Kam qënë vetëm njëherë në Polenë dhe nuk kujtoj as se përse. Ishte një fshat i njohur për mua që në fëmijërinë e hershme ndoshta nga përmendja e shpeshtë e doktor Polenës. Ishe një lloj shpëtimtari për pacientët e Korçës, sepse ishte i kudogjendur dhe shumë i aftë. Varrimi i tij ndoshta ka qënë me më shumë pjesëmarrës , se çdo proces funeral që kam parë gjatë jetës sime në Korçë. Lajmi se kishte mbaruar në Vienë ishte përhapur si rrufe në qytet pa erdhur trupi i Sotir Polenës.
Më pas kisha dëgjuar për shumë njerëz që mbanin mbiemrin Polena. Gjithashtu edhe për ëpolenakët. Nuk kujtoj nëse kishte superlativa për ta, por për keq nuk i përmendte njeri. Të krijohej përshtypja se kishin qënë mbështetës aktivë të luftës partizane dhe kishin marëdhënie të mira me pushtetin e asaj kohe.
Kur pata hyrë në shkollën e mesme, kisha në klasë dy polenakë dhe paralel me ne ishte dhe një i tretë. Djem të mirë, por “gdhëj” në mësime. Mbiemrat tipike të Polenës – Kallço, Tollkuçi dhe Kostandini. Nuk di se ç’profesione patën pas të mesmes, se dy të parët nuk e përfunduan shkollën me ne.
Kur hyra në punë mësova më shumë rreth fshatit dhe bashkësisë së tij. Ishin shumë punëtorë, ndërtues dhe gurëgdhëndës të mirë dhe të vendosur në fenë e tyre ortodokse edhe pse ishte e ndaluar me ligj. Nuk kishin lënë të hynte në fshat asnjë familje me origjinë myslimane.
Kur punonim për të ndërtuar një lapidar në Ciflig për të përkujtuar dëshmorët e Cifligut rënë kundër turqve dhe dëshmorëve të zonës të rënë gjatë Luftës së Dytë, një karpentier polenak, me të qeshur theshte : “Këtu po punojmë me orë të zgjatura për shkak të Sades së Dërsnikut!” Sadeja duhet të kishte qënë ndonjë komandant ballist që mbase kishte vrarë në atë fshat partizanë. Atëhere mësova se ishin në një armiqësi të përhershme me Dërsnikun, që ishte fshati fqinjë me popullsi muhamedane.
3-4 specialistë ndërtimi që punonin për Atelienë e Monumenteve dhe vinin e shkonin për ditë në Polenë i kisha njohur si specialistë dhe burra shumë të mirë. Nuk pata kuptuar nëse ishin shumë fetarë dhe në kishin ndonjë mllef me dërsnikarët. Nuk besoj se jetojnë, pasi edhe kur i kam njohur para vitit ‘90, ishin në prag pensioni.
Por çudia me këtë bashkësi me karakteristika tepër të veçanta (edhe polenakët që jetonin në qytet ishin po njëlloj) m’u krijua pas vitit 1990, kur gjithshka ndryshoi në Shqipëri. Papritur mësova se Ambasada greke ju kishte dhënë një status të veçantë polenakëve. Në fillim mendova se duhet të kishte lidhje me vendosmërinë e tyre për të mbrojtur fshatin e tyre nga përzjerja me muhamedanë, që ndoshta nuk kishte ndodhur në ndonjë fshat tjetër të Shqipërisë së Jugut. Nuk kisha dëgjuar kurrë që polnakët të kishin qënë filogrekë. Edhe pse me endje isha munduar të gjeja emra prej atij fshati që ishin përzjerë ndonjëherë në çështjen e Vorio-Epirit gjatë 20 viteve të para të shekullit të XX nuk më kishte rezultuar ndonjë prej mbiemrave të njohur të fiseve kryesore. Gjithashtu nuk dija edhe mbështetës të shquar të shqiptarizmës. Një anekdotë kisha dëgjuar për një polenak në Korçë, që lëngonte dhe që të shpëtonte nga lëngimi i zgjatur në ditët e fundit të jetës, të afërmit kishin veshur një djalë të mëhallës si evzon dhe i kishin thënë greqisht- “Patera irthene ta pedhia!” (Baba, erdhën djemtë!) dhe ai kishte mbyllur sytë pasi kishte thirrur - “Zito Hellas!” (Rroftë Greqia!), por e quaja diçka të krijuar për humor dhe jo të tipike tek banorët e Polenës. Fshati vetë ishte shumë larg kufirit dhe edhe pse mund të kishte pasur shumë herët ndonjë shkollë fillore greke, nuk njihja ndonjë polenak të dinte ndonjë fjalë greqisht.
Por kujdesi i shtetit grek për polenakët u shtua dhe ata u paisën edhe me leje qëndrimi në Greqi dhe ndoshta kanë përfituar edhe nënshtetësi të vendit fqinjë?
Si ishte e mundur, që banorët e një fshati pranë Korçës, me asnjë pjerardhje greke, të njohur si punëtorë dhe mbështetës të komunistëve, quheshin veçanërisht të privilegjuar nga Greqia?
Me siguri që vetë polenakët dhe të tjerë në Korçë e dinë përgjigjen e kësaj pyetje, por mua më ka mbetur një lloj enigme, edhe pse jo aq e rëndësishme sa të pyes ndonjë polenak.
Përsëri polenakët me mbiemra Kallço, Tollkuçi, Kostandini, Tanço, Polena dhe të tjerë janë ende të renditur në masë në krahun e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht gëzojnë statusin e privilegjuar në shtetin grek. Por unë nuk dua ta quaj atë bashkësi “Kali i Trojës” brenda shqiptarizmës së korçarëve. Nuk di që ata të kenë kryer ndonjë akt në dëm të integritetit tokësor të Shqipërisë, a të kenë shërbyer si agjentë të shërbimeve sekrete të vendit fqinj.
Veçse sot më ra në sy një lajm, i shkruar nga dikush i quajtur Arben Llalla, dhe që bënte fjalë për disa formacione paramilitare greke të quajtura Legjioni i Shenjtë 2012. Llalla shkruan se bazën në vizitat e tyre të shpeshta në Shqipëri këto grupe paramilitare e kanë në Polenë. Shtiren se janë fetarë, por vetëm të tillë nuk mund të jenë, sepse kryqi dhe pushka nuk kanë asgjë të përbashkët.
Nëse kjo nuk është një gënjeshtër e madhe, dhe nëse ju të dashur polenakë punëtorë, bujarë, të vendosur dhe jo të shkëlqyer si inteligjentë, i pranoni këta në fshatin tuaj, duhet ta dini se është krim që bëni jo vetëm kundrejt Shqipërisë, por edhe ndaj vetes!
Nuk duhet ta bëni këtë as për hir të statusit të privilegjuar që kini nga Greqia!
Njerëzit me uniformë dhe që kanë një kryq në bustinë, janë po aq të rrezikshëm sa kamikazët e ISIS.
Dëbojini nga fshati juaj nëse ju vijnë në të ardhmen!
Atyre dhe flamurit të Vorio-Epirit (një sajesë krejtësisht larg të vërtetës) do ja u shihni sherrin në të ardhmen.
No comments:
Post a Comment