Tuesday, 12 May 2026

A ishte Zogu paranoiak?


Qasja ime dhe e miqve të mij të të njëjtit brez është lëkundur nga ajo e parjes së Zogut si një “shtetar karikaturë“, tek ajo e dyshimit se “ç’mall ishte” dhe deri në vlerësim si një reformator, imitues i Ataturkut.

Vetë ende nuk e kam të qartë se ç’farë ishte në të vërtetë Naltmadhënia nga Burgajeti. “Uzurpator i pushtetit”, “politikan race atdhedashës”, “diktator i një lloji të veçantë“ apo diçka nga të gjitha të mësipërmet. Ka disa fakte të cilat i pranojnë të gjithë edhe përkrahësit dhe kundërshtarët e betuar, që ka qënë më i riu mes politikanëve që ka luftuar për Shqipërinë dhe që ka dëshmuar trimëri. Gjithashtu ka dhe fakte të tjera të gjithëpranueshme, që kundër tij ka pasur disa kryengritje dhe shumë atentate. Tregues të një pakënaqësie të shumë shtresave për drejtimin e shtetit prej tij. Gjithashtu edhe me një finale largimi nga vendi me pasuri të mëdha të fituara mbi ligje të shpallura prej tij.

Por a ka qënë paranoiak?

Duke qënë “thuajse Diktator” është gati e pamundur që të mos ketë qënë i tillë. Për më tepër duke pasur shumë armiq të betuar, të cilët i kishte dënuar me vdeke ose burgim të përjetshëm në mungesë dhe si të tillë nuk mund të ktheheshin më në shtëpinë e tyre në Shqipëri.

Ka një ngjarje, e cila është lakuar shumë nga regjimi komunist dhe që është arrestimi i një numuri të madh komunistësh apo agjitatorë të komunizmit në janar të vitit 1939. Propaganda e Partisë së Punës e paraqiste si një ngjarje të madhe politike ku “Qemal Stafa kthehej nga i akuzuar në akuzues” dhe të tjera dëngla të ngjashme. E gjithë ngjarja nuk ishte diçka shumë e bujshme, sepse të arrestuarit nuk ishin njerëz të njohur në Shqipërinë e kohës.

Pikërisht për këtë dua të nënvizoj se Zogu ka pasur një lloj “tmerri” nga lëvizjet e majta dhe përhapja e ideve të social-demokracisë apo dhe të komunizmit në Shqipëri. Sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe, se si në mes të janarit të viti 1939, vetëm 3 muaj e gjysëm para se të ikte nga Froni, Zogu dhe Sigurimi i tij Publik merrej me komunistët, pjesa më e madhe e të cilëve ishin këpucarë, furrxhinj, çirakë dhe nxënës shkollash.

Mund të ketë edhe një lloj shpjegimi tjetër, që për të tërhequr vëmendjen e publikut nga problemi i një pushtimi të mundshëm nga Italia, Zogu urdhëronte arrestimin e komunistëve, që ishin prej kohësh në përgjim.

Por frika e Mbretit të vetëshpallur shqiptar ndaj lëvizjeve politike të majta ka qënë konkrete, sepse është pasqyruara në Kushtetutën e tij. Në një kohë që vendi kishte fare pak industri dhe thuajse aspak sindikata dhe proletariat.

Përse arrestohen mbi 70 vetë të cilësuar si komunistë ? A kishte vërtet rrezik që “bolshevizmi” të përhapej dhe të rrezikonte pushtetin mbretëror?

Të ashtuquajturit komunistë u mbajtën vetëm dy javë nën hetim dhe plot 73 vetë u nxorrën para gjyqit dy javë më vonë. Në dukje një proces tepër i përciptë, ose e ashtuquajtura organizatë që mund të tentonte përmbysjen e rendit as ekzistonte. Dhe pa u mbushur muaji nga arrestimet, 50 të pandehur u dënuan me burg nga disa muaj dhe deri në 10 vjet për propagandë komuniste. Katër vetë me 10 vjet dhe pikërisht të njohurit Zef Mala, Niko Xoxi, Vasil Shanto, drejtues të Grupit Komunist të Shkodrës. Me një fjalë ishte një “Diktaturë mbretërore”, që nuk lejonte as të flitej pro komunizmit.

Gjykata u detyrua të shpallte të pafajshëm 23 vetë, që nuk kishin pranuar akuzën se flisnin pro komunizmit.

Edhe një herë po i kthehem idesë, se Ahmet Zogolli, si çdo Diktator, duhet të ketë qënë edhe paranoiak ndaj mundësisë se mund të bëheshin komplote apo lëvizje për ta rrëzuar nga froni, që duhet ta pranojmë se e kishte uzurpuar. Nga një shtet me elementë demokratiko-liberale, i posaformuar dhe i brishtë, që ishte në fillimin e viteve ‘20 të shekullit të XX, Zogu me dorë të fortë dhe terror e ktheu në një Diktaturë, të cilës i dha edhe një formë Mbretërore.

Nëse bëjmë një paralele me kohën e tij dhe kohën e sotme, kam bindjen se Saliu dhe Rama i ngjajnë më shumë Zogollit se Hoxhës. Por duke shtuar se pavarësisht të majta apo të djathta, Diktaturat kanë shumë ngjshmëri. E megjithatë, duke shtuar elementët e korrupsionit financiar, dy ‘liderët” e sotëm ngjasojnë më shumë me Naltmadhninë se me Komandantin.

Dhe të dy janë paranoiakë. Një provë më tepër edhe për mundësinë e paranoiës tek Zogu.

No comments:

Post a Comment