Friday, 30 June 2017

Mediokriteti, që ndoshta “vrau” Emilin


Përurimi i Teatrit të Korçës të rimodeluar në mjediset e tij të brendshme më sjell në mendje një korçar të talentuar dhe inteligjent, por që nuk arriti të shkëlqente plotësisht në fushën e artit, për shkak të largimit të parakohshëm nga jeta.
Quhet Emil Bibolli dhe nuk mund të harrohet nga korçarët edhe pse pak përpjekje bëjnë zyrtarët për ta kujtuar.
Në vitin 1993, këngëtari Ardit Gjebrea jepte një koncert në sheshin kryesor të Korçës dhe para se të këndonte një këngë të tij me vargjet e Ditëroit, tregoi se kishte shkuar në mëngjes në varrezat për të vënë lule në varrin e Emilit. Mes ngjethjes së turmës, të gjithë shpërthyen në duartrokitje. Ishin për korçarin me talentin më të spikatur në vitet ’80.
Emilin e kam njohur, kur erdhi të punonte si regjisor i teatrit, por për të kisha dëgjuar shumë, që në kohën kur ishte student. Ishte regjisori më premtues i brezit të tij dhe në Tiranë kërkohej nga teatri dhe Kinostudioja, por pas këmbënguljes së zyrtarëve korçarë, e sollën në tetatrin e Korçës, që prej Mihallaq Luarasit nuk kishte pasur regjisor të diplomuar.
Emili kishte trashëguar talentin e prindërve. Flora, që për një kohë të gjatë ishte spikerja kryesore e Radio Korçës, kishte qënë edhe një valltare shumë e mirë. Kiçoja edhe pse më shumë kishte punuar në arsim, ishte shumë i tërhequr nga bota e teatrit dhe për një kohë kishte qënë edhe drejtor i tij. I vëllai, Iliri, mund të iste bërë një nga aktorët më të suksesshëm shqiptarë nëse nuk do kishte zgjedhur karrierën e mjekut.
Talenti i Emilit i tejkalonte ato të familjarëve të tij. Kishte shkëlqyer në Teatrin e Kukullave, por shkëlqimi në Akademinë e Arteve kishte qënë i pazakontë. E quanin e ardhmja e regjisurës shqiptare.
Fati i keq e solli në Teatrin e Korçës, i cili ishte në një rënie të vazhdueshme prej viteve 1973-74. Largimi i Vangjush Furxhiut dhe Minella Borovës, si dhe përfshirja e Llazi Sërbos dhe Jani Rizës kryesisht në filma, kishte dobësuar trupën aktoriale më të mirë në Shqipëri (pas asaj të Teatrit Popullor). Një klimë prapaskenash kishte detyruar edhe mënjanimin e Raqi Cilit dhe Petraq Marjanit.
Idealizmi artistik i një të riu inteligjent dhe me ide për një teatër bashkëkohor dhe të shkëputur nga ideologjija sunduese u përball me mediokritetin e drejtuesve të teatrit, një mediokritet, që kishte përfshirë edhe gjithë trupën “e njrëzve me dosje”. (Në vitet ’80, thuajse të gjithë aktorët meshkuj, nën shembullin e drejtuesit të tyre, silleshin bulevardeve me nga një dosje në dorë. Brenda saj, me siguri, që kishin fletët e shaptilografuara të pjesës, që po vihej në skenë, se shënime të tjera, a “larg qoftë“ libra, si zor të kishin.)
Ndonëse brenda trupës kishte nga ata , që shpresonin në talenti i regjisorit të ri dhe i dëshëronin suksesin, “atmosfera e helmuar” gati ja sabotoi shfaqjet, që vuri në skenë.
Emili u largua për në Selanik, pas hapjes së rrugëve, që solli ndryshimi i sistemit. Teatri i Korçës nuk kishte as hapësirën dhe as nivelin e duhur për të.
U kthye, jo me këmbët e tij, në një ditë, kur shiu nuk kishte të pushuar.
Korça, mbase padashje, kishte larguar  dhe “vrarë“ edhe një artist tjetër.

Kishte vite, që qyteti ishte në dorën e mediokërve, bile të të pazotëve.

No comments:

Post a Comment