Saturday, 9 May 2026

Morali i shoqërisë korçare në vitet e kulmit të zhvillimit të saj


Ndonëse mund të mos gjej shumë mbështetës në këtë tezë, unë kam bindjen se Korça pati kulmin e zhvillimit të saj ekonomiko-shoqëror në periudhën 1936-43 dhe prej atij viti nisi e tatëpjeta. Ata që e kundërshtojnë me të drejtë mund të thonë se mbi cilat kritere dhe të dhëna statistikore unë e bazoj këtë deklaratë. Mund të përmendin edhe se kulmi i njëqyteti arrihet kur ka edhe numurin më të madh të banorëve dhe që përkon me fundin e viteve 80 të shekullit të XX, por unë do përpiqem më poshtë të jap vetëm pak arsye se përse kam dalë në këtë përfundim dhe më pas të shtjelloj, se cili ishte morali i shoqërisë korçare në vitet që unë i quaj si vitet e kulmit të zhvillimit.

Në fund të mbretërimit të Zogut, Korça ishte qyteti me numurin më të madh të banorëve, kishte prodhimin industrial më të madh në vend, ishte një nyje tregëtare e fuqishme dhe kishte prodhimin bujqësor dhe blegtoral më të madh në vend si prefekturë. Jo më kot kishte edhe numurin më të madh të deputetëve (nëntë) në Parlamentin shqiptar. Gjithashtu kishte numurin më të madh të shkollave si dhe një jetë shoqërore-kulturore të përparuar. E gjitha kjo ishte e shoqëruar me një bum të ndërtimeve private, si dhe me ndërtimin e një sërë objektesh të mëdha të karakterit administrativ, fetar dhe shoqëror. Fuqizimi financiar arriti majën në fillimin e vitit 1943.

Nëse pas Luftës së Dytë, popullsia u rrit në mënyrë të shpejtë, kjo ishte një rritje jo e natyrshme dhe jo e bazuar në ligjet e një ekonomie të shëndoshë. U hapën edhe shumë fabrika që nuk ishin rentabël për shkak të një sistemi të planifikimit qëndror dhe të bazuar mbi pronën shtetërore. Këto fabrika kishin nevojë për fuqi punëtore, e cila solli dhe migrimin e brendshëm nga fshatrat dhe qytezat drejt qytetit. Unë nuk kam asnjë dyshim, se nëse sistemi ekonomiko-shoqëror do kishte mbetur i pandryshueshëm, Korça do ishte bërë një qëndër e fuqishme industrialo-tregëtare e Shqipërisë dhe numuri i popullsisë, të themi në vitet ‘60, do kishte arritur 50-60 mijë banorë. I tillë ishte grafiku i saj i zhvillimit në gjysmën e parë të shekullit të XX.

Le të parashtroj disa ide rreth asaj që është tema e këtij shkrimi.

Cili ishte morali i shoqërisë së Korçës në vitet kur pati arritur zhvillimin më të madh.

Ka një vjershë satirike të Kristaq Cepës në ato vite, ku goditet prapambetja shoqërore dhe kulturore e Tiranës, që ishte kryeqytet i vendit. Eshtë reflektim i drejtpërdrejtë i asaj, se si bashkësia korçare, sheh shoqërinë e kryeqytetit, të paaftë për tu modernizuar, për të mbajtur pastër qytetin dhe për tu veshur në mënyrë bashkëkohore në një masë të madhe.

Korça ishte pikërisht e kundërta. Mundohej të mbante një hap në ndërtime, veshje dhe zakone jo vetëm me qytetet e zhvilluara të Ballkanit, por edhe me ato të Europës Perëndimore. Kam përmendur në shkrime të tjera ndikimin e madh të emigrantëve, që përgjithësisht ktheheshin në qytet, ndikimin e Liceut Francez dhe të shkollave të tjera të mira, si edhe këmbimet e shumta tregëtare me Italinë. Sytë e shoqërisë korçare ishin shumë më shumë të drejtuar nga Italia se sa nga qytetet e mëdha greke.

Kur përmendin moralin unë mendoj se janë disa shtylla kryesore të tij. Qëndrimi ndaj punës dhe ligjeve, raportet mes njerëzve dhe veçanërisht në transaksionet financiare, shikimi i familjes dhe të ardhmes së saj, si dhe liria apo shtrëngimi seksual.

Korça (dhe këtu po përfshi gjithë prefekturën) ka qënë zona ku jo vetëm punohej më shumë, por kishte edhe shumë më pak korrupsion, nëse krahasohej me prefekturat e tjera.

Raportet mes njerëzve vazhdonin të ruanin traditën e Mesjetës, ku ishin shumë të vlerësuara Nderi dhe Fjala e dhënë. Ka qindra e qindra shembuj që shumë marëveshje edhe të rëndësishme mbylleshin dhe respektoheshin me një të shtrënguar të dorës. Po shtoj edhe diçka tjetër për vlerësimin dhe nderimin e qytetarëve të rëndësishëm. Rakoja (Irakli Qiriaku) ishte jo vetëm tregëtari më i fuqishëm në qytet, por edhe me diferencë të madhe nga gjithë tregëtarët e tjerë. E megjithatë ai nuk ishte një njeri që nderohej. Arsyeja ishte se Rakoja i përkishte tipit të tregëtarit të një kapitalzmi të egër, që mund të përdorte çdo lloj veprimi të paskrupullt për të shtuar fitimet dhe për të fundosur konkurentët. Jeta e tij shoqërore nuk kishte asnjë lidhje me atë të së quajturës Paria e Korçës.

Për sa i përket familjes, duhet të themi se nuk mund të përcaktojmë një qëndrim unik të pjesëve të veçanta të shoqërisë korçare. Eshtë fakt se kishte dy bashkësi, madje edhe një të tretë , që ishte ajo e romëve.

Edhe pse raportet mes të krishterëve ortodoksë dhe muhamedanëve në përgjithësi ishte i mirë, shikimi i familjes dhe rolit të individëve brenda saj nuk ishte i njëjtë. Feja dhe zakonet luanin rol në të.

Tek pjesa ortodokse, ndiqeshin parimet e ngjashme me ato të fqinjëve të tjerë ortodoksë. Një familje e shëndoshë, ku rolin drejtues e ka burri, por gruaja “qeveris” shtëpinë dhe kujdeset edhe për edukimin e fëmijëve, por edhe me një prirje që të kenë mundësi të shkollohen sa më mirë. Edhe pse fëmijët meshkuj konsideroheshin disi më të favorizuar, përsëri kishte një lloj pariteti dhe vajzat kishin nisur të shkolloheshin edhe në Universitete të huaja.

(vijon)

No comments:

Post a Comment