Unë jam i lirë, që atë ditë, kur nisa të mendoja lirisht
ndaj çdo dukurie, sendi apo njeriu që më rrethon. Për lirinë e mendimit kanë
folur në shekuj, me qindra njerëz të mençur ,
që kanë bërë hije mbi këtë dhe. Shumë prej tyre edhe janë sakrifikuar, që vetë
dhe të tjerët të mendojnë të lirë dhe më shumë akoma, të mos dhunohen për
shprehjen e mendimit të tyre.
Mund të duket, që gjithkush është në gjendje të mendojë
lirisht. Por nuk është kështu. Në sisteme, kur shoqëria, shteti, kisha apo
familja vendosin korniza pas kornizash të mendimit, gardhe pas gardhe skrupujsh
moralë dhe ideologjikë, njeriu nuk mund të mendojë i lirë, sado i mençur dhe i kënduar të jetë.
Sistemi ka vendosur brenda tij (në rastin kur nuk është bërë shpëlarja e plotë),
një lloj labirinthi tredimensional, ku mendimi, pasi përplaset mureve, mund të
shkojë vetëm në disa drejtime të caktuara. Ky është një nga krimet më të mëdha,
që bëjnë Dikaturat, mbi njerëzit, që sundojnë.
Të jesh i lirë në të menduar(kuptohet në varësi të
kapacitetit intelektual dhe të njohurive, që ke futur në qypin tënd) është njëri
aspekt. i dyti, ai më i rëndësishmi, është të shprehurit e mendimit të lirë
gojarisht, me të shkruar, apo me forma të tjera të komunikimit.
Nuk është thjeshtësisht e lehtë.
Ka shumë arsye , që njeriu do t’i fshehë ato, që mendon nga
të tjerët. Mund të jetë nga mungesa e besimit në vetja, nga vështirësia në të
shprehur, nga hezitimi se mos lëndojë të tjerët, nga frika se mund t’a sulmojnë
duke i nxjerrë “skeletet, që ka në sobalkë“. Këto edhe të tjera të ngjashme, përbëjnë
atë, që quhet autocensurë dhe , që në një shkallë apo në një tjetër, ndeshet
tek të gjithë ata, që shkruajnë.
Në vendet më të zhvilluara, ka edhe një lloj tjetër “autocensure”,
që përkufizohet me shprehjen, “të flasësh ose të shkruash politikisht korrekt”.
Në vendin tonë kjo është më e pakët, sepse atje njerzit tremben të flasin apo të
shkruajnë për arsye jodemokratike, si janë humbja e vendit të punës, “belatë“
me administratën apo inspektorët e taksave, kërcënimet nga “bota e krimit”, e të
tjera si këto, që në vendet me demokraci të zhvilluar dënohen me ligj. Me
dhjetra janë rastet e njerëzve, që më kanë shkruar, se “mendojmë po njëlloj,
por nuk mund të shprehemi, se ti e ke të lehtë, pasi nuk jeton këtu”.
Pra le të kthehemi në “robërit”, të cilët pengojnë fjalën e
lirë të të tjerëve.
Këta janë kryesisht njerzit e veshur me pushtet, të cilët
blejnë gjithë kopjet e një gazete, ku ka një shkrim kundër tyre, kërcënojnë ose
heqin nga puna njerëz, që shprehin idetë e kundërta, venë njerëz të përgjojnë
mediat sociale, se kush komentoi dhe kush bëri like e të tjera si këto. Këtyre
ju duket vetja si Roje të fjalës dhe mendimit, por në të vërtetë këta janë të
Burgosurit.
Nuk mund të jesh i lirë,
por nuk respektove lirinë e shprehjes të tjetrit.
Kjo është përgjigja e ime ndaj dy tre vetave, që më
sugjerojnë të fshij komentet negative të një anonimi në blogun tim. Atë çast, që
do e bëj atë gjë, do cënoj lirinë time të shprehjes, të cilën e kam dëshëruar,
që në fëmijëri, por kam mundur ta gëzoj vetëm sot, kur jetoj në një vend të lirë,
ku mendimi i lirë respektohet dhe mbrohet me ligj.
Haha, lojra epike te egos tende te fuqishme.
ReplyDeleteUne jam pasqyra. Deri tani nuk te ka dale gjumi dhe nuk I ke lare syte...