Tuesday, 27 June 2017

Unë do shkoj në plazh

 “Who cares!” do hidhet menjëherë këshilltari juridik i avokatit tim, për të mos thënë troç atë shprehjen e anëve tona, që shkon në këtë rast.
E megjithatë unë do shkoj në plazh se është sezoni, se zgjedhjet u mbyllën dhe se në vapë është e vështirë të shkruash poezi apo të bësh përkthime.
Unë do shkoj në plazh me gjithë deputetët  në ikje dhe ata në ardhje e sipër, se pavarësisht nga gjendja psikologjike, plazhi ju duhet të gjithë parlamentarëve të rraskapitur në këtë fushatë për hallet e popullit.
Do shkoj edhe me gjithë gjykatësit, prokurorët, avokatët, që janë rrekur sallave të gjyqeve, restoranteve, kafeneve dhe pikave të basteve, të japin sa më shumë drejtësi për ata, që kanë të drejtë, por edhe pa harruar palën, që nuk ka të drejtë, se në fund të fundit Drejtësia nuk është shkencë ekzakte.
Do shkoj edhe me një tufë profesorësh të universiteteve, nga ata, që jo vetëm kanë pasur “stresin” e provimeve të studentëve, por nuk i lenë as “gojët e liga” të thellohen në karrierën e tyre akademike.
Do mundohem të gjej edhe ndonjë vend pushimi, ku të ketë nga mjekët tanë, që nuk punojnë spitaleve private, se “helbete”, nuk jam më i ri dhe mund të më duhet një ndihmë mjekësore, për të cilën nuk kam nevojë të sigurohem, se jap ndonjë “bakshish”.
Shpresoj të takoj edhe ndonjë koleg arkitekt, që ka “akses” në Rama dhe Peleshi, se të tjerët duhet të jenë “pak si hollë“ këtë verë.
Duhet edhe të shmang plazhet ku shkojnë “gazetarët gjobitës”, se edhe mund të më ndodhë, që të më bien rrobat e banjës, kur hyj në ujë dhe hajde kërko kredi bankave, që t’ju japësh “njerëzve të medias” mos të të nxjerrin foton portaleve.
Do shkoj në plazh!
Eshtë “trendy” i VIP-ave dhe po të jesh pranë tyre, mund të përfitosh edhe ndonjë birrë pa para.

(Apo e kanë zët të paguajnë?)

No comments:

Post a Comment