Saturday, 2 May 2026

Petrika Pllaha dhe Kolegji “Preka”


Petrika Pllahën e kam njohur në vitin 1992. U emërua drejtor i Drejtorisë Arsimore prej nga varej edhe Qëndra Ekonomike e Arsimit , ku punoja ato kohë. Kisha dëgjuar që ishte nga mësuesit më të mirë të fizikës në Korçë dhe e njihja si fytyrë, por nuk më kishte lidhur puna. I takonte edhe një brezi shumë vite para brezit tim. Kur u njohëm më pat përmendur edhe një lidhje miqësie mes familjes së tij dhe familjes së babait tim. Nuk dija shumë hollësi rreth Pllahave, veç që ishin një familje shumë e mirë korçare dhe kishin qënë të kamur. Naum Pllahën, kushëririn e tij të parë e pata njohur, se bënte gjithë punën planifikuese të Seksionit të Arsimit në kohën e Diktaturës. Një njeri zotni.

Petrika kishte vrullin dhe idealizmin e dikujt, që donte të kthente sistemin e vjetër arsimor, në një sistem të lirë dhe modern. Me njohuritë që kam nuk di se sa arriti, sepse për atë gjë nuk mjafton vetëm vullneti i një njeriu. Duhen edhe shumë bashkëpunëtorë dhe për fat të keq Pllaha nuk kishte të ngjashëm rreth tij. Madje kishte dhe nga ata që abuzonin pas shpinës së tij.

Por sot dua ta kujtoj mikun tim të vetëm 4-viteve, për diçka, që vërtet ja dhuroi Korçës dhe nga e cila kanë dalë kaq breza nxënësish të formuar mirë, dhe shumë syresh shkëlqejnë sot në botë.

E kam fjalën për Kolegjin “Preka”, ose që ndryshe quhet Shkolla e Maltës.

Në vitin 1991 ishte ngritur në Korçë një degë e misionit të Nënë Terezës, ku jetonin disa murgesha (njëra prej tyre kosovare) dhe një prift katolik kanadez At Gery Uolsh (Garry Walsh). Nuk di se si u njoha me At Gerin, ndoshta gjatë përpjekjeve që ai bënte për të marrë një truall nga shteti për të ndërtuar Kishën Katolike. U takova disa herë me të, sepse më pëlqente të flisja anglisht, një gjuhë që e kisha mësuar në shkollë, por e kisha tepër pasive. Trualli u miratua dhe Kisha nisi të ndërtohej sipas projektit të arkitektit Arben Spaho. Në vitin 1992, At Gery më kërkoi të takoja dy gra të pasura nga Malta, Kisha Katolike e të cilës dukej se ndihte drejtpërdrejt Kishën e Korçës. Nuk di nëse jam i saktë, por njëra quhej Lilien dhe tjetra Frensis dhe donin të shihnin mundësinë për të ngritur një shkollë në Korçë, për të ndihmuar Universitetin Fan Noli dhe për të bërë edhe ndonjë gjë tjetër në dobi të qytetarëve të Korçës. Njoftova Petrika Pllahën për dëshirën e tyre dhe më sugjeroi të kërkoja ngritjen e një shkolle profesionale me drejtim shkencat kompjuterike. I shoqërova dy zonjat nga Malta në disa nga shkollat në zonën pranë Universitetit dhe ju përcolla idenë se nevoja e jonë më urgjente ishte një shkollë profesionale me drejtim kompjuterik. Nuk jam i sigurt nëse u takuam me to dhe At Gerin edhe me Petrika Pllahan. Vetëm mbaj mend mirë, se u koordinuam edhe me shokun tim Edi Joxhen për një vizitë në universitet si dhe një vizitë me to në Dardhë, ku biseduam edhe me rektorin e asaj kohe Dhimitër Skënde.

Zonjat ishin vërtet gra serioze dhe të vendosura dhe pasi pëlqyen godinën e Shkollës së Ulët të Ndërtimit, premtuan se do bënin ç’ishte e mundur edhe pranë qeverisë së Maltës për të ngritur shkollën. Mbajta një korrespondencë via faks me to, ku parashtronim me hollësi nevojat për degët e shkollës profesionale dhe për numurin e mundshëm të nxënësve. Dhe mundësia e shkollës u bë reale, me ndryshimin se ata kishin vendosur të ngrihej një shkollë e mesme e përgjithshme me programet në anglisht. Petrika dhe ne të tjerët ishim entusiastë, se po i dhurohej një shkollë e vërtetë qytetit.

Këtu nis merita tejet e veçantë e mësuesit të shquar të fizikës. Kishte dhjetra pengesa për miratimin e shkollës, që nisnin me një pakënaqësi të Kishës Ortodokse në Korçë, për rrezikun e përhapjes së katoliçizmit dhe pengesat bëheshin dhjetë herë më të vështira në Tiranë, në Ministrinë e Arsimit. Me një vullnet të admirueshëm, Petrika bëri përpjekje pas përpjekjesh për ndryshime në legjislacionin për shkollat e huaja private. Shumë bëri edhe për të bindur “anadollakët” e Ministrisë se nuk bëhej fjalë për një shkollë fetare. Përpjekje për të siguruar miratimin dhe liçencën e Kolegjit, që do administrohej dhe drejtohej nga një përfaqësuesit e një Urdhëri Murgjish Katolikë maltezë. Dhe pas më shumë se një viti ja arriti! I dhuroi qytetit të tij një institucion tepër serioz. Jam i bindur se pa përpjekjet e paepura të Pllahas, ai projekt kishte për të mbetur në mes të rrugës.

Godina e mirë e shkollës u përshtat për kushtet që kërkonin ata që do e administronin, me ndihmë financiare nga Malta. Në javët e fundit të gatitjes së saj, u vizitua edhe nga Guido del Marko, që disa vite më parë kishte qënë zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Gjatë gjithë kohës që kryheshin punimet, Petrika ndiqte nga afër ecurinë si dhe shihte me vëmendje programet e hollësishme shkollore të shkollës. Administratorët morrën si mësues thuajse të gjithë mësues nga Korça, që dinin mirë anglisht dhe disa lëndë i jepnin vetë. Pllaha bënte shpesh shaka për afërinë e tij me murgjit dhe me “rrezikun” të kthehej murg edhe vetë. E shihja me admirim dhe gëzohesha që ja doli.

Shkolla(nëse nuk gaboj) i hapi dyert për nxënësit në shtatorin e vitit 1993 dhe prej asaj kohe, me gjithë skepticizmin e shumë arsimtarëve të gjimnazeve të Korçës, filloi të ngrihej në nivelet më të mira dhe në shumë drejtime t’ja u kalonte shkollave me traditë dhe me trupa mësimdhënieje të konsoliduara.

Gjtihnjë kam pritur me interes të dëgjoja fjalë të mira për Kolegjin “Preka” dhe besoj se Petrika ka pasur një ndjenjë shumë herë më të fortë.

U largova nga Korça në verën e vitit 1997 dhe edhe pse pyesja për Petrikan, nuk di se sa kohë vazhdoi të drejtonte Drejtorinë Arsimore. Vite më vonë mësova me keqardhje që ishte ndarë shumë herët nga jeta. E dija që kishte probleme shëndetsore, por nuk besoja se mund të ikte aq shpejt. Një njeri i mënçur dhe i drejtë. Një njeri i përkushtuar ndaj arsimimit të brezave të rinj. Një njeri që nuk trembej se me vendimet e tij mund të bënte edhe armiq.

Ishte aq i mirë, i mënçur dhe i pastër shpirtërisht Petrika Pllaha.

Vetëm me atë shkollë që i dha qytetit duhet të jetë në Panteonin e Korçarëve të Urtë.


Shenim: Ne foto Joe Steinberger, Petrika Pllaha dhe Sotiraq Gjata

No comments:

Post a Comment