Abuzimi me pushtetin (edhe me të thjeshtën gjë që ke në dorë) ësjtë karakteristika kryesore e shoqërive të prapambetura. E kemi parë në çdo aspekt të jetës nën Diktaturë. Abuzonin thuajse të gjithë. Nga Diktatori dhe deri tek kapteri i thjeshtë, që ishte magazienier i depove ushtarake dhe që “mund të ta nxinte jetën” se nuk e kishe pastruar mirë automatikun apo se pelerina prej muashamaje, kishte një birë që nuk e kishte pasur më parë.
Ata që nuk abuzonin me “atë që kishin në dorë“ ishin njerëzit më të mënçur, më mendjehapur dhe më të formuarit si karaktere. Ata kishin kuptuar që të abuzoje ishte jo vetëm miopi, por edhe mendjelehtësi edhe mungesë e lirisë vetiake. Por nuk ishin të shumtë. E megjithatë hasje jo pak në rradhët e mësuesve, mjekëve dhe shkencëtarëve. Ndonjëherë edhe tek ndonjë përfaqësues i ligjit.
Për fat të keq, edhe pse kanë kaluar më se 50 vjet nga koha e fëmijërisë dhe adoleshencës së brezit tim, abuzimi me pushtetin nuk është pakësuar. Madje duke qënë “levë“ kryesore e “të kapurit ndonjë lek”është bërë edhe më masiv. Tani sheh nëpunës nga më të rëndomtët, që i bëjnë teje të vështira proceset e shërbimit ndaj qytetarëve për të krijuar mundësinë e “xhvatjes”, ose edhe thjesht për ‘të të quajtur nder” diçka, të cilën e kanë për detyrë ta bëjnë. Ka raste që të tilla “abuzime” kanë kaluar në çmenduri kriminale, se ju është refuzuar shërbimi mjekësor njerëzve që ju rrezikohej jeta.
Eshtë një nga dukuritë më të urryera të një shoqërie. Ndodh jo rrallë që njerëz “që kanë pak në dorë“ ja u bëjnë jetën të vështirë grave dhe vajzave të bukura për të fituar favore seksuale dhe ju duket edhe si ‘po normal, unë dua të fle me atë pjeshklën”.
Dua të ilustroj më pishtë këtë dukuri me një sjellje tërësisht “idiote” të një “institucioni” që “ka në dorë një shërbim ndaj qytetarëve”.
Eshtë përgjigja e fundit që kam marrë nga Biblioteka “Thimi Mitko” në lidhje me një kërkesë të thjeshtë për leximin nga ana ime të numurave të një gazete të vitit 1937. E kam prekur në dy shkrime të ashpra dhe disa lexuesve ju krijohet përshtypja se po “bëj shumë zhurrmë për asgjë“, por e gjitha ka të bëjë me “murin” që krijojnë ata që kanë diçka në dorë. Në rastin tim nuk është ndonjë dëm i madh për “qytetarin viktimë“, por në raste të tjera si në kthimin epronave, në legalizim të ndërtimeve , në pjesëmarrje në tendera etj etj. e njëjta dukuri është me pasoja të llahtarshme.
Po ve sërish të plotë përgjigjen e “Thimi Mitkos” ndaj kërkesave të mija. (Askush nuk ve emrin si punonjësi që merret me rastin tim, ndaj dhe unë do i referohem emrit të rilindasit të ndjerë.)
Eshtë qesharake, se si “Thimi Mitko” këmbëngul për të mos bërë shërbimin ndaj një lexuesi. Tani nuk mund të mbrohet më pas ligjeve dhe rregulloreve të sajuara, por shpik ‘ngritjen së shpejti të një domeni publik”. Dhe pikërisht “Thimi Mitko”, që prej 5-6 vitesh që ka ndërruar shtëpi, nuk ka as librat që kishte për t’ja u vënë në dispozicion lexuesve.
Eshtë në mënyrën më të qartë abuzimi me diçka krejt të vogël që “Thimi” ka në dorë. Logjika se “kujton ti se do marrësh ato që kërkon pas gjithë atyre sulmeve që ke bërë ndaj meje?!”
Po e përsëris edhe njëherë se çdo qytetari shqiptar, që ndeshet me sorrollatjet nëpër zyrat e administratës së çdo niveli në Shqipëri, shqetësimi im mund t’i duket qesharak. Por është e njëjta dukuri. Në këtë rast, sorollatja që më bëhet mua nuk më bëhet për të kërkuar para, por thjesht për të treguar se ne jemi dhe “Ali dhe Kadi” dhe po mos dish të sillesh, dimë ne si të sillemi me ty.
Prandaj edhe kokëfortësia e këtij rasti e bën “Thimi Mitkon” edhe më miop, edhe më rropullipërzjerës.
Ndoshta duke qënë në këtë “biznesin e leximit”, punonjësit e Bibliotekës do arrijnë të lexojnë më mirë edhe këto rrjeshta, edhe emailet e mija, për të kuptuar se po dëshmojnë gjithnjë e më tepër se sa pak fara kanë brenda kafkave të tyre.
No comments:
Post a Comment