Saturday, 16 May 2026

Nga “Titujt” dhe nishanet nuk vjen asnjë e keqe!


Osman Gazepi mbetet një nga figurat më komplekse dhe komike të shekullit të XX në Shqipëri. Mes shumë “qyfyreve” të kolonjarit të zgjuar mbetet vënia sipas qejfit e gradave vetes, gjë që e bënte për të qeshur edhe vetë Naltmadhninë e tij, Zogun e Parë, por që e linte Osmanin në detyrat me rëndësi ku e kishte emëruar.

Por të gjithë ne shqiptarët kemi nga një osmangazep të vogël në shpirt se “vdesim për tituj dhe nishane”. Dhe këtë e kanë kuptuar me kohë politikanët tanë, të cilët e kanë shfrytëzuar këtë dobësi tonën për të krijuar tituj pa fund dhe për t’ja dhënë çdo shqiptari para dhe pas vdekjes. Mund të jenë të pakët ata që kanë mbetur pa tituj. Veçanërisht në kohën kur President ishte Ilir Meta, titujt që lëshonte Presidenca ishin aq të shumtë, sa Meta i shkretë nuk arrinte të shkonte në gjithë vendet ku ishin njerëzit, që ju varte nga nje medalje në qafë. Kjo e ndihu për të rënë nga pesha, por e dobësoi për të përballuar një arrestim të mundshëm.

Por tituj nuk jep vetëm Presidenca. Japin Kryeministria, Ministritë, Bashkitë, Prefekturat, Këshillat e Qarqeve, Shoqatat e Profesionstëve madje dhe OJQ-të. Tituj të shoqëruat me objekte që jepen në dorë, me medalje që varen në qafë, me dëshmi të shtypura e të vendosura në kornizë , si dhe me t-shirt ku është stampuar titulli. Sepse do duhen objekte reale që mund ta shoqërojnë atë që merr titullin në banesën e fundit, ose të mbeten për Muzeumet e shumta që po ngrihen dhe do ngrihen në Atdhe.

Më ra në sy një titull i ri, të cilin e jep tashmë (ndoshta i posakrijuar) Këshilli i Qarkut të Korçës dhe që është “Ambasador i Qarkut”. Ide do e quaja gjeniale, po qe se nuk do kërkoja të gjeja në google kuptimin e fjalës ambasador. Dhe zgjodha kuptimin më pak të përdorur dhe që është “Përfaqësues apo promovues i një trupe ose i një veprimi”

Në pamje të parë duket se Këshilli i Qarkut ka të drejtë t’i japë këtë titull dikujt. E megjithatë, në botë, dhënia e një titulli të tillë është shumë e kufizuar. Veç Shteteve që akreditojnë ambasadorë (kuptimi bazë i fjalës) , vetëm Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe institucionet e varura prej saj caktojnë “Ambasadorë të Paqes”, apo të “Mbrojtjes së fëmijëve” e të tjera të kësaj natyre.

Tashmë titullin “Ambasador” mund të ta japë edhe Petrika Tollkuçi dhe ti je përfaqësues i Këshillit të Qarkut të Korçës dhe promovues i veprimtarive që bën ky Këshill. Nuk di nëse të varet një lloj këmbore në qafë, sepse lexova vetëm që i ishte dhënë Koço Qëndros me rastin e mbushjes 99 vjet, por nuk pashë ndonjë video.

Tani i njëjti personalitet (nuk e kam fjalën për Koçon) mund të jetë “Nderi i Kombit”, “Krenaria e Qarkut”, “Qytetar Nderi i Korçës” dhe të marrë edhe titullin “Ambasador i Qarkut”.

E ç’duhet dhe ç’farë mund të bëjë ambasadori i Qarkut?

Të vërtitet nëpër Shqipëri dhe t’ju thotë njerëzve “Transferohuni në Qarkun tonë, se Tollkuçi po e kthen në një kopësht të lulëzuar?” “Ejani sa më shpesh në Qarkun tonë se veç lakrorit me dy petë do shijoni edhe paçet e shumëllojshme, rakinë e manit, sodhanikun dhe cigaridhet?”

Ndoshta i gjithë ky “shpërthim” i imi kundër titujve, vjen edhe nga fakti i thjeshtë se nuk kam marrë asnjëherë qoftë edhe një fletë- lavdërimi. Por edhe nëse është i tillë, një të drejtë e kam, se njoh vetëm dy-tre vetë të rrethit tim që kanë mbetur pa tituj dhe gjithë të tjerët kanë siguruar nga një që jo vetëm mund ta përmendin në CV, por do e kenë në shtëpitë e tyre brez pas brezi (Nëse nuk duan ta kenë me vete në banesën e fundit), Nuk dua gjithashtu, që pasardhësit e mij të mbeten keq, kur bashkëmoshatarët e tyre do ju përmendin se sa tituj kishin stërgjyshet dhe stërgjyshët. Se nëse nuk kam mundësi t’ju le florinj dhe prona, të paktën t’ju lija “titujt dhe nishanet”.

E megjithatë shpresa duhet të humbasë e fundit. Unë ende nuk i kam mbushur të 70-tat dhe deri në pleqërinë e shtyrë kam ende shumë rrugë për të bërë. Koçon e bënë “Ambasador” në moshën 99 vjeçare, kur ndoshta nuk ka mundësi të dalë nëpër Shqipëri dhe të promovojë Petrika Tollkuçin. Mbase pa mbushur të 80-tat (inshallah arrij) edhe mua mund të më bëjnë “Ambasador të Qarkut” ose edhe vetëm të lagjes 7 ku kam jetuar gjatë. Se edhe rajonet dhe lagjet do fillojnë të shpërndajnë tituj.

Për t’i bërë njerëzit të ndjehen “të plotësuar” dhe sidomos për t’ju marrë atë të “flamosurën votë“.

No comments:

Post a Comment