Monday, 18 May 2026

Diçka rreth Izraelit larg teorive komplotiste (2)

 


(vijim)

Ecuria dhe veprimtaritë e shtetit dhe shoqërisë izrailite deri në vitn 1990 ishin shumë të kushtëzuara dhe të varura nga Lufta e Ftohtë. Kuptohet edhe nga interesat gjithnjë në rritje për naftë, pasi rezervat më të mëdha dhe prodhimi më i madh në atë kohë ishte në vendet e Lindjes së Mesme. Vendet e NATO-s dhe veçanërisht SHBA kishin një mbështetje thuajse pa kushte ndaj Izraelit, ndërsa një pjesë e vendeve arabe, përfshi këtu edhe Iranin e kohës para Shahut, ishin në krahun e Bashkimit Sovjetik. Por mbështetja amerikane ishte edhe më e plotë dhe me shuma të mëdha financiare për shkak të lobit të fuqishëm amerikano-hebre në SHBA. Izraeli ka marrë vazhdimisht shuma marramendëse finanaciare nga shteti amerikan dhe nga hebrejtë e pasur të Amerikës. Në atë mënyrë shteti i ri ishte në gjendje të financonte hebrej nga Europa, Afrika dhe Azia, që të vinin në Izrael familisht dhe të kishin menjëherë strehim dhe punë.

Por ndërtime shoqërish në mënyrë artificiale, me bashkësi që vijnë nga Siberia dhe deri në Marok, detyrimisht do ketë pasoja. Edhe pse mund të duket se feja ishte lidhësi mes grupeve të ndryshme, duhet thënë se njerëzit jo të gjithë janë fetarë dhe duke ardhur nga vende me zhvillime shumë të ndryshme ekonomiko-shoqërore detyrimisht do kenë jo vetëm synime të ndryshme në jetë, filozofi të ndryshme por edhe qëndrime politike tepër të të ndryshme.

Në Izrael ka dy grupime kryesore të popullsisë që janë ashkenazi (ashkenaz) dhe sefardi (sephardi). Kjo ndarje, e cila ka pasur fillimisht një kuptim gjeografik për shkak se grupimi i parë ka qënë kryesisht në Europën Qëndrore dhe i dyti kryesisht në Spanjë, më vonë është bërë një ndarje edhe në praktikat fetare. Përgjithësisht sefardi janë më ortodoksë në kuptimin e fesë, por edhe ortodoksët ashkenazi nga ritet fetare dhe varësia anojnë nga të parët. Ortodoksët dhe ultraortodoksët dominojnë spektrin e djathtë politik të shoqërisë izraelite dhe në 40 vitet e fundit kanë dominuar jetën politike të Izraelit ndonëse ashkenazit përbëjnë shumicën e popullsisë. Gjithashtu ortodoksët janë në rritje sepse kanë traditë të lindin shumë fëmijë, në ndryshim me popullsinë hebre që është pak ose aspak fetare.

Sefardit, që kanë pasur qëndrimin shumë të hershëm në Spanjë, të dëbuar në kohën e Inkuzicionit u shpërndanë kryesisht në Afrikën e Veriut, Turqi dhe në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Azisë. Përgjithësisht rrjeshtohen në partitë e djathta dhe të ekstremit të djathtë dhe ironikisht janë ata që tundin më shumë flamurin e krimeve të Holokaustit, ndonëse ishin ashkenazit ata që u shfarosën në kampet e përqëndrimit. Që prej vrasjes së kryeministrit Itzhak Rabin më 1995 nga një i ri sefardik, në politikën e shtetit të Izraelit ndodhi një kthesë e madhe. Nuk dua të them se më parë shteti i Izraelit nuk kishte “shtypur” arabët e Palestinës, por krahu më i moderuar, ai i Partisë Laburiste kishte qënë shumë kohë në pushtet dhe idea e “tokë në këmbim të paqes” ishte dominuese në pjesën më të madhe të shoqërisë së Izraelit. Idetë më ekstremiste dhe raciste të së djathtës izrailite morrën hov me ardhjen në pushtet të Bibi Netanjahut në vitin 1996. Duhet pranuar që partia Likud, që drejtohet nga Netanjahu nuk është një parti e ekstremit të djathtë, por gjithnjë e më tepër ajo nisi të bëjë të sajat idetë e partive të ekstremit të djathtë dhe të atyre fetare, me të cilat ka bërë aleancë për të patur mundësi të qeverisë.

Në këto 30 vite, shumica nën qeverisjen e Likud dhe Bibit, u shtuan politikat kundër Paqes, që janë kryesisht ndërtimi i vendbanimeve të reja për hebrejtë (new settlements) të cilat janë thuajse të gjitha në territoret që duhet të ishin të shtetit palestinez të ardhshëm. Vendabanimet e reja kryesisht të banuara nga hebrej të ardhur nga Afrika dhe Azia, janë vatrat e konflikteve të pandërprera mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe ato që shkatërrojnë plotësisht mundësinë e zgjidhjes “Dy shtete”. Bregu Perëndimor tashmë është një bombë e madhe me sahat, që mund të pëlcasë sakaq dhe të ketë të njëjtin fat të Gazës.

Por edhe në Gaza, ku kryeministri Ariel Sharon hoqi vendbanimet çifute në vitin 2005, duke e lënë krejtësisht në zotërimin e palestinezëve, izolimi dhe papunësia mes rinisë ka bërë në dy dhjetvjeçarët e fundit, që gjendja të bëhej e padurueshme dhe Hamasi të merrte drejtimin duke mënjanuar Autoritetin Palestinez të Mahmud Abazit, një adminitratë tejet e korruptuar dhe që nuk ka mbështetjen e shumicës së palestinezëve në të gjitha territoret ku jetojnë.

Hamasi u bë “partneri” i pandashëm i Bibi Netanjahut dhe i politikave të tij, që vazhdimisht bëheshin edhe më represive ndaj palestinezëve si dhe ndaj procesit të një Paqeje afatgjatë. Bibit i duhej Hamasi për të justifikuar idenë se me palestinezët nuk mund të bëhet marëveshje, se janë terroristë dhe se duan të fshijnë nga harta shtetin e Izraelit. Edhe ekstremistëve të Hamasit ju duhej një qeveri represive për të mbrojtur idenë që Izraeli është armik i përhershëm i palestinezëve dhe vetëm me zjarr mund të detyrohet të bëjë paqe, ose më mirë akoma, nga terrori, izrelitëtë të fillojnë të largohen në masë andej nga kanë ardhur. Bibi u përpoq hapur, që shtetet e Gjirit, veçanërisht Katari të furnizonte me mjete financiare Hamasin duke qënë në dijeni të plotë të punëve për sistemin e tuneleve dhe futjen e armëve dhe raketave në mënyra të ndryshme.

Nuk është rastësi që politikani i moderuar Barguti, me mbështetjen më të madhe nga palestinezët mbahet ende në burgjet e Izraelit edhe pse qindra e qindra të burgosur politikë palestinezë janë lënë të lirë. Dhe Bargutin nuk e duan as Autoriteti Palestinez dhe as Hamasi, por e do populli palestinez. Dhe sigurisht që Bibi dhe ekstremistët e tjerë nuk e duan të lirë dikë që mund të kontribuojë për paqen dhe “zgjidhjen Dy shtete – Izrael dhe Palestinë”. Premtimin për ta falur Bargutin nuk e mbajti as Shimon Perez kur u zgjodh President, pavarësisht se konsiderohet si politikani më i moderuar izraelit i 50 viteve të fundit.

(vijim)

No comments:

Post a Comment