Friday, 15 May 2026

Unë dhe Korbi - poemë (6)

 

* * *


Në tjetrën sferë të kristaltë lëngu të mpiksur

Pasqyrohej ndërsa valëvitej

Mbi një shtizë mendimesh helmi, flamur i grisur

I dashakeqëve darkave përditësuar

Që bënte gjithshka të mirë të vritej.

“Në do të ndahem nga kjo jetë e bukur

Të them se të marrësh frymë s’ka vlerë,

Këtë marri kaq e lehtë në të dukur

Edhe pse kalimthi trurin mund të ketë përshkruar

Nuk kam për ta bërë asnjëherë.

Më mirë i rënë pa lëvizur të rri

Me sytë çaplyer drejt të bukurës dritë

Dhe sqepit tënd të përgjakur ti jepem

Nga gropëzat të shkulësh sytë e mij

E qosheve të botës duke prekur ajrin të endem

Të ndjej si nis e më tej tretet dhe një tjetër ditë.

Se forcë shpirtit i jep idea se më tej

Ndodhet një qënie tjetër të cilës mund ti besoj

Dhe fryma e dashurisë së saj që hyn deri në dej,

Gjithshka të keqe e përndan

Më bën që lumturisht të rroj,

Si të bukurat sythe që dalin dhe mbi të tharë kërcej.

Nuk di nëse në të djallëzuarën mendje të vogël,

A të madhe sa mban Diturinë e gjithë botës,

Të është ngjizur mendimi se në skajet e rrotës

Shpirtin dhe mendjen time krejt si një gogël

Në një ruletë të mjerë fati mund ta zgjosh e ta kotësh.

Ka shumë dashuri që mendjen ma përndrit

Dhe lojrat e një shpendi të përtejmë

Parajsës zbritur a dalë skëterrës

Mundet si një fëmijë të vogël ta rrejnë

Dhe në errësirë ta zhysin sikundër në krye të herës.”


* * *


No comments:

Post a Comment