Wednesday, 7 June 2017

Qershor 1997

Pasiguria ishte fashitur. Rrinim më gjatë jashtë shtëpive edhe pse krismat e kallashnikovëve gjatë netëve nuk kishin rreshtur. “Kaskat blu” (kështu i quanim me shaka trupat e NATO-s, që ruanin rendin) kishin bërë, që jeta në qytet të ishte më e sigurt. Kishte nisur edhe fushata elektorale, por asaj pakkush i kushtonte vëmendje. Më të shumtët e të njohurve mendonin si të largoheshin nga vendi.
Beni ato vite punonte në Ministrinë e Jashtme, ndaj qëlloi edhe të shihja një lloj kaosi edhe brenda asaj ministrie, ku vërtiteshin militantët e PD-së, me shpresë të pajiseshin me pashaport diplomatike, për të ikur nga vendi. Cuditërisht, dhe pse kishte lajme për ndalime të furgonave në rrugët e vendit, nga bandat, pata fat në udhëtimet e mija të detyruara, për të marrë vizë për në Beograd. Sigurisht, që vizë nuk mora dot(ambasadori i Jugosllavisë ose ishte një gënjeshtar i lindur, ose nuk kishte gjë në dorë), por duke folur me shokun tim të gjimnazit, Gjergji Lekën, rreth vizës, ai më siguroi, që një njeri i Partisë së të Drejtave të Njeriut në Shkodër, ish-futbollisti Millan Vaso kishte në dorë të më kalonte. E telefonoi sakaq dhe i ndjeri Millan Vaso u përgjigj menjëherë, “që nuk ishte problem”. Në vitet ’90, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Lindjen, shprehja “no problem” ishte shprehja më e përdorur, dhe të huajt kishin zënë të mos i besonin më, por në këtë rast bëhej fjalë për njerëz të njohur, ndaj edhe pse isha “lodhur” duke kërkuar vizë, i besova Gjergjit dhe Millanit.
E kujtoja këtë të fundit, nga koha, që luante me Partizanin. Ishte futbollist i mirë dhe shumë korrekt në fushë. Kishte mbetur një njeri tejet korrekt. Si podgoriçan, kryesonte shoqatën e malazezëve të Shkodrës dhe e ishte në të paktit njerëz, që ju hapej kufiri nga pala jugosllave. (Atë kohë Mali i Zi ishte ende në një shtet me Sërbinë). Na shpuri deri në Titograd dhe priti bashkë me ne, në një lokal në qendër të tij, deri sa erdhi të na merrte, një shok tjetër i fëminisë dhe shkollës, i paharruari Tika Marashi.
Tika kiste disa vjet, që jetonte me familjen në Mal të Zi. Si e thoshte me “shaka dhe mburrje” merrej me kontrabandë bananesh. Tingëllonte si qesharake, por vërtet ekzistonte edhe një kontrabandë bananesh në kohën e embargos ndaj Jugosllavisë, krahas asaj të naftës dhe artikujve të tjerë. Bananet, pasi ishin transportuar nga Amerika Qëndrore në Pire, kalonin nëpërmjet Korçës në Shkodër dhe nëpërmjet Liqenit të Shkodrës hynin në Mal të Zi. “Monopolin e bananes”, që në Qeverinë e Stabilitetit e kishte ruajtur Anastas Angjeli dhe “ruajtësi i linjës” ishte një tjetër “ekonomist”, i mirënjohuri korçar Raqi Kalaveshi.

Sa tonelata me banane janë endur karrocerive të kamionave dhe lundrave të bregliqenit, deri sa kanë përfunduar në tryezat e malazezëve dhe sërbëve! Disi qesharake, por e vërtetë. Pas viteve të “Hilal-it”, ishin vitet e bananeve. Kontrabandën e naftës e kishte në dorë “Shqiponja” e famëkeqit Sali Berisha.
(vijon)

No comments:

Post a Comment