Saturday, 24 June 2017

Teatri i kukullave dhe regjisore Drita


Këto ditë, në mjediset e Teatrit të Korçës është përuruar edhe salla e tetrit të kukullave. Eshtë salla e tretë, pas asaj të aneksit të Pallatit prej mesit të viteve ’60 dhe deri në vitin 1972, si dhe sallës mbi “Bar-Republika”, që qëndroi gjatë, deri në kthimin e saj tek pronarët e ligjshëm.
Teatri i Kukullave i Korçës lidhet tërësisht me emrin e Drita Kallamatës. Ekzistonte edhe para se ajo të vinte në Korçë, por në një nivel shumë të thjeshtë, me kukulla “petrushka” dhe me dekore të varfra për fantazinë e fëmijëve. Prej vitit 1968 dhe deri kur doli në pension më 1985, regjisore Drita e transformoi atë në një teatër, që afronte nga niveli me atë të trupës profesioniste të Tiranës.
Kam qënë bashkë me shokët e mij për 5 vjet pjestar i trupës amatore të teatrit nën regjinë e regjisores. E thërrisnim gjithnjë regjisore, se kështu e kishim gjetur, që e thërrisnin edhe brezat para nesh.
Kishte pasionin dhe përkushtimin e një artisteje të vërtetë. Bënte gjithshka vetë, ndonjëherë edhe duke thirrur, por duke menduar çdo çast për përmirësimin e shfaqjes. Kërkuese në kollonën zanore të shfaqjeve, ndriçimin e tablove dhe sidomos në dekoret, Drita Kallamata, jo vetëm e njihte mirë psikologjinë e fëmijëve, por gjatë provave dhe shfaqjeve dukej se edhe vetë mbarte gëzimin dhe mrekullimin e tyre. Clodhej duke ndezur një cigare “Partizani”, të cilat nuk i ndau gjatë jetës së saj, që u pre shumë herët.
Kishte punuar si aktore në Teatrin Popullor dhe më vonë, qysh në krijimin e Teatrit të Kukullave në Tiranë, ku e deshin shumë dhe ishte gjithnjë e mirëpritur. Nuk arrij ta mendoj dot dinamizmin e saj në kohën e Teatrit të Tiranës, se kur filluam ne, ishte 45 vjeçare dhe kishte energjinë dhe dinamizmin e një 25 vjeçareje. Shpesh ne të rinjtë i dukeshim sikur “flinim” gjatë interpretimit dhe regjisorja vinte e na “shkundte”.
Më kujtohet në pranverën e vitit ’75, kur Beni me droje më tha, nëse mund të shkonim të bëheshim pjesë e teatrit, se disa djem ishin larguar në universitet, ose kishin shkuar ushtarë. Ishim adoleshentë dhe të dy, kishim një lloj turpi për të interpretuar në publik. Ngushëllimi ishte se do ishim pas “paravanit”. Sot, kur kemi kuptuar shumë gjëra nga ajo kohë, nuk jam i sigurt nëse regjisorja kishte vërtet nevojë për aktorë meshkuj, apo donte “të kishte një sy mbi ne”, për të na shpëtuar nga ndonjë “marrëzi” e mundshme në ato vite terrori.
Ishte inteligjente, e kulturuar dhe mbi të gjitha me një pasion të pabesueshëm. Nuk kënaqej kurrë nga interpretime mediokre edhe pse kishte të bënte me adoleshentë, që jo vetëm nuk kishin përvojë aktrimi, por edhe shumë vështirësi në lëvizjen e marionetave. Kishte hequr , që në fillim “petrushkat” dhe kishte futur “marionetat nga poshtë“, që kanë mbetur kukullat klasike në gjithë teatrot e Shqipërisë.
Na deshte të gjithëve si fëmijë dhe bënte gjithshka, jo vetëm për ne, që hynim e dilnim në shtëpinë e saj, por për të gjithë aktorët. Ishte e njohur për bujarinë, por për këtë, ndoshta do më duhet të shkruaj më gjatë.
Drita Kallamata ishte dhe është Teatri i Kukullave i Korçës. Ndoshta në jetën e saj ka edhe shumë vepra të tjera, por edhe vetëm kjo, është e mjaftë për të hyrë në rradhën e më të mirëve të Teatrit të Korçës.

Regjisorja e kukullave – regjisorja e fëmijëve.

No comments:

Post a Comment