Saturday, 10 June 2017

Lartësia e ndërtimit dhe Hapësira


Ka një keqkuptim të madh në konceptimin e qyteteve, por edhe në diskutimin e njrëzve lidhur me lartësinë e objekteve apo me vëllimet e tyre.
Modelimi i Hapësirës në bazë të rregullave të Urbanistikës dhe Arkitekturës nuk është një shkencë ekzakte. Eshtë shumë më pranë Artit dhe shkencave empirike. Sigurisht, për të mos gabuar rëndë, shoqëria ngarkon specialistët të përgatisin një tërësi rregullash, mbi bazën e një filozofie të caktuar ekonomike, ndërtimore, mjedisore etj.
Cështja e ndërtimeve të larta, të quajtura qiellgërvishtëse, lidhet me Amerikën dhe me shpikjen e ashensorit, por ndërtime të larta, të quajtura në formë Kulle, ka pasur që në kohë të hershme dhe disi më shumë në Mesjetë.
Në Historinë e Arkitekturës ka shembuj të shumtë, të ndërtimeve të larta elegante, të atyre të zakonshme si edhe të të shëmtuarve. Arkitektura Moderne sipas parimeve të Lë Korbyzjesë, tentoi të shmangte në maksimum ndërtimet me theks vertikal, por si u vërejt pas shumë vitesh të aplikimit të saj ndërkombëtar, njerëzit kanë nevojë të “emocionohen” në hapësirë, në mënyra sa më të larmishme. Ndaj gjenialiteti i korifejve të arkitekturës është gjetja e vëllimit më të mirë të mundshëm, në një hapësirë të caktuar dhe në përputhje me “xhepin e investitorit”. As ka pse me zjarr të mbrohen apo të luftohen ndërtimet vertikale, ashtu si po njëlloj nuk duhet kaluar masa me ato horizontale, me format e pastra gjeometrike e kështu me rradhë.
Receta fatmirësisht ose fatkeqsisht nuk ka.
Për ta hedhur këtë diskutim në një “terren” konkret, po ndalem në një “hapësirë të formuluar”, të cilën e njoh më mirë dhe që është qyteti im i lindjes.
Si shumë qytete të tjera të Ballkanit, ai kishte një prirje të vëllimeve me theks vertikal më shumë se sa horizontal. Nuk e kam fjalën pë minaretë, këmbanoret apo Kullën e Sahatit, por për banesat. Banesat njëkatëshe, me oborre të mëdha thuajse nuk kanë ekzistuar në Korçë. Banorët kanë pasur prirje për zhvillimin e ndërtesës në lartësi dhe theksimin e vertikalitetit me dalje me erkera në katet e sipërme. Shembuj të tillë kanë zanafillë në shekullin e XIX dhe vazhdojnë më tej me ndërtimet e shekullit të XX-të (Majestiku, Pallasi. Farmacia Cekani etj).
Gjithashtu janë pranuar si të pëlqyeshme banesa e 7-katëshit e Kolevicës, Hotel Turizmi i Koço Comit, kompleksi i banesave në Pazari i Ylli Nashit, godina e Postës e Aleko Papakozmajt etj. Jo i njëjtë ka qënë opinioni për banesën me karakter horizontal në posta e vjetër, vepër e arkitektes të shquar korçare Valentina Pistoli, apo të tjera vëllime të kësaj natyre përgjatë arterieve kryesore.
I përmenda këto shembuj të ndërtimeve para viteve ’90, për të theksuar idenë, se problemi i ndërtimeve të reja në Korçë nuk është tek lartësia e tyre, por në raportin me ndërtimet ekzistuese, në elegancën e vëllimeve, si dhe në materialet e përdorura. Vetë kam bindjen se në vende të caktuara të qytetit, qoftë dhe në qendër, nuk ka pse të ketë kufizim në kate. Gjithshka varet nga mënyra se si proporconohet vëllimi dhe nga materiali i përdorur.
Problemi i Kullës Vrojtuese me të cilën jam marë shumë herë nuk është tek lartësia. Ai qëndron tek zënia e panevojshme e një hapësire jo “gjigande”, në mungesa e funksionit, në konceptimin  e saj “fortifikues” dhe në materialet e përdorura. Biblioteka e re është tërësisht horizontale, por ka të meta të mëdha në konceptimin vëllimor dhe trajtimin arkitekturor. Për më tepër nuk ka asnjë lloj harmonizimi me objektet , që e rrethojnë. E njëjta gjë thuhet pa hezitim edhe per Muzeun e Gjon Milit.
Ka një shembull shumë sinjifikativ, të ndërtimit të një Kulle, në një qytet të vogël, ku ndërtimet nuk i kalonin të tre katet. Eshtë “Price Tower” e Rajtit (Frank Lloyd Wright) në Bartlesville, Oklahoma. Edhe pse objekti në fjalë, është 19 kate, jo vetëm nuk prish siluetën e qytetit, por e pasuron atë, duke u konsideruar gjithashtu si një nga veprat më të arritura të Rajtit. Në kohën e ndërtimit, qyteti kishte vetëm 30 mijë banorë, pra më I vogël se Korça.
Për më tepër sot, kur metali dhe “muret e qelqta”, krijojnë mundësi për vëllime tërësisht të lehta dhe më të larmishme në forma, nuk ka pse t’i trembesh lartësisë.
Ajo nga e cila duhet të ketë frikë çdo investitor dhe projektues është nxitimi në projektim, etja për të shfrytëzuar në maksimum sipërfaqen e truallit dhe përdorimi i materialeve me kosto të ulët, që sjellin fitim të madh.
Duke ju rikthyer edhe një herë projekteve të arkitektit Uillsën, ato, për fat të keq, vuajnë nga këto tre karakteristika të përmendura më sipër.
Në Korçë është projektuar me elegncë në ditët e saj më të mira dhe duhet të bëhen përpjekje për të projektuar sipas të njëjtës filozofi.
Pa dashur të fyej Shijakun apo Peqinin, por duke qënë hapësira të një konceptimi të një natyre tjetër, mendoj se pikërisht atje duhet të orientohet nga Kryeministria për të projektuar Profesori Uillsën.



 (Në foto janë Price Tower e F.LL.Wright 1956, “Marylin Monroe Towers” Mississauga 2006 MAD Architects, Cinnamon Tower Hamburg e “Bolles+Willson” 2016)

No comments:

Post a Comment