Thursday, 8 June 2017

The shock of the ugly

 Në art dhe arkitekturë është disi e vështirë për të përcaktuar “të bukurën” dhe “të shëmtuarën”. Sidomos kjo vështirësi u rrit me thyerjen e “kanoneve estetike” në fund të shekullit të XIX dhe në fillimin e shekullit të XX-të. Lindi modernizmi, u eksperimentua shumë dhe jo vetëm në artet figurative, por edhe në letërsi, muzikë, balet,etj. Shumë vepra, që disa dhjetvjeçarë më parë do quheshin të shëmtuara dhe të papranueshme, u quajtën kryevepra.
Arkitektura ka të veçantën e saj, si një art “më demokratik” dhe me një kosto tejet më të lartë se artet e tjera. Në të përplasen jo vetëm prirjet e arkitektëve për të eksperimentuar, por dëshirat e investitorëve, reagimi i publikut, rregullat e veçanta të çdo qendre banimi, raporti me pjesët e tjera të mjedisit etj. Nuk është më një vepër e veçantë dhe “puro” artistike. Nëse një pikturë “ugly” i duket artistit dhe pronarit “kryevepër” ajo rri varur në sallonin e tij, pa bezdisur kërkënd. Po kështu ndodh me një pjesë muzikore, që pas dështimit në publik do flejë sirtareve, me filmin e dobët, romanin etj.
Vepra arkitekturore mbetet për dhjetvjeçarë e ndoshta shekuj.
Në diskutimin e tre viteve më parë, rreth Kullës Vrojtuese, që po ngrihej në Korçë, qarkulloi teoria e ngritur nga arkitekti Uillson e “shock of the new”. Përsëritës të saj u bënë në mediat shoqërore Niko Peleshi dhe pasuesit e tij, sepse ju duk një spjegim interesant, modern dhe i gjithësishëm. Me të mund të mbytnin të gjitha zërat kundër jo vetëm për Kullën , por edhe për çdo “marrëzi” tjetër të profesorit Uillsën dhe të simpatizuesit të tij Rama. Me disa kolegë të mij, u munduam të kundërshtonim, duke e konsideruar arkitekturën e Kullës si aspak ‘new”, por brenda një rryme arkitekture, që kishte dështuar 40 vite më parë. Kulla u përurua me tam-tame dhe me bekimin artistik të kryeministrit Rama, që e quajti Eifeli i “Parisit të Vogël”.
Prej asaj kohe, zërat në përkrahje të Kullës sa vjen dhe pakësohen dhe mendimi i përgjithshëm është “ një objekt i shëmtuar, që nuk shkon në Korçë“. Pra premtimi i arkitektit Uillson se në të ardhmen, njerëzit jo vetëm do e pëlqejnë Kullën, por ajo do kthehet në symbol të Korçës, duket tepër tepër i pamundur.
E megjithatë, nuk them se për hir të një objekti të dështuar, duhet hedhur poshtë puna e një studioje projektimi apo edhe e Bashkisë së Korçës, që përpiqet për qytetin.
E keqja qëndron në faktin, që “parimet arkitekturore” të arkitektit Uillsën, tentojnë drejt eksperimentimit me “të shëmtuarën”. Kam parë disa projekte të realizuara dhe jo të realizuara të studios “Bolles + Wilson” dhe më është krijuar kjo bindje. Profesori mund të ketë forcë bindëse (të lemë mënjanë dyshimet për korrupsion), mund të ketë shpejtësi në projektim, por janë plot 3 projekte publike të tij në Qendër të Korçës, që vuajnë nga “eksperimentimi me të shëmtuarën”.
Kulla e realizuar, Biblioteka në ndërtim e sipër dhe Muzeu i Gjon Milit i projektuar. E përbashkëta e tyre është betoni, vëllimet e konceptuara nxitimthi, mungesa e harmonisë me ndërtimet përreth. Në to ndjehet ndikimi i arkitekturës së viteve ’60 dhe asaj brutaliste, që duket se kanë qënë preferencat e profesorit në rininë e tij studentore.
E shëmtuara mbetet e shëmtuar!
Për të nuk mund të ndihmojë as elokuenca e profesorit Uillsën, as batutat e Ramës, as buzëqeshja e Peleshit dhe as kokfortësia në diskutim e Filos.
Pjesa më e madhe e korçarëve janë në “shock”.

Quhet “the shock of the ugly”!

1 comment:

  1. Morra vesh se edhe ti paske paraqitur plan rregullues per Korcen ne konkursin e hapur nga Bashki para ca vitesh.Na I shuaj ca kuriozitetin dhe na sill ca pamje nga plani yt se me thane se ishte nje plan "sa per sy e faqe" dhe kishte ne te kulla edhe me te larta se keto te "professor Willsonit".
    He si thua ..,se ti ke kometuar e ke "kategorisur" tere dynjane dhe vetem per planin tend nuk me folur.

    ReplyDelete