Dikush më dërgoi një video të këngës “Nan” në skenën e Eurvizionit 2026. Më tha që kënga e jonë ka hyrë në natën finale dhe kjo më gëzoi. Ndjehesh mirë, kur kultura e vendit tënd të vogël renditet mes më të mirave të kontinentit më të kulturuar.
Diku pashë edhe një titull gazete, që Alis emocionon dëgjuesit dhe juritë. E dëgjova dy herë këngën dhe nuk më emocionoi, por kjo ndodh edhe me këngë shumë të famshme të huaja. Shpesh herë emocionet janë në varësi të gjendjes shpirtërore vetiake në çastet kur e dëgjon këngën. Por më pëlqeu që kënga ishte prej fillimit dhe deri në fund në gjuhën tonë. Më duket absurde që të krijosh këngë në gjuhën angleze sepse është më e njohura apo se në këtë mënyrë mund të shesësh më shumë disqe.
Nuk dua të hyj në trajtimin muzikor ala himn, i cili bën efekt tek dëgjuesit, por në këtë rast ishte jo në harmoni me ndjenjën mesazh të nënës që i mungojnë fëmijët e ikur jashtë Shqipërisë. Dramaticiteti muzikor ishte tejet i tepruar.
Por atë që dua të nënvizoj është fakti se në këtë rast ne përcjellim ndjenjat e një shoqërue gati feudale, e cila jo vetëm nuk përkon me kohët moderne, por nuk është as tipikja për të gjithë shoqërinë shqiptare. Një këngë me një tekst të tillë do ishte e tepruar edhe në vitet “Lëndinës së Lotëve”, kur nënat ndaheshin nga bijtë duke mos ditur se kur do i shihnin, apo edhe nëse do ktheheshin të gjallë nga punët e rënda në Amerikën e zezë.
C’farë tregon kënga në vetvete?
Një grua e kaluar në moshë ( por jo në mykët) që i ka përcjellë me zemër të thyer fëmijët në emigracion dhe të cilës i duket jeta tërësisht bosh pa ata.
Jeton ditët e muajt me shpresën se ata do vijnë për vizitë dy javore apo njëmujore në verë.
Kjo nuk është bota e sotme shqiptare dhe as realiteti i diasporës në Europë apo në anën tjetër të Atlantikut. Eshtë realiteti i një shoqërie patriarkale, ku gruaja e mbetur pa burrë nuk ka asnjë lloj interesi tjetër në jetë veçse të ketë fëmijët nëpër këmbë dhe mundësisht të ndihë për të rritur nipërit dhe mbesat. Edhe se mund të ketë një lloj romantiçizmi për atë lloj jete, ajo jo vetëm ka perënduar për shumicën e familjeve shqiptare, por njëkohësisht edhe nuk ka nevojë ta kërkojmë të kthehet.
Nëse gruaja e “Nan” nuk e kalon pragun e shtëpisë, por vetëm përcjell prej tij fëmijët dhe po atje i pret me zemër të dredhur atëhere kjo grua është vetëm dikush që i përket një kohe tjetër. Madje as në kohën e këngës “Mbeçë more shokë mbeçë“, ku djali shkon nizam i detyruar nga pushtuesi i huaj dhe mbetet i vrarë në shkretëtirën e gadishullit arabik, për nënën që nuk e kalonte pragun, populli këndon me një dhimbje të bukur, por jo me dramticitetin e këngës të vitit 2026.
“Në pyestë nëna për mua
I thoni që u martua
Në pyet se ç’nuse mori,
Dy plumba kraharori.
Oiiiii...”
Nëse gruaja-nënë e sotme ka zgjedhur të mos bëjë gjë tjetër , por veç të presë me plagën e braktisjes në shpirt atëhere diçka tepër të prapambetur ka në shoqërinë të cilës i përket. Dhe realiteti nuk është i tillë, se nënat shpesh shkojnë dhe jetojnë në vendet ku kanë fëmijët, bashkë me ta ose në vende ku pensionistët jetojnë me ndihmë nga shteti. Por edhe nëse e ka të vështirë jetën në një vend të huaj, jo vetëm që distancat tani janë bërë të vogla, por edhe gruaja-nënë ka diçka më shumë të bëjë me jetën e saj se sa “të mundohet të flakë divanet ku nuk ulet më njeri”.
Duke shkruar këto rrjeshta, dua të jem i gabuar dhe të kem shkelur padashje mbi parimin kryesor të artit që është ndjeshmëria e artistit dhe ngjyrimi edhe i theksuar që ai mund t’i japë një ndjenje apo në dukurije. Por nëse mund të të trondisin vargjet “Kostandin të ardhtë gjëma/ Martove Dhoqinën larg” kjo ndodh se ti hyn në atë botë, kur nëna drithërohet se nuk mund ta shohë dot vajzën e vetme të martuar shumë larg, sepse e tillë ishte mundësia e asaj kohe. Dhe kjo të bën edhe të ndjesh si të natyrshme ngritjen nga varri të vëllait, që ka lënë të mbetur vetë nënëkorbën dhe shkon për të mbajtur premtimin për të sjellë motrën nga vendi i largët.
Diçka mesjetare, si të Kostandinit ka edhe në veshjen e këngëtarit Alis në skenën e Eurovizionit që bën edhe më mesjetare ndjenjën e tij të dhimbjes për nënën e braktisur.
Duke dashur ta mbyll me një ngjyrim pozitiv këtë shkrim, më duhet të shtoj se hiperbolizimi është pjesë e artit dhe ndonjëherë edhe i domosdoshëm për të përcjellë një mesazh të caktuar. Por njëkohësisht mbart edhe rrezikun të kthejë veprën e artit në qesharake. Kjo e fundit nuk ka ndodhur me artistin Alis, as edhe në çastin kur nëna e veshur me kostum popullor i heq syzet e diellit. Ndoshta sepse janë i vetmi element që nuk shkon me kostumin e tij kalorsiak mesjetar.
Por le t’i urojmë fitoren në natën finale!
No comments:
Post a Comment