Friday, 16 June 2017

Pas 100 vjetësh


Si do jetë Korça pas një shekulli?
Vështirë është ta parashikosh, sepse këtë mijëvjeçar jeta rrjedh me ritme shumë herë më të shpejta se ka rrjedhur mijvjeçarin e kaluar. Në teknologji, në llojet e punësimit, në mënyrat e shfrytëzimit të energjisë, në arkitekturë.
Por nuk e kanë të vështirë ta parashikojnë njerzit “me vizion” të Partisë Socialiste.
Niko Peleshi, me bindje dhe krenari të plotë, siguron zgjedhësit se janë pjesë e një “kohe të madhe, me të cilën korçarët e pas 100 viteve do mburren!”
“Bobo sa mirë i ke llafet!”- do thoshte një i njohuri im, që entusiazmohet shpejt nga deklarata të këtij lloji.
Nuk di nëse kjo periudhë, pas 100 vjetësh do quhet “periudha e Peleshit”, “periudha e Raqkës”, apo “periudha e socialistëve pa dallim ideje”, por është e sigurt, që stërnipat tanë do krenohen. Se si do jetë mënyra e shprehjes së krenarisë pas 100 vitesh edhe kjo nuk është e sigurt, se sot psh çdo gjë bëhet me celular dhe shprehet në mediat sociale.
Mund të arrihet më 2117, që celulari të komandohet me mendje dhe sa të kujtosh Peleshin, një aplikim në celular të të gufojë gjoksin, të të shpjerë shikimin drejt horizontit dhe të të ngrerë ballin lart?
Ndoshta do jenë arritur edhe mënyra të tjera më të sofistikuara.
Për shembull, një lloj sintetizimi i asaj, që një i njohuri tjetër i imi, që shkruan vargje “part-time”, i drejtonte Nikos “je nga ata, që lenë gjurmë në histori”. Nuk ka se si të ketë më Wikipedia pas një shekulli, por me të shtypur emrin në celular, ndriçohen vetë objektet“gjurmë të Peleshit” në qytet, nga Kulla Vrojtuese, Biblioteka e Re, Muzeu i Artit Mesjetar dhe ato, që do ndërtohen legjislaturën që vjen.
Edhe pse vështirë të parashikohen ato, që do sjellë e ardhmja, për disa mënyra tradicionale të nderimit, që përdoren deri tani, është e mira, që Bashkia të mendojë e t’ju paraprijë.
Për shembull vendosja e një piedestali prej guri në krah të Themistokli Gërmenjit, ku mund të vendoset në të ardhmen shtatorja e Nikos. Eshtë përballë edhe me një vepër “bajagi të goditur” të arkitekturës, banesën shumëkatëshe të investitorit “Goneja i Zapeve”.
Banesa e Nikos nga vreshtat mund të shpallet, që tani muze dhe të vizitohet gjatë ditëve të javës nga nxënësit e shkollave dhe turistët dhe të mbyllet në fundjavë, kur Nikoja kthehet në vendlindje.
Gjithashtu mund të mendohet, që si emër të dytë Korça të ketë Pelesh-city, sepse jo vetëm e meriton ta ketë, por mbyllen edhe diskutimet akademike nëse origjina e emrit të qytetit vjen nga “gjorixhe”, “korica”, “gorricë“ apo “dardha fice”.
Një këngë himn?
Kjo nuk besoj se do jetë e zorshme, se shumë poetë kanë thurrur vargje për këtë ekip fitues dhe vizionar dhe nuk do jetë e vështirë, të hidhet në nota nga vëllezërit Prifti, Gena apo nga kantautori Maksi Kulla.

Mund të titullohet edhe “Për ty Parti, për ty Pelesh.”

1 comment:

  1. Edhe dhelpra kur nuk I arriti dot rrushte filloi ti shante. Edhe ti kete po ben.
    Po vetem planin tend nuk na e shpjegove...se planet e te tjereve nuk te hyjne ne sy.
    Tipik korcar I lig qe nuk thote nje fjale te mire per tjetrin e deri tek hunda e vet shikon.
    Po ske faj se ti je I djegur o byrazer...

    ReplyDelete