Tuesday, 19 May 2026

A është i besueshëm Endri Meksi?


Hasa në YouTube në një emision ku “rrëfehej” Endri Meksi, një njeri i biznesit në Tiranë që ka edhe një kanal televiziv të quajtur MCN. Fliste rreth AKSH-it dhe botës së koklavitur të IT të Tiranës dhe bënte një lloj denoncimi të probleme që kishte pasur vetë me AKSH-in dhe veçanërisht me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin. Bënte dhe një lloj mea culpa që nuk kishte folur më parë dhe të denonconte aferat e pista që dinte dhe që i kishin prekur edhe interesat e tij. Por tani kishte nisur ta bënte dhe si pasojë edhe kishte pasur kërcënime nga njerëz të panjohur dhe që sipas tij mund të lidhen me botën e krimit, por edhe me njerëzit në pushtet.

Kisha një lloj ideje se ishte i biri i Leka Meksit, por nuk kisha qënë ndonjëherë kureshtar të mësoja rreth tij. Botën e Tiranës e njoh shumë pak dhe gjithashtu shumë pak më ka interesuar, se më duket sa më shumë të mësoj rreth saj aq më tepër do më rritet dëshpërimi për gjendjen e shoqërisë shqiptare.

Endri më la përshtypjen e dikujt që i dinte mirë gjërat e biznesit të tij dhe se si luhet loja e parave të shtetit n[ Tiranë. Ndaj u bëra kureshtar dhe mësova në google se kishte mbaruar matematikë dhe kishte disa biznese, me të cilat (si e pranoi vetë në bisedën e djeshme) “bënte pare dhe financonte edhe kanalin televiziv MCN”.

Po a është i besueshëm në denoncimet e tij Meksi?

Po kthehem pak tek i jati, ish kryeministri shqiptar, edhe pse e di që disa nga miqtë e mij do më kritikojnë duke thënë se “s’ka faj Endri për mëkatet e Lekës dhe s’ka as ndonjë linjë fitimesh të lidhura me korrupsionin e ish kryeministrit.”

Lidhja që bëj vjen nga zhgënjimi im i plotë me Aleksandër Meksin, që në vitin e parë të qënies të tij si kryeministër. E kam njohur pak si pedagog dhe si reçenzent të punës sime të diplomës dhe kisha patur përshtypjen e një studiuesi të zotë dhe të ndershëm intelektualisht. 5 vitet në krye të qeverisë shqiptare e treguan se ishte i rremë. Meksi jo vetëm që ishte i korruptuar (pavarësisht se shumat e përfituara prej tij kanë qënë minimale nëse i krahasojmë me Nanon, Metën, Berishën dhe tani Ramën), por nuk kishte as një fije burrërire të bënte diçka për Shqipërinë në kohën e tij. Ai është shkaktari numur 2 i asaj që ndodhi në vitin 1997. Nëse do kishte dhënë dorëheqjen në dy muajt e parë të atij viti (gjë që kërkohej nga populli) katrahura e llahtarshme nuk do ndodhte.

Por do më duhet të kundërshtoj veten dhe të them që nuk është e thënë se i jati ka qënë i rremë dhe i korruptuar i tillë duhet të jetë dhe i biri. Nuk ka përse edhetë sjell si shembuj Zenin e Saliut, djalin e Gramoz Ruçit, djemtë e Servet Pëllumbit dhe plot djem e vajza politikanësh, që “kan bo pare” duke qënë të korruptuar (qoftë mendërisht) si baballarët e tyre politikanë.

Por Endri nuk është i besueshëm në ato që thotë vetë. Disa herë deklaroi se ai nuk ka asnjë lidhje me politikën si për të thënë që e kaluara e të jatit nuk ka asnjë ndikim në karrierën apo në qëndrimet e tij.

Po përse i duhet televizioni MCN Endri Meksit? Hobi? Për të zhvilluar kulturën gazetareske të vërtetë në Shqipëri?

Televizioni i financuar nga Meksi merret “bajagi” me politikë. Ndonjëherë qëllon të shoh ndonjë emisinon të tij, sepse flasin gazetarë që i cilësoj të papërlyer dhe që ftohen rrallë në kanalet kombëtare. Madje i jepet mjaft vend edhe Arlind Qorrit, rreth të cilit ka heshtje të plotë në shumicën e mediave shqiptare.

Po përse duhet që Endri të thotë se nuk ka asnjë lidhje me politikën? Për ta dëgjuar Rama dhe të mos i ndërpresë plotësisht ato kontrata që merr nga qeveria tejet e korruptuar e tij?

Unë nuk jam aq naiv sa të mos kuptoj se Endrit i duhet televizioni edhe për të “luftuar” në botën e komplikuar të Tiranës. Prej televizioneve tremben politikanët e korruptuar dhe prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar. Me një kanal televiziv mund të jesh “faktor” në Tiranë. Mund të fitosh edhe shumë nga buxheti i shtetit duke “monitoruar” sektorin e basteve ilegale, sikundër ka një nga aktivitetet e tij të biznesit Meksi.

Por edhe pse nuk je as Ergys Agasi dhe as Ermal Beqiri, vetëm miqësia me ta të njollos. Dëshmon se ti je pjesë e një sistemi të fëlliqur që qëllimin e ka të “bëjë pare” sa më shpejt, sa më lehtë dhe në mënyrë sa më spekulative. Ndaj edhe pse pa mustaqe e Lekës, Endri është po aq i korruptuar intelektualisht (dhe realisht) sa babai i tij. Ndoshta me ndryshimin se Leka nuk pozonte me puro të trasha Havane, si i pëlqen Endrit dhe që është tipike për të gjithë “biznesmenët e ndershëm” të Tiranës.

No comments:

Post a Comment