Ndonjëherë kur mendoj se cili është identiteti im, më kujtohet një shqetësim i një mikes sime në Tiranë, që para 4 vjetësh ishte e shqetësuar se ne shqiptarët po e humbisnim identitetin tonë kombëtar. Edhe pse u çudita, reagova jo ashpër, se me të nuk takohem shpesh. Ndoshta thashë diçka si - “po çështë në vetvete ky identiteti jonë kombëtar”, por më pas nuk hyra më në diskutim.
Unë mendoj se jam një strukturë disi e komplikuar qelizash, që kam parë (nuk jam i sigurt nëse fëmijët shohin që sa dalin) dritën në një ndërtesë që e quanin Materniteti i Korçës, pas 9 muajve në errësirë në barkun e nënës sime. Më pas, sërish në sajë të nënës u ushqeva dhe nisa të mësoja si të komunikoja me të dhe qëniet e tjera të ngjashme që ishin përreth. Përpjekjet e mija të mëparshme për të komunikuar me klithma dhe të qara ishin shëndrruar në rrokje dhe buzëqeshje. Më vonë më thanë se kisha nisur të flisja shqip. Më patën mësuar edhe të ktheja kokën kur më dhërrisnin me një dyrrokësh, që ishte emri që më kishin vënë. Unë i thërrisja të tre njerëzit që shihja më shpesh me nga një dyrrokësh, që ishte thuajse një rrokje e përsëritur dy herë. Nuk di se në ç’kohë mësova që jetoja në një qytet që e quanin Korçë, por përsëritja çdo gjë që më theshin se “aq mend kisha”. Pa mbushur tre vjet më shpinin edhe në një godinë, ku kishte edhe qënie të tjera në moshën time dhe që kalonin më të shumtën e kohës në krevat
U zgjata pak për të thënë se kur i rikthehem fëmijërisë nuk jam aspak i sigurt se kur mësova se isha shqiptar dhe se i përkisja një vendi që quhej Shqipëri. Nuk kisha tru të zhvilluar për të imagjinuar një botë më të madhe se Korça, madje dhe atë vetëm në disa rrugë dhe bulevarde dhe me njërëzit që silleshin në to, disa prej të cilëve më përkëdhelnin dhe unë i shihja me ngazëllim.
Ndoshta që ishim pjesë e një hapësire që quhej Shqipëri duhet ta kem mësuar për herë të parë kur shihja librat e Diturisë së natyrës së motrës sime, që është 5 vjet më e madhe se unë. Më parë më kishin mësuar në kopësht emrat Parti dhe xhaxhi Enver.
Por nuk dua të bëj me faj as Partinë dhe as Enverin, madje as prindërit dhe edukatoret, që nuk më kishin ngulur herët ndjenjën e shqiptarizmës. Madje im atë ishte përpjekur duke të na lexuar me pathos “Bagëti dhe Bujqësi” të Naimit, por nuk di pse përshtypje më linin vargjet-”kur dëgjon zërin e nënës, qysh e le qingji kopenë“, se ato “Ti Shqipëri më ep nderë, më ep emrin shqipëtar”. Mbase se të parat ishin jo abstrakte dhe me sytë e mendjes unë endesha në një kodër të bleruar, ku një qingj i vetmuar sulej me vrap të shkonte tek nëna e tij.
E megjithatë, deri në çastet që shkruaj, kam qënë i bindur që jam shqiptar, sepse kështu më kanë thënë, dhe se në gjuhën shqip mendoj. Rrallë më kalojnë në mendje mendime apo fraza në anglisht, që është gjuha ime e dytë. Dhe nuk ndjehem kurrë kanadez, edhe pse kam 29 vjet që jetoj në këtë vend. Në kartën time të identitetit (që është pashaporta ime kanadeze), veç emrit dhe ditës së lindjes kam të shënuar që jam i shtetësisë kanadeze dhe kam lindur në Korçë të Shqipërisë.
Por a është ky identiteti im i plotë dhe a jam unë larg “identitetit kombëtar”?
Përsëri do thellohem në atë, nëse unë kam një identitet të caktuar veç gjeneraliteteve, se të përcaktoj se cili është identiteti jonë kombëtar, ose se ç’është një shqiptar tipik mesatar.
Kam mësuar gjatë jetës një profesion, sikundër shumica dërmuese e njerëzve në këtë botë, Nuk jam besimtar i ndonje feje, por ndjek ndonjëherë ritet e traditës familjare. Nuk i ve duart para gjoksit për shqiponjën se më duket një ide idiote dhe provokuese, përveç edhe se më ngjan vetja si grua që do të mbulojë gjinjtë që ka jashtë. Kur dëgjoj Himnin Kombëtar ndjej një lloj emocioni edhe pse e di që në thelb është i gabuar se flet për armiq dhe tradhëtarë. Ndjek se ç’ndodh në Atdhe se atë shoqëri e njoh më mirë dhe jam më i ndjeshëm rreth saj. Indinjohem më shumë me “maskarallëqet” e shqiptarëve se me ato të përfaqësuesve të kombeve të tjera. Dëgjoj më pak këngë pop shqip se sa të vendeve perëndimore europiane. Më pëlqen të pi raki më shumë se sa ndonjë pije tjetër edhe pse nuk jam pijetar. Kam një gamë shumë të pasur sharjesh në shqip, të cilat i përdor shpesh kur flas me vete. Kur shikoj një lokal pronë shqiptarësh shkoj në të dhe nëse nuk zhgënjehem nga shërbimi vazhdoj të shkoj. Nuk i them sherrit lepe, por edhe nuk largohem lehtë nga sherrri. Kam kuptuar se të jesh krenar dhe ta manifestosh atë është cilësi e njerëzve jo me shumë mend, por megjithatë ende nuk jam në gjendje të jem thellësisht modest.
Nuk di nëse kjo më bën një njeri me një identitet të caktuar dhe nëse më afron apo më largon me atë që shumë quajnë identitet kombëtar.
(vijon)
No comments:
Post a Comment