Wednesday, 6 May 2026

Ku haje ti student?


Pyetje shumë e përgjithshme, sepse studentëtë janë të shumtë në botë dhe gjithashtu janë shumë të ndryshme kohët e studentëve universitarë. Në kohët e para Luftës së Dytë, ishte karakteristikë e studentëve në Europë të kishin vështirësi për të ngrënë. Gjelltoret dhe restorantet ishin të shtrenjta dhe një pjesë jo e vogël, hante pensioneve dhe shumë herë nuk kishte të paguante për “vaktin” e ardhshëm. Nuk kishte hyrë ende sistemi i konvikteve dhe mencave, që është dukuri kryesisht e pasluftës së Dytë, Ka dy vargje të këngës së njohur të Aznavur “La Bohemë“, ku jepet në mënyrë konçize se ç’ndodhte me një student arti në Paris në vitet ‘30.Unë që ngordhja urie/ Dhe ti që pozoje nudo

Por situata ndryshoi veçanërisht në vendet e quajtura socialiste, ku Universitetet dhe arsimimi u bënë “pronë e të gjithëve”. Të njëjtin model ndoqën edhe vendet perëndimore europiane dhe jeta e studentëve edhe pse e varfër nuk ishte më ajo, kur duhej të punoje ose “të pozoje nudo” për të përballuar studimet.

Por unë të gjitha këto i kam të lexuara se njoh vetëm kohën kur kam qënë vetë student në Tiranë dhe edhe pse shteti kishte krijuar menca për studentët, ushqimi përgjithësisht linte shumë për të dëshëruar. Nuk di nëse furnizimet ishin të kufizuara apo në se vidhej shumë, por në ato të pakta raste kur kam ngrënë bashkë me shokët e mij, nuk kemi qënë kurrë të kënaqur.

Funksiononte në këtë mënyrë e ngrëna në mencë. Paguaje për gjithë muajin (tek Jorgjia) dhe nuk jam i sigurt në ishte dicka mes 2400-2500 te vjetra dhe paiseshe me “latat” që kishin një vleftë të ndryshme për vaftet e ndryshme. Pjesët e vogla të letrës me datë dhe “vakt” të shënuar ja jepje kuzhinieres dhe zgjidhje mes disa gjellëve që ofroheshin në drekë, sepse mëngjesi dhe darka sikur kishin vetëm një opsion. Ata që Partia dhe Qeveria i paiste me bursë ose gjysëm burse, i merrnin falas “latat” dhe ishin të detyruar të hanin në mencë. Atë që ishte gatuar dhe racionin që të jepte kuzhinierja e trashë, që shërbente atë rradhë. Buka blihej në hyrje të mencës tek një punonjëse tjetër dhe gjithkush blinte sa i haej. Buka ishte e zezë dhe “bio”, por përgjithësisht të gjithë studentëtë dhe veçanërisht vajzat “buçkoseshin” në Qytetin e Studentit. Nuk kishte asgjë poetike mencave. Të rinj të uritur që ngopniin barqet me disa ushqime që në shtëpi nuk do i vinin në gojë. Por ndoshta kishte këmbime vështrimesh dhe ëndërra erotike, që shtoheshin pasi barku mbushej “dingë“.

Unë isha në student “i përkëdhelur” (bashkë e shokët e mij) sepse prindërit e kishin parë të arsyeshme, që të merrnim nga 4 mijë të vjetra në muaj, që t’ju kushtoheshim mësimet dhe të na bëhej koka sa një qyp me tule dhe dije. Dhe ne nuk i zhgënjyem për tulet. Dijet i lamë për të ardhmen.

Ju drejtuam restoranteve të Tiranës, dhe veçanërisht “Vollgës”, që atë kohë kishin nisur ta quanin “Drini”, por ne si simpatizues të Eseninit dhe Majakovskit ne vazhdonim ta quanim “Vollga”. Kështu i linim në fillim takimet për drekat dhe më vonë nuk kishte nevojë as për të lënë takim se i dinim oraret dhe tavolinën ku uleshim. Nën kontrollin dashamirës të kryekamarierit Bajram Haruni.

Ishte vërtet restoranti më i mirë në Tiranë. Ndoshta ja kalonte vetëm restoranti i posahapur i 15-katëshit, por atje jo vetëm që nuk shkonin studentët, por edhe të tjerët drekonin dhe darkonin rrallë. Vollga darkave kishte dhe një orkestër të mirë që luante muzikë orkestrale të huaj.

Studentët nuk ishin të shumtë, por mes të rregulltve kishte korçarë, gjirokastritë dhe disa shkodranë. Nuk patëm parë në katër vite studentë të tjerë të hanin rregullisht. Por shumë studentë të hanin në “Arbëria”,“Donika”, “Internacionali”, “Elbasani” dhe në SHQUP. Tek ky i fundit hanin vetëm ata që kishin mundur të gjenin fletë-hyrje se gatuhej mirë dhe çmimet ishin të arsyeshme.

Ka raste, kur bisedojmë me studentë të kohës sonë dhe disa tregojnë se nuk hanin në Mencë, më lind dëshira për të kujtuar ato kohë, madje edhe “menutë“ e restoranteve, që disa i kishin shumë “fikse”. Dhe i pyes si në titull: Ku haje ti student?

Ka syresh që hanin në “Donika”, në “Interi” ose në “Elbasani”, por ka dhe që e kanë pasur “ëndërr’ të hanin në restorant dhe disa raste të veçanta që kanë pasur gjatë katër viteve, ju kanë mbushur mendjen që hanin gjithnjë atje. Nuk janë të shumtë dhe ndoshta as duheshin përmendur, se studentët sigurisht që hanin sipas mundësive financiare të familjes , ndaj se të haje në mencë ose në “Vollga” nuk ka të bëjë aspak me atë se cili je ti. Ndoshta edhe më të shkëlqyerit ishin ata që hanin në Mencë. “Restorantistët” pasi kishin ngrënë rëndë dhe kishin pirë edhe ndonjë “plloskë“ me verë, do bënin goxha rrugë deri në Qytetin e Studentit dhe më pas do i futnin një “birko gjumë“ që të “honepsin” ushqimin. Ndaj dhe studionin më pak dhe si përfundim nuk shkëlqenin. Por përsëri vihesh para dilemës të shkruar bukur nga Milloshi “Më mirë Sokrat i vuejtum apo derr i kënaqum”.

Unë dhe shokët e mij zgjodhëm të ishim derra të kënaqum.

No comments:

Post a Comment