Monday, 18 May 2026

Diçka rreth Izraelit larg teorive komplotiste (fund)

 


(vijim)

Cdo krim mbi qytetarët e pambrojtur, nga cilido që kryhet, është mbi të gjitha krimet që njeh shoqëria njerëzore. Eshtë më dramatik kur me qetësi dhe në mënyrë sistematike i mbledh njerëzit dhe i shpie drejt krematoriumeve apo dhomave të gazit, është edhe më i tmerrshëm kur përdor bombën atomike që ju heq edhe lëkurën nga trupi, por gati njëlloj është edhe kur me kallashnikov i “korr” gratë e fëmijët. 100 vitet e fundit janë plot me raste të tilla terrori, të cilat kryhen pabesisht mbi njerëzit e pambrojtur. E tillë është edhe masakra e tetorit e kryer nga Hamasi mbi qytetarët e pambrojtur të Izraelit. Ka vetëm një ndryshim, që masakra e Hamasit ka në rrënjët e saj hakmarrjen ndaj krimeve të të terrorit të shtetit të Izraelit mbi palestinezët.

Por masakra e Hamasit duhej dënuar me forcë nga të gjithë ata që duan që çështja e Palestinës të zgjidhet. Madje edhe nga vetë palestinezët, sepse nëse nuk janë të verbër, ata nuk ka si të mos kenë kuptuar në 80 vjet se terrori sjell edhe më shumë terror dhe e bën të ardhmen e tyre edhe më të errët.

Por ajo masakër, veç ekstremistëve arabë, gëzoi edhe njerëzit e kallëpit të Netanjahut dhe të politikanëve racistë izraelitë. Ajo ishte një lloj “kartabianka”, që ata të vinin në jetë planin e tyre të hershëm, të varrosjes së idesë së “Dy shteteve”. Nuk është e pamundur që shërbimet sekret izrailite të kenë ditur përgatitjet e Hamasit dhe krerët e Izraelit të kenë lënë qëllimisht të ndodhë. Një shtet me shërbime sekrete, që dinë se kur dhe ku do mblidhen krerët e Iranit, se ku jetojnë shkencëtarët persianë që punojnë për pasurimin e uraniumit, është e pabesueshme të mos dijë se çndodh në oborrin e pasëm të tij, ku paguajnë mijëra palestinezë të jenë informatorë.

Por edhe nëse pranojmë se ajo ishte një “ulje e vigjilencës” dhe hebrejtë u gjendën të papregatitur, sërish kjo nuk justifikon genocidin që ushtroi Izraeli ndaj banorëve të Gazës për dy vjet me rradhë.

Shkallëzimi i terrorit shtetëror izraelit, ka të bëjë me rrethanat tepër të veçanta politike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk mund të kishte ndodhur kurrë në periudhën prej vitit 1990 dhe deri më 2017, edhe pse shkallëzimi tepër gradual prej vitit 1996 po ndodhte.

Ardhja e Trump në Shtëpinë e Bardhë zgjoi endrrën e Netanjahut se nuk do kishte më kurrë shtet palestinez. Bibi, mik e familjes së Kushnerit, dhënd[rit të Trump njihte mirë edhe mbështetjen e “The Donald” për Izraelin dhe për mungesën e çdo parimi njerëzor të tij. Në marëdhënie të këqija me Obamën, por edhe me shumë udhëheqës europianë, ai e pa ardhjen e Trump si shpëtimin e tij personal(ende në gjyqe për korrupsion), por edhe si moment të një ndryshimi rrënjësor të qasjes amerikane dhe europiane ndaj çështjes palestineze. Më parë ai kishte ndikuar në mënyrë indirekte, me skifterët Volfovic dhe ndonjë tjetër të bindte administratën amerikane për goditjen paraprake të Sadam Hyseinit, i cili i ndihmonte luftëtarët, por edhe terroristët dhe kamikazët arabë. Por tashmë mund të bindte drejtpërdrejt “kaqolin” Trump për të fshirë Gazan nga harta, si dhe për të bërë atë që asnjë President amerikan nuk kishte guxuar më parë- Të sulmonte Iranin.

Duhet të përmend atë që mendoj për regjimin e mullave në Iran. Eshtë një regjim që ushtron terror mbi popullin e vet dhe që ndihmon grupet terroriste antiizrailite në Lindjen e Mesme. Edhe pse vlen për të diskutuar se sa ndërhyn Irani në punët e të tjerëve nëse krahasohet me shtetet demokratike të SHBA dhe Izraelit, përsëri ekzistenca e një regjimi fetar fanatik është shumë e dëmshme për popullin iranian në rradh të parë, por edhe për mundësinë e Paqes në Lindjen e Mesme.

E megjithatë kjo nuk justifikon as qëndrimin e SHBA, që “Irani nuk duhet të ketë në asnjë mënyrë armë bërthamore”. Të tilla në rajon kanë Izraeli dhe Pakistani, si dhe në një të ardhme jo të largët do kenë edhe Arabia Saudite dhe Turqia. Nuk ka asnjë logjikë, që t’i imponohesh një shteti me popullsi gati 100 milionshe për të mos bërë atë, që ju është lejuar të tjerëve. Por le të themi se interesat e Paqes në rajon e kërkojnë që Irani mos jetë forcë bërthamore dhe për këtë bien dakord të gjithë vendet e rëndësishme në botë dhe përpiqen të bëjnë një marëveshje si ajo që bëri administrata e Obamas. Edhe pse mund të mos jetë e drejtë në sytë e iranianëve, ka një sens logjik. Por të vrasësh shkencëtarët dhe të bombardosh impiantet ku punohet është terrorizëm. Aq më tepër është e pamoralshme dhe e dënueshme të sulmosh në shkallë të gjërë me bomba dhe raketa dhe të vrasësh udhëheqësit politikë të një vendi. Pavarësisht se cilët janë, se ç’bëjnë brenda vendit të tyre dhe se ç’deklarata bëjnë kundër të tjerëve. Njerëzimi ka krijuar ligje për këtë dhe këto ligje i ka hartuar vetë SHBA, e cila i ka shkelur dhe po i shkel edhe më keq sot.

Por për tu kthyer tek shteti dhe shoqëria e Izraelit, që janë subjekt i këtij shkrimi, për fat të keq duhet thënë që kanë rrëshqitur drejt një mendësie nazi-fashiste, që çdokush më parë do kishte menduar se do ishin të fundit në botë , që mund të arrinin në këtë “derexhe”. Krimet në Gaza, sjelljet e ushtarëve izrailitë dhe pandjeshmëria e shoqërisë izrailite ndaj tyre është diçka që të tmerron. Ishte e natyrshme që kjo do ringjallte antisemitizmin kudo në botë. Dhe për fat të keq të të gjithëve, kjo do sjellë konflikte pas konfliktesh, në të cilat më të humbur kanë për të dalë vetë hebrejtë.

Eshtë jashtëzakonisht çnjerëzore, që nipi i një 30 vjeçari të pafajshëm të ekzekutuar në dhomat e gazit në Aushvic, të sulet si i tërbuar dhe të vrasë një grua të pafajshme palestineze. Eshtë diçka që vërtet të bën të mendosh se kjo botë po shkon shpejt drejt Apokalipsit.

Eshtë e tmerrshme të mendosh se një shoqëri demokratiko-liberale, me njerëz të shkolluar më së miri, ësht mbi 80% në mbështetje të Netanjahut për luftën në Iran. Të duket se në një të ardhme jo të largët, nëse regjimi mullave rrëzohet, apo nëse Irani shkatërrohet plotësisht, hebrejtë e Izraelit do nisin të thërrasin “Hail Bibi!”

Sigurisht që frika dhe propaganda ndikojnë në trushpëlarjen edhe të të shkolluarve. Ka ndodhur me popuj të tjerë perëndimorë. Por nëse hebrejtë janë po aq të verbër sa palestinezët, që të mos kuptojnë se zinxhirri i terrorit është një zinxhir që këputet vetëm kur shkatërrohen të gjithë pjesëmarrësit, atëhere nuk kanë mësuar dot asgjë nga historia e përndjekjeve të popullit të tyre.

Shteti i Izraelit është një fakt i pranuar thuajse nga të gjithë vendet e botës dhe që duhet të pranohet edhe nga ata që nuk e njohin ose nuk kanë me të marëdhënie diplomatike. Por vetë qeveritë izrailite duhet të heqin dorë nga terrori shtetëror apo nga idetë për një Izrael të Madh. Vetëm në atë mënyrë kanë për tu njohur nga të gjithë edhe si faktor paqeje dhe zhvillimi, sikundër ka qënë qëllimi i pjesës më të mirë të shoqërisë hebre. Nëse mendojnë se janë më të përparuarit, më të pasurit dhe më të fortët ushtarakisht në rajon dhe për këtë arsye duhet të bëjnë ligjin, atëhere fatkeqsisht do jenë në këtë cikël të pambaruar luftrash, të cilat nuk ka se si mos trondisin shoqërinë e tyre.

Por hë për hë duket se megjithë trysninë e madhe të të gjithë hebrejve të mençur dhe paqedashës në botë, shoqëria izrailite nuk është në gjendje t’i përmbysë me votë ekstremistët.

Ndoshta do duhet një mrekulli nga ato që ndodhin herë herë në ato troje të lashta dhe të mbushura me drama të banorëve të tyre,


No comments:

Post a Comment