Ishin disa reagime të miqve të mij, që kundërshtonin thelbin e shkrimit tim “Kurbeti dhe kënga “Nan””, të cilat më shtynë të bëj një shtesë të shkrimit të parë, për ta shtjelluar më mirë atë që mendoj rreth muzikës dhe më shumë rreth tekstit të këngës në fjalë.
Dua të përmend edhe një këmbim që kam pasur 20 vite më parë me pedagogun tim Tefik Caushi, kritik i njohur arti, të cilit i pata kërkuar të shkruante një pasthënie për vëllimin tim me poezi “Endem”.
Ndër sugjerimet e para të estetit të ndjerë ishte që duhet të kisha shkruar më shumë vargje rreth ndjenjave që i lindin një emigranti larg vendit të tij. Dukej që idea e tij bazohej në mendësinë “kurbeti kjo plagë“, që ishte kultivuar në kohën para Luftës së Dytë, por që ishte shumëfishuar nga propaganda komuniste. Partia mburrej se një nga arritjet më të mëdha të saj ishte se kishte “shëruar plagën e madhe të kurbetit” dhe se njerëzit mund të punonin dhe jetonin të lumtur pranë familjeve të tyre. E vërteta ishte se njerëzit jo vetëm nuk lejoheshin të emigronin, por ju ishte ndaluar edhe familjeve të bashkoheshin me baballarët e tyre që jetonin vetë në “dhe të huaj”. Trembem se kjo pjesë e propagandës jo vetëm ekzistonte në mendjen e pedagogut tim të nderuar, por është ende në mendjet e shumë njerëzve të brezit tim, veçanërisht të atyre që jetojnë në Shqipëri.
Të them të vërtetën unë ndjehem ende i huaj në Kanada, por “drama” ime është se ndjehem edhe më i huaj në Shqipëri. Ndaj dhe në poezitë e mija shumë shumë rrallë ndjehet malli për Atdheun apo “mallkimi” ndaj atyre që “shpikën kurbetin”. Të emigruarit është një shkallë lirie, që njeriu e ka që në çastin e lindjes dhe e ka ushtruar gjithë jetën.
Por le të kthehemi tek ndjenja tjetër dhe që është ajo e nënës së braktisur, që pret fëmijët me zemër të drithëruar. Ose le të themi se në mënyrë alegorike është Shqipëria e braktisur nga të rinjtë dhe që pret që një ditë ata të kthehen dhe t’i risjellin gëzimin.
Si e pata përmendur, nëna e braktisur që sheh kotësinë në jetën e saj dhe ngushëllohet vetëm me idenë se fëmijët do kthehen qoftë për pak kohë është dikush, fajin të cilës nuk ja ka kurbeti, por mendësia e saj për një familje patriarkale, kur të gjithë hanë të gjitha vaktet sëbashku në një tryezë, në krye të së cilës qëndron ajo se burri i ka vdekur. Kjo lloj jete ka perënduar me kohë për italianët, grekët dhe turqit dhe po perëndon natyrshëm edhe tek ne. Janë kohë (të mira apo të këqija) kur familjet copëzohen në qeliza të vogla dhe shkojnë atje ku mund të gjejnë punë.
E megjithatë unë nuk këmbëngul që një artist mos emocionohet dhe mos shkruajë një vepër arti të tillë. Gjithashtu edhe dëgjuesit mund të emocionohen dhe të derdhin lotë. Por ka emocione që bazohen mbi një realitet të vërtetë dhe të tilla që krijohen nga sugjestionimi. Ne kemi kaluar një periudhë kur na i kishin bërë “lavazh” trurit dhe emocionoheshim dhe përloteshim jo vetëm për “gërshetin e prerë, që do përdorej në vend të rripit të pushkës”, por edhe për fëmijët e vendeve kapitaliste që e festonin 1 majin duke derdhur lotë.
Në të gjitha vendet e zhvilluara perëndimore, shtetet kanë legjislacion që lejon marrjen e prindërve. Ndaj rastet e braktisjes janë vetëm për tre kategori : kur fëmijët nuk kanë dokumenta atje ku jetojnë; kur prindërit nuk duan të largohen nga shtëpia e tyre dhe kur fëmijëve nuk ju bie ndërmend për prindërit. Të tre rastet ndodhin, por vetëm i pari mund të të prekë pak telat e zemrës. Një emigracion i detyruar për shkak të keqqeverisjes së Shqipërisë. Të tjerët janë zgjedhje të njerëzve që mund të jetojnë larg fëmijëve, ose të fëmijëve, të cilëve nuk ju bie ndërmend për prindërit. Rasti i fundit sipas mendimit tim është i rrallë tek shqiptarët.
Le të presupozojmë se “Nan” si vepër arti ka një mesazh më të madh dhe është ai i Shqipërisë nënë, që nuk do t’i ikën fëmijët. Unë mendoj se ka ardhur tashmë koha, që jo vetëm kufijtë e kombeve të bëhen më “porozë“, por edhe të mendohet seriozisht nga të gjithë për një të ardhme pa Kombe. Si e kam përmendur në disa shkrime të tjera, nocioni i Kombit është vetëm 250 vjeçar dhe si i tillë detyrimisht do jetë i përkohshëm. Do shkojnë 50, apo 70 apo 150 vjet të tjera unë nuk e kam idenë, se gjithshka në botën e sotme rrjedh në mënyrë të rrufeshme. Por është e pashmangshme. Dhe kështu që kënga “Nan” nuk mund të ketë një mesazh universal, nëse është konceptuar si raporti Shqipëri dhe shqiptarë.
Le ta mbyll me një mendim që nuk është i imi, por mund t’ju shkojë në mendje shumë lexuesve. “Dëgjo këngën dhe shijoje dhe nuk ka nevojë të merresh me gjithë këto filozofira! Janë vetëm tre minuta art.”
Ndoshta ashtu duhet të bëj, por ja që kënga në fjalë ka më shumë jehonë se çdo këngë tjetër e vitit dhe për të është preokupuar edhe burri i Lindas që ju bën thirrje shqiptarëve ta votojnë.
Ndaj dhe unë u rreka për më shumë se 20 minuta për të shkruar të dy shkrimet pasi kisha shpenzuar 6 minuta për ta dëgjuar dy herë.
Por që të fitojë Eurovizionin dua edhe pse do i japë një shans më shumë Ramës për të thënë se tashmë kemi hyrë në Europë.
Go Alis!
No comments:
Post a Comment