Ishte një ftesë për një “koncert live” të vëllezërve Prifti në Toronto, nga e cila mësova për ekzistencën e një organizate jo fitimprurëse të quajtur RH Scholarship me qendër në Toronto. Mu kujtua që një vit më parë dikush, që duhet të ketë qënë punonjës ose vullnetar i kësaj organizate më pat telefonuar për të më sugjeruar të merrja pjesë në një “Mbrëmje korçare”, ku do këndonte Devis Xherahu. Unë jetoj 7 orë larg Torontos dhe me gjithë kureshtjen për të dëgjuar Xherahun dhe vëllezërit Prifti nuk shkova në asnjë nga këto, që tani edhe në Tiranë i quajnë “evente”.
E megjithatë u bëra kureshtar se kush i organizon këto ngjarje kulturore për shqiptarët, që sjell këngëtarët më të njohur shqiptarë për t’i dëgjuar bashkësia shqiptare në Diasporë. Dhe pashë se RH Scholarship kishte bërë edhe një “gala” ku kishte kënduar këngëtarja Aurela Gaçe. Këto “galat” mua përgjithësisht nuk më bien erë shumë të mirë, por nuk dua të nxitohem në një përfundim marrok, që nëse ka “gala” duhet të ketë edhe pakëz mashtrim.
Lexova më shumë në faqen e RH Scholarship dhe kuptova se organizata jo fitim prurëse ndihmonte studentët shqiptaro-kanadezë me bursa studimi, një mision ky tejet fisnik. Ishte e krijuar nga familja Haxhillari, dhe mbante inicialet e “patriarkut Rej Haxhillari”, por më aktive është gruaja e tij Teuta (Stefani) Haxhillari dhe vajza Tea Haxhillari. Gjithashtu dy zonjat(ose e gjithë familja) merren me biznesin e pasurive të patundshme, ose “real estate”, si quhet në vendet anglisht folëse.
Sa bukur të fitosh nga një biznes i mirë dhe një pjesë të fitimeve t’i dhurosh për studentët më të varfër të bashkësisë shqiptaro-kanadeze si bursa studimi!
U ndjeva keq që nuk kisha marrë pjesë në dy ngjarjet kulturore, që me siguri kontibuonin edhe në mbledhjen e fondeve për këtë organizatë kaq humanitare dhe të përkushtuar në vlerat e arsimit dhe të kulturës. Diçka jo aq e shpeshtë tek agjentët e shitblerjeve të shtëpive dhe ndërtesave të tjera.
Por “djalli dyshues”, që shpesh herë më shtyn të hedh pikpyetje edhe atje ku nuk duhet, më kujtoi se në Amerikën e Veriut mashtrimi përfitues kap mbi 20% të këtyre organizatave dhe vlera e përgjithshme e mashtrimeve kap vlera prej 80 miliard deri 100 miliard dollarë.
Nuk dua aspak të hedh hije mbi pastërtinë e atyre që merren me RH Scholarship, por gjithashtu kam të drejtë të mendoj, se mos “mbirja” e shumë organizatave të tilla të krijuara nga shqiptarët, ka një spunto nga idea “të kapim ça t’kapim”. Se ne, ballkanoperëndimorët trima dhe liridashës, kemi një nuhatje të habishme për të bërë para me mënyra të lehta. Jo më kot kemi arritur të jemi në udhëheqje në tregun e kokainës në Europë. Se tashmë ka plot organizata jo fitmprurëse të krijuara nga shqiptarët ose të drejtuara prej tyre dhe thuajse në gjithë rastet janë nga ne, shqiptarët që emigruam pas viteve ‘90. Dhe ne jemi pjesa më e madhe “të edukuar nga mësimet e Partisë dhe të sho Enver”, me një materializëm të palëkundur.
Por dua edhe një herë të nënvizoj se RH Scholarship është jashtë çdo dyshimi tim, ndonëse ka gjëra që i lexoj në faqen e tyre që nuk janë shumë të qarta për mua. Ndoshta edhe nga që nuk di se si strukturohen këto lloj organizatash. Ka tre shefa të sektorit të marketingut si dhe dy shefe të organizimit të ngjarjeve. Sa njerëz mund të punojnëpër këto departamente që kanë përkatësisht dy dhe tre shefa? Gjithashtu në faqe nuk thuhet nëse tek kjo organizatë të gjithë punojnë si vullnetarë apo ka edhe nga ata me pagë. Se kujtoj një thënie të disa muajve më parë në një bisedë televizive në Maine (SHBA), ku miku im Xho Shtainberger, që ishte marë me disa të tilla, tha “problemi i përhershëm i këtyre organizatave është mblidh dhurime për të paguar rrogat”dhe rrallë herë arrijnë të kryejnë misionin që i kanë vënë vetes. Dhe e kishte fjalën për organizatat që nuk janë të korruptuara.
Sepse ka shumë të tjera, që jo vetëm abuzojnë me dhurimet e njerëzve, por edhe që përfshihen në biznese të fëlliqura si mund të jenë pastrim i parave të pista.
Duke kaluar në një plan më të rëndësishëm, unë gjithnjëkam menduar se organizatat filantropike janë “paterica” të një sistemi jo të ndershëm dhe të drejtë. Sepse ato në një mënyrë indirekte lehtësojnë trysninë që duhet të ushtrohet tek ligjvënësit për të dhënë më shumë fonde për shëndetsinë dhe arsimin. Nuk di se në ç’shuma arrijnë bursat që jep RH Scholarship, por më duhet të them se pagesat për shkollat në Amerikën e Veriut janë vërtet tronditëse. Shoqërisë i duhet të detyrojë ata që hartojnë dhe zbatojnë ligjet të bëjnë gjithshka për të ulur në maksimum dhe pse jo të kthejnë falas arsimin e lartë në SHBA dhe në Kanada.
Duke kërkuar nxitimthi tek shqiptarët që anagazhohen në të tilla organizata, hasa në emrin e Fotini Alltenit dhe të Fondacionit Kolkoski, që e ka qëndrën në Sarasota, Florida, për të cilën do ndalem më gjatë në pjesën e dytë të këtij shënimi.
(vijon)

No comments:
Post a Comment