Wednesday, 27 May 2026

Sa është Koço Qëndroja gjallë


E di që mund të ketë shumë buzëmbledhje nga lexuesit, pasi të lexojnë këtë shkrim për një të moshuar që po mbush 100 vjeç. E megjithatë unë po e shkruaj se nuk do e bëj kurrë për një njeri që nuk është në jetë, nëse ai nuk është dikush i një përmase të madhe historike.

Madje më tepër se me karrierën dhe nivelin e mjeshtërisë të aktorit Qëndro, ky shkrim ka të bëjë me nivelin artistik të Teatrit dhe Estradës së Korçës, në vitet ‘60 deri ‘80, kur aktori punonte me normë të plotë.

Teatri i Korçës i formuar në vitin 1950 ishte i bazuar në aktorë amatorë. Kishte vetëm regjisorin profesionist, që ishte i mirënjohuri Sokrat Mio. Kuptohet që do vuante nga dilentatizmi, ndonëse dora e Mios kishte bërë që shumë nga aktorët amatorë të ngrinin nivelin e tyre. Po mësonin nga një mjeshtër që kishte studiuar në Paris. E megjithatë, duke përjashtuar disa artistë, më të shumtët mbetën në nivel amator sepse nuk është e lehtë të mësosh mjeshtërinë me vetëm 3-4 premiera në vit, si dhe me një repertor të kufizuar për shkak të ideologjisë. Për më tepër ishin të pakët ata aktorë që lexonin letërsi apo që mbanin libra në shtëpi.

Koço Qëndroja, një ushtarak që pëlqente të luante pjesë teatrale apo skeçe humoristike, hyri në këtë teatër në fillimin e viteve ‘60. Detyrimisht do ishte nën nivelin mesatar të trupës së asaj kohe. Pas ngjarjes së shkrirjes së trupës së Estradës në vitin 1967, me disa aktorë të tjerë të Tetarit, u emëruan tek Estrada, ku luajti deri në kohën kur doli në pension.

Estrada e Korçës, prej riformimit dhe deri në fillimin e viteve ‘80, ka qënë një nga trupat më të dobëta të qyteteve kryesore shqiptare. Për më tepër shumë larg humorit korçar. Kam përmendur që humori që përcillej ishte tepër naiv dhe i rëndomtë, për shkak të materialeve të dobëta humoristike, por edhe se nuk kishte një regjisor me shijetë mira, si edhe aktorë vërtet të talentuar. Diçka u përmirësua kur në trupë u rikthye pas shumë vitesh Aleko Prodani, por ishte e vështirë të ngrihej në nivelin e estradave të Shkodrës, Durrësit dhe Fierit. Në këtë trupë, përsëri Koçoja nuk ishte mes më të mirëve. E megjithatë, në disa filma që xhiroheshin në Korçë, aktori ishte angazhuar në role të vogla në të cilat kishte batuta interesante, që mbeteshin në mendjen e shikuesve, që për shkak të mungesës së shumë kanaleve televizive, i shihnin filmat shqiptarë nga njëzet herë.

Nuk jam i sigurt nëse Qëndro ka luajtur Harpagonin në vitet ‘80 apo ‘90 dhe nuk e kam parë atë shfaqje, ndaj dhe nuk mund të vlerësoj interpretimin e tij. Por kam rezervat e mija duke ja njohur aftësitë, si dhe nivelin e regjisorit Orgocka, i cili pat vënë në skenë komedinë e Molierit.

Ndaj të thuash sot se Koço Qëndro është legjendë e teatrit dhe kinematografisë“, jo vetëm është e tepruar, por është një vlerësim i rremë i vetë aktorit, nivelit të Teatrit dhe Estradës së Korçës dhe filmave shqiptarë. Koçoja duhet përgëzuar se ka bër një jetë të rregullt dhe po jeton gjatë, se ka luajtur në skenë edhe në moshë të thyer dhe se përgjigjet të mbajë gjallë kujtimet dhe historinë e teatrit “Andon Zako Cajupi”. Sa për të tjerat duhet të jemi të drejtë me historinë e teatrit në përgjithësi dhe me atë të Teatrit të Korçës në veçanti. Ka qënë një aktor nën mesatar, i një trupe, që pati shkëlqim vetëm prej vitit 1967 deri më 1972, kur drejtohej nga Mihal Luarasi dhe interpretonin Vangjush Furrxhiu, Edi Luarasi, Llazi Sërbo, Pandi Raidhi, Minella Borova dhe ndonjë tjetër.

Nëse do ju sugjerosh brezave të rinj që aspirojnë të bëhen aktorë, të ndjekin shembullin e aktorit Qëndro, do të thotë që të synojnë mediokritetin. Unë nuk di se ç’lloj aktori do ishte Koçoja po të kishte pasur mundësi të shkonte në një shkollë aktrimi. Dhe e kam fjalën në një shkollë të mirë, sepse Instituti i Arteve pat nxjerrë dhjetra aktorë mediokër dhe të dobët, që punuan në të gjitha skenat profesioniste të Shqipërisë. Gjithashtu është e gabuar t’ju sugjerosh se Teatri dhe Estrada e Korçës kanë bërë dikur çudira. Edhe pse koha sillte shumë kufizime, ka pasur dhjetra premiera të tyre, të cilat duhej t’i lije në mes, sepse aq i dobët ishte niveli artistik.

Ndaj nëse mund t’i këshillosh të përfitojnë nga interpretimet e kohës së Diktaturës duhet t’ju bësh të qartë se nëse mund t’i shohin të filmuara vlejnë vetëm disa shfaqje të Teatrit Popullor dhe ndonjë e Teatrit të Shkodrës. Dramat e interpretuara nga teatri “A.Z. Cajupi” – “Njollat e murme”, “Të Pamposhturit” apo “Engjëjt e Skëterrës”, që ishin vërtet arritje artistike, nuk janë filmuar ndonjëherë. Sa për interpretimet e aktorëve të humorit korçar ato duhen ndjekur vetëm si shembuj se si nuk duhet interpretuar.

Nuk do t’i kisha shkruar këto rrjeshta nëse nuk do kisha parë elozhet e pafund të shumë e shumë njerëzve për Qëndron. Një pjesë nuk kanë faj se nuk e kanë parë as Estradën e Korçës dhe as Teatrin, kur ka interpretuar artisti i moshuar. Por nëse aktorët Klaudeta dhe Petrika Riza, e quajnë Mjeshtër të Madh (po qe se i është dhënë ky titull zyrtarisht është edhe më e turpshme) atëhere rrenat dhe hipokrizia i kalojnë të gjitha caqet. Po qe se këta dy aktorë, mjaft mesatarë të të teatrit, presin që shpejt edhe këta t’i quajnë Mjeshtra të Mëdhenj, legjenda të artit, apo ikona të kinematografisë, atëhere nuk kemi për të ndarë dot kurrrë “miellin nga krundet” në fushën e artit të skenës.

Koço Qëndroja të bëhet edhe shumë më shumë se 100, vetëm mos ndodhë që sa më shumë të rrojë aq më shumë të rriten superlativat për të!

Nuk i shërbejnë askujt!

No comments:

Post a Comment