Wednesday, 27 May 2026

Kurban Bajrami në Shqipëri


Dikur, disa vite pasi feja ishte lejuar në Shqipëri, një miku im, që mundohej të gjente të meta mes myslymanëve më tregonte se për Kurban Bajram, besimtarët e bënin therrjen e bagëtive të imta në mes të njerëzve, madje përpiqeshin ta mundonin kafshën që therrnin. Unë nuk kisha parë ndonjëherë dhe më dukej si e çuditshme, se nuk kuptoja pse duhej një barbarizëm i tillë. Për më tepër kisha mësuar se ajo sakrificë kishte lidhje me ngjarjen e Abrahamit (Ibrahimit) në Dhjatën e Vjetër dhe nuk kishte asnjë kuptim që dashi i dërguar nga Allahu për të zëvndësuar Ishmaelin (Ismailin) të therej duke e munduar.

Ende nuk kam parë këtë rit, që bëhet në muajin e fundit të kalendarit hixhra dhe që është një festë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës mes njerëzve.

Edhe të krishterët ortodoksë e kanë traditën e sakrificës së qengjit për Pashkë, që gjithashtu ka lidhje me Abrahamin, vetëm që nuk e kanë në një ditë të caktuar. Ndaj çdo lloj aludimi për mizori ndaj kafshëve prej muhamedanëve në ditën e Kurban Bajramit mendoj se është pjellë e fantazisë të atyre që përçmojnë Islamin dhe duan t’i paraqesin si barbarë.

Në Shqipëri ka shumë qasje të ndryshme ndaj besimeve fetare. Ato fillojnë nga ato të ateistëve që janë kundër çdo feje, tek ato të armiqësisë ndaj besimeve të tjera dhe besimtarëve të tyre dhe deri tek toleranca fetare me të cilën mburremi. Nuk di se si është përqindja e njerëzve që janë fanatikë agresivë dhe e atyre, që janë tolerantë, sepse nuk ka sondazhe të sakta për këtë qëllim. Dhe është e çuditshme, se në Shqipëri bëhen sondazhe se a ishte veshur bukur të themi Grida Duma dhe nuk studiohen çështje themelore të shoqërisë fetare.

Unë sërish quaj më të rrezikshëm militantizmin ateist të shumë shqiptarëve, që i paraqesin fetë si e keqja e madhe e Shqipërisë dhe që thonë “fetë i sollën pushtuesit”, sikur të bëhej fjalë për ca sëmundje ngjitëse që ne, paganët e pastër të trojeve të Ballkanit nuk i kishim.

Edhe pse nuk jam besimtar dhe në traditën familjare kam besimin ortodoks, përsëri do pranoja më mirë të ishim një Republikë Islamike se sa një Republikë Ateiste. Këtë të fundit e provuam mbi kurriz për një kohë të gjatë dhe e dimë se sa e egër ishte.

Militantizmi ateist është i njëjtë me fanatizmin fetar. Vërtet fanatikët dhe pjesa e tyre më e papërmbajtur sjellin rrezikun që një shoqëri të ketë konflikte mes saj, por nuk njihen përplasje të hapura dhe masive të tilla mes palëve as në kohën e Perandorisë Otomane dhe as në kohën e Shtetit shqiptar para Luftës së Dytë Botërore. Ndaj vahabistët apo fondamentalistët e krishterë më trembin po njëlloj sa militantët ateistë, pikërisht se janë kundër Lirisë së të tjerëve.

Ne kemi pasur fatin që të kemi një pjesë jo të vogël të popullsisë bektashinj, që janë sekti më tolerant i islamizmit. Madje kjo ka qënë edhe arsyeja përse ky sekt rebel u përjashtua nga Turqia dhe u detyrua të kishte Kryegjyshatën Botërore në Tiranë. Ka qënë edhe mes pjesëve të popullsisë shqiptare që kanë bërë më shumë për Pavarësinë e Shqipërisë.

Të tjerë miq të mij këmbëngulin se shumica muhamedane e popullsisë shqiptare bën që të mos kemi Demokraci dhe përmendin një fakt (të rremë), se nuk ka vende islamike që të kenë sistem demokratik. Ju jam përgjigjur, që nuk është e vërtetë dhe ju kam përmendur Bosnjën, Indonezinë dhe Pakistanin, por nga paragjykimet të gjithë e kemi të vështirë të çlirohemi. Kjo edhe për shkak të propagandës së vazhdueshme shqiptare të 170 viteve të fundit, se “fajet për prapambetjen tonë i ka Perandoria Otomane”. Po nëse në kohën e Rilindjes kjo propagandë ishte e kuptueshme për të krijuar Ndjenjën Kombëtare që tek ne mungonte, ishte e padrejtë që u përdor në periudhën e Diktaturës dhe përdoret edhe sot.

Komunistët e përdorën kryesisht nga ndikimi i rusëve, që kishin pasur Turqinë një armik tradicional dhe që vazhdonin ta kishin në kohën e Luftës së Ftohtë. Më pas mbeti si një autosugjestionim i joni që “dembelizmin dhe korrupsionin i kemi peshqesh nga turqit”. Ne ishim dembelë dhe të korruptuar që pa hyrë otomanët, se ashtu ishte e gjithë Europa Romane dhe ajo Bizantine. Madje edhe më të prapambetur se turqit, se ishim vendi më i prapambetur europian dhe të gjitha vendet europiane ishin më prapa otomanëve. Reformacioni që ndodhi në vendet e fesë katolike është më i vonshëm se hyrja e otomanëve në Shqipëri dhe shumë më i vonë është edhe zhvillimi europian që ai solli dhe që e shpuri Europën Perëndimore shumë më para se Bota otomane.

Por këto duhet t’i kemi të ngulura në mendje dhe të mos i trembemi shikimit përbuzës që mund të ketë një pjesë e shoqërisë europiane e krishterë ndaj myslymanëve.

Ne jemi këta që jemi për shumë arsye historike dhe nuk ka pse të ndjehemi me turp se besojmë në një nga fetë abrahamike. Njerëzit kanë të drejtë të zgjedhin besimin fetar që ju vjen për shtat dhe nëse janë besimtarë të vërtetë janë edhe tolerantë dhe të dashur me të gjithë.

Kështu të mësojnë Bibla dhe Kurani.

Gëzuar Kurban Bajramin të gjithëve!

No comments:

Post a Comment