përse t’i ndalohej kthimi në vendin e tij.

Kështu që kjo shpallje krejt e njëanshme e Frontit si e vetmja forcë e ligjshme, ishte preludi i Diktaturës. Ndaj edhe shumë patriotë edhe që kishin qënë antifashistë dhe nuk kishin asnjë bashkëpunim me armikun ikën nga Shqipëria në vjeshtën e vitit 1944. Përvoja e asaj që kishte ndodhur në Rusi para Revolucionit ju pat mësuar se ç’lloj terrori do vinte.

Në mënyrë qsharake, në Kongresin e Përmetit u bënë edhe “gjeneralët” e parë shqiptarë duke nisur nga Enveri dhe Koçi Xoxeja e duke përfunduar tek të tjerë, që nuk kishin asnjë lloj trainimi ushtarak, madje dhe që nuk kishin drejtuar ndonjë betejë ushtarake.

Themelet e Diktaturës u hodhën në Kongresin e Përmetit.

“Po normal” mund të thonë “pasardhësit” nëpër autobuza ndërsa kthehen nga Përmeti duke kënduar këngë partizane.

Nuk ishte normale as në atë kohë dhe aq më pak sot. Ndërsa të njëjtën gjë do bënin diku në Veri apo në Shqipërinë e Mesme, shqiptarët e organizatave të tjera, të shpallnin një organ legjislativ apo ekzekutiv të tyrin, Lufta Civile do ishte e pashmangshme në Shqipëri. Do ndodhte ajo që ndodhi në Greqi dhe që do merrte jetët e shumë e shumë shqiptarëve.

Ndaj Kongresit të Përmetit i duhet vënë “damka” që meriton.

Kongresi që sanksionoi shkatërrimin e ardhshëm të një Shqipërie Europiane. Pasojat e tij po i vuajmë edhe sot.

No comments:

Post a Comment